Loti i Thethit

Nga Elona Caslli

Mos ma prek Nanën” – thërret një djalë i ri nga Thethi në përballje me policinë. Është një klithmë rrëqethëse. 
Kryeministri, që deri dje krenohej me Thethin nê rrjetet sociale, sot po e shkatërron atë.
Kryeministri, që deri dje nxiste të rinjtë e Thethit për t’u kthyer në atdhe për të investuar në tokën e tyre, sot po shkatërron djersën e emigracionit.

Kryeministri nuk po e bën këtë për shkak të ndjeshmërisë së theksuar për ndërtimet pa leje. Kryeministri po e bën këtë sepse e ka paracaktuar tashmë Investitorin Strategjik në Theth dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të varfërosh skajshmërisht banorët e zonës në mënyrë që varfëria e skajshme t’i detyrojë këta banorë të shesin tokat e tyre te blerësi i parë.

Mënyrë më e shpejtë për t’i varfëruar banorët e Thethit ishte t’u krijoje këtyre të fundit iluzionin se shteti do të mirëpriste çdo investim në trajtë bujtine në tokat e tyre. Kështu banorët do të futeshin në kredi dhe bashkë me kursimet e djemve emigrantë do të ndërtonin në tokat e tyre duke llogaritur se kësti i kredisë do të shlyhej me fitimet e bujtinës përkatëse. 

Tani që bujtinat shkatërrohen mbetet vetëm kësti i kredisë dhe borxhet për t’u paguar dhe pas pak kohësh thika e kredisë zhytet gjithmonë e më thellë, ankthi i borxhit të përmuajshëm bëhet i padurueshëm dhe njeriu i rraskapitur dorëzohet te blerësi i parë.

Gracka, ku i ka futur kryemimistri banorët e Thethit më kujton një rrëfenjë të Saadi Shirazit te “Gjylistani dhe Bostani”

Ishte një burrë që ua blinte në verë drunjtë fukarenjve lirë dhe ua shiste në dimër shumë shtrenjtë. Kishte ndërtuar një shtëpi të madhe në të cilën një ditë ra zjarr dhe u bë e tëra shkrumb e hi. I ulur në rrënojat e shtëpisë së tij, pyet një dervish që po kalonte aty pranë ” Cfarë kam bërë unë që m’u dogj shtëpia?!”
Dervishi ia nguli sytë dhe me qetësi iu përgjigj ” Të zuri ofshama e fukarasë”.

Duke qenë se kryeministri citon shpesh Biblën e Kuranin i duhet rikujtuar se në urtinë e shenjtë thuhet shpesh se njeriun e zë loti i nënës, i fëmijës jetim dhe loti i njeriut që i është bërë një padrejtësi. Historia e Thethit e përmbledh këtë bashkësi lotësh, pasi aty është derdhur loti i një nëne që ka rritur fëmijët jetimë dhe loti i shumë burrave që po shohin mundin e një jetë të shkatërruar brenda një çasti.

Post Scriptum- Kryeministrin e zëntë Loti i Thethit!

Shpërndaje