Zeqirizmi i listës së mbyllur, mënyra më e re e trafikimit të mandateve zgjedhore!

Nga Besart Logu

Ka nisur një debat i ethshëm mbi mandatin e aleancës “Nisma Shqipëria Bëhet”. Zeqir Kordhoni, është apo jo daja i Endri Shabanit, ka absolutisht të drejtë që të zgjedhë nëse e mban apo jo mandatin e deputetit kur lista shumemërore e mbyllur e qarkut Tiranë, për këtë subjekt zgjedhor, të shterojë deri tek emri i tij.

Ka qenë naivitet (se mungesë njohurie juridike nuk e them dot) e Adriatik Lapajt dhe Endri Shabani e shfrytëzoi, nuk e them dot. Ama, referuar Kodit Zgjedhor, Zeqirit po i vjen dita të bëhet deputet edhe pse mund të mos e ketë patur ndërmend këtë zhvillim. Mund të ishte një zeqir i Lapajt, mbase, edhe kjo mund të ndodhte por si fillim duhen qartëduar disa momente.

Si nisi e gjitha kjo histori?

Partitë e vogla, kryesish ato rishtare, për retorikë politike, duke u shfaqur si dashnorë të listave të hapura, zgjodhën të mos e zbatojnë Kodin Zgjedhor sa i përket mënyrës së kandidimit duke djegur kështu listën e mbyllur nëpërmjet dy mekanizmave: plotësimit të saj me emra fiktiv dhe tërheqjes nga kandidimi ditën e zgjedhjeve. Të dyja këto i gjenë të reflektuara tek letra e Zeqir Kordhonit drejtuar KQZ me objekt “Dorëheqje nga kandidimi për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025” që mban datën 11.05.2025.

Nga sa më sipër, duket se palët janë korrekt me njëra-tjerën dhe kjo vetëm në aspektin politik. Ndërsa në raport me ligjin, janë në shkelje të tij, madje të vetëdijshëm dhe kanë dëshiruar ardhjen e pasojave.

Së pari. Referuar nenit 73, pika 4 e Kodit Zgjedhor, parashikohet se: “Emrat në listat shumemërore dhe renditja e tyre nuk mund të ndryshohen pas miratimit përfundimtar nga ana e KQZ-së ose, sipas rastit, KZAZ-së, sipas pikës 2 të këtij neni”. Që do të thotë, 42 ditë para datës së zgjedhjeve (në rastin konkret me 30 mars 2025 ka qenë afati fundor) lista e miratuar në mënyrë përfundimtare nga ana e KQZ, nuk ndryshon tej çdo ngjarje juridike që mund të ndodhë apo vullneti të shprehur, si nga subjekteve zgjedhore ashtu dhe nga kandidatët e listës shumemërore. Për ta konkretizuar; lista përfundimtare nuk ndryshon edhe nëse shtohen, hiqen, zëvëndësohen apo edhe dorëhiqen vullnetarisht kamdidatët nga gara. Formalisht, subjektet garojnë me lista të mbyllura dhe procedurialisht shpërndarja e mandateve nis nga emri i parë i listës së mbyllur.

Së dyti, procedura e heqjes dorë nga mandati, që në rastin konkret kandidatën e listës së mbyllur e kanë refuzuar ditën e zgjedhjeve por që ligji të “imponon” mbajtjen e tyre në listë, parashikohet në nenin 164, pika 4 e Kodit Zgjedhor. Konkretisht në të parashikohet se: “Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.”

Sa më sipër, del qartë se heqja dorë nga mandati i deputetit bëhet vetëm pasi të është dhënë nga KQZ dhe kur të dalësh para Kuvendit. Deklaratat paraprake, për më tepër dorëheqjet e dhëna në mënyre kolektive, janë thjeshtë dhe vetëm akte politike dhe kanë zero vlerë ligjore, e si të tilla, nuk krijojnë pasoja juridike. Janë dy autoritete (KQZ dhe Kuvendi) që të njohin të drejtën e mbajtjes apo refuzimit të mandatit. Pra, duhet vendimmarrja institucionale që vullneti personal i kandidatëve të prodhojë efekte juridike.

Së treti, politika shqiptare, konkretisht spektri opozitar, e ka shënuar një precedent të tillë. Në shkurt të vitit 2019, i gjithë kampi opozitar mori vendim për djegien e mandateve parlamentare dhe nga ana e KQZ u refuzua pranimi në grup i dorëheqjeve dhe i gjithë vullneti politik u fut në procedurën e refuzimit vetëm pasi konstatohej vakanca. Kjo pastaj prodhoi deputetë si Jenisheri e këpërata çka bëri që t’i jepej rëndësi edhe emrit të fundit në listë.

Kështu, marrëveshje e bërë mes Shabanit e Lapajt ka pasur zero vlerë ligjore prandaj dhe Zeqir Kordhoni gëzon të drejtën ligjore që të rivlerësojë vullnetin politik të datës 11 Maj shprehur me aktin e dorëheqjes si kandidat i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. A ka Zeqiri të drejtë morale ta mbajë? Ky pastaj është diskutim tjetër. Çdo lëvizje politike e pamoralshme, që prodhon mandate parlamentare ndryshe nga vullneti i zgjedhësve, mund të konsiderohet si trafikim mandatesh. Kjo sepse marrëveshja politike është ngjizur në kundërshtim me Kushtetutën e sidomos me Kodin Zgjedhor dhe qartazi shfaq vullnet tjetër nga ai i brëndshëm. Thënë ndryshe, Shabani dhe Lapaj nuk kanë qenë të sinqertë me njëri-tjetrin pasi qëllimet e vërteta nuk korespondojnë me ato që shfaqnin publikisht dhe teorikisht, nëse Shabani do dilte më i votuar nga lista hapur, një dajë apo hallë e Lapajt nga lista e mbyllur do mendonte rivlerësimin e aktit të dorëheqjes.

Ky pra është zeqirizmi i listës së mbyllur, garancia e të dytit të listës së hapur për t’ia rrëmbyer mandatin atij të parit me qëllim trafikimin e tij. Dhe ironia e gjithë kësaj historie është se ky fenomen ndodh tek subjekti zgjedhor “Nisma Shqipëria Bëhet”. Pra, Shqipëria bëhet me mentalitet trafikanti! Turp!

Shpërndaje