Prokurorja Gjeli shkresë KLP-së: Deklaratat e Ramës diskriminuese dhe që cënojnë pavarësinë e hetimeve.

Pas kritikave të kryeministrit Edi Rama për mosnisjen e hetimeve për objektet e vendosura pa leje në Theth, ndonëse policia e kishte referuar çështjen, prokurorja Elsa Gjeli i është drejtuar me një shkresë KLP-së, duke i shprehur shqetësim për situatën e krijuar dhe duke kërkuar reagim nga ky institucion.

Në shkresën e saj, ajo thekson se do të mbrojë dinjitetin dhe pavarësinë e saj profesionale, të cilat, sipas saj, janë cenuar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur nga Kryeministri i Republikës, z. Edi Rama.

Shkresa e prokurores Elsa Gjeli

Paraqes këtë kërkesë zyrtare pranë institucionit tuaj, në mbrojtje të dinjitetit dhe pavarësisë sime profesionale, të cenuar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur nga Kryeministri i Republikës, z. Edi Rama.

Në datat 7-8 korrik 2025, Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, përmes konferencave publike, postimeve në rrjetet sociale (Facebook, Instagram etj.) dhe deklaratave për media, u shpreh në mënyrë të përsëritur dhe agresive në lidhje me këtë çështje, duke përmendur emrin tim personalisht dhe duke më akuzuar se:

• “Kam hedhur në kosh një krim të shumëfishtë”;
• “Jam përfaqësuese e drejtësisë që mbron shkatërrimin e pronës publike”;
• “Kam vepruar në mënyrë arbitrare dhe të dyshimtë”;
• “Duhet të mbaj përgjegjësi për vendimin tim” etj.

Këto deklarata janë bërë në kapacitetin e tij si Kryeministër, duke ndikuar në perceptimin publik, duke më ekspozuar ndaj një lincimi të pashembullt mediatik dhe duke minuar çdo kuptim të drejtësisë, si një sistem i ndarë nga pushteti ekzekutiv.

Ky qëndrim publik është:
• I paprecedentë në një shtet demokratik, ku pavarësia e magjistratëve është e garantuar me Kushtetutë;
• Personal, pasi godet një Prokuror të ri në detyrë, me eksperiencë të pastër, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm profesionalizmin tim, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur dhe logjike;
• Diskriminues, pasi synon të frikësojë përmes turpit publik dhe nënçmimit figurën e një Magjistrateje të re në shërbim të shtetit.

Presioni publik ndaj meje tejkalon çdo kritikë të lejuar politike dhe synon të më vendosë në shënjestër për arsye tërësisht të lidhura me vendimmarrjen time profesionale. Vlerësoj të rëndësishme ndër të tjera të ndalem në disa momente të lidhur jo vetëm me dinamikën e fundit të ngjarjeve, të cilat shkojnë përtej normales, por edhe të lidhur me karrierën time profesionale nga momenti i fillimit të detyrës, për të cilën jam betuar para Kushtetutës që do t’a mbroj me solemnitet deri në momentin final të ushtrimit të saj.

Kërkesat:
Në përfundim, në përputhje me kompetencat tuaja, lutem nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që:

• Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve;
• Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë;
• Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura.

Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional.

Shpërndaje