Shkrirja e AKU, maja e ajsbergut të regjimit totalitar ramist!

Ndërkohë që digjeshin plehrat në Elbasan, Rama mbante takim me fermerët sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Jo vetëm që nuk e preku krimin mjedisor që po konsumohej ditën për diell por ndër të tjera paska lëshuar një silurë propagandistike që mediat e pavarura pranë qeverisë, si me komandë, i dhanë zë tani mbasdite: do mbyllet AKU!

Në fakt, jo vetëm AKU por janë në total 16 agjensi dhe inspektoriate të cilat preken në mënyrën e organizimit; do kalojnë në varësinë e Inspektoriatit Qëndor. Kush nuk e di, është institucioni që aktualisht drejtohet nga Shkëlqim Hajdari, babai i Arbër Hajdarit, emër që po lakohet si kandidat i mundshëm i PS për Bashkinë Tiranë.

Referuar ligjit nr.99 datë 12.09.2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, AKU, IKMT, ISHSHT, ISHTI, ISHPSHSH, etj, do kenë varësi direkte nga Inspektoriati Qendror. Thënë ndryshe, me terma konkret: gjobat për ndërtimet pa leje, sigurinë në punë, cilësinë e ushqimeve, barnave në farmaci dhe produkteve kozmetike, ndotjen mjedisore, duhanin në lokale, kontrollin e ashensorëve, vinçave dhe mjeteve të rënda, operatorët turistik, pompat e karburanteve, shkelja e moratoriumeve, etj, do vlerësohen e vendosen nga Inspektoriati Qëndror.

Nuk duhet harruar fakti se ky organ qëndror, me këtë mbipushtet, varet nga Kryeministria dhe kreu i saj zgjidhet nga Kryeministri. Pra, përqëndrim i pastër i pushtetit në një dorë të vetme. Me këtë ligj, u hodh poshtë puna 30 vjeçare e partnerëve në decentralizimin dhe demokratizimin e pushtetit, modelit të trashëguar nga sistemi totalitar komunist. Regres i frikshëm! 30 vjet konferenca, seminare, ligje e vkm të hedhura në kosh!

Në fakt, ky nuk është sinjali i parë i kryeministrit që shfaq tendenca për përqëndrim pushteti. E nisi me blerjet e përqëndruara në ministri edhe për nevojat e institucioneve vartëse. Më pas, me sistemin e drejtësisë, ku me një vkm shkriu 18 gjykata, rrethesh e apeli, dhe e përqëndroi gjykimin në Tiranë.

Prandaj, djegia e plehrave në mjedis të hapur në Elbasan dhe lajmi se do të shkrijë AKU, kanë lidhje me njëra-tjetrën. Janë pjesë të puzzle-it të qeverisë Rama që krijojnë panoramën e plotë se si ai qeveris, ku 400 milion euro digjen njejtë me plehrat dhe nuk mban përgjegjësi. E nga ana tjetër, njofton shkrirjen e institucioneve dhe përqëndrimin e tyre tek vartësi që emëron vetë ai.

Shpërndaje