Në Shqipëri, pushteti është përpjekur ta ushtrojë forcën e tij autoritare pikërisht përmes forcës më të madhe politike të opozitës, herë duke e kontrolluar Partinë Demokratike dhe herë tjetër duke e shtyrë apo lënë atë të ecë në një rrugë të gabuar.
Kanë të drejtë të gjithë ata që rrudhin buzët dhe, bashkë me këtë rrudhje, e hedhin veten në kategorinë tashmë të njohur si “opozita e opozitës”. Kanë të drejtë sepse vendi ynë ende nuk ka trajtuar devijimet strukturore dhe kushtetuese që prej vitesh e mbajnë peng këtë shtet, duke refuzuar reformimin e një shteti klientelist, aspak neutral dhe aspak qytetar – një shtet që, në vend të monopartizmit të dikurshëm, na ofron sot politizimin e administratës, ku përveç disa të drejtash politike bazë, nuk garantohet asnjë prej lirive që sot i gëzon Europa dhe Perëndimi.
Kanë të drejtë, sepse është e pamohueshme që Edi Rama po qeveris në mënyrë autoritare dhe aspak transparente; sepse Partia Socialiste është shndërruar në një varrezë politike ku askush nuk flet; sepse krimi i organizuar ka penetruar në qeverisjen socialiste, duke krijuar një sistem politik, ekonomik dhe mediatik që prodhon zhvillim përjashtues dhe jo përfshirës – një zhvillim që pasuron një pakicë gjithnjë e më të ngushtë, ndërsa pjesa tjetër e qytetarëve e përjeton si varfërim material dhe shpirtëror. Kanë të drejtë sepse ata nuk e urrejnë Edi Ramën si fenomen politik. Nuk e urrejnë autoritarizmin e tij, as korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit të tij të mbyllur dhe të pakontrollueshëm, madje as mungesën e meritokracisë në sistemin politik që ai ka ndërtuar. Ata urrejnë Sali Berishën. Individin. Jo filozofinë e tij politike, por njeriun politik. Ndryshe, si mund të rreshtoheshin krah korrupsionit, arrogancës, organizatave kriminale dhe autoritarizmit të majtë?
Nëpërmjet ingranazheve të ndryshme politike, mediatike dhe ekonomike, Edi Rama po përpiqet të mbajë në lojë vetëm një çështje: largimin e Sali Berishës nga drejtimi i Partisë Demokratike. Në fakt, largimin e tij e përshëndesin edhe shumë anëtarë të kësaj partie – me atë logjikën që “le të ndodhë ç’të ndodhë, veç të largohet Berisha”. Por e vërteta është krejt ndryshe. Pasi më herët e kishin copëtuar Partinë Demokratike, pasi e kishin shpërbërë e lënë copë e çikë, Sali Berisha arriti, me një grusht njerëzish dhe përballë një trysnie të jashtëzakonshme politike e mediatike – përfshirë deklarata zyrtarësh vendas e të huaj, jashtë çdo norme normale politike apo ligjërimore – t’i mbledhë sërish pjesët e përçara dhe t’i bashkojë në një alternativë politike të vetme kundër regjimit të Edi Ramës.
Ia doli. Sali Berisha arriti të jetë kundërshtari i vetëm i Edi Ramës. Akuzuesi, sfiduesi dhe pretendenti kryesor për postin e kryeministrit, në moshën mbi 80-vjeçare. Dhe si për të mos mjaftuar kjo, ky njeri, në dekadën e nëntë të jetës, e detyroi Edi Ramën – njeriun që sot ka përqendruar më shumë pushtet në duar sesa Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha së bashku – të bashkëpunojë me krimin e organizuar vetëm për të ruajtur pushtetin. Njeriu që e zvogëloi shtetin për të rritur krimin, sot po investohet të godasë të vetmin njeri që ngriti opozitën. Por pa opozitë nuk ka as demokraci, as qeveri. Dhe për pasojë, as qeverisje. Edhe pse qeverisja e Edi Ramës na ka zënë brenda dhe po na asfikson.
Si mund të jemi të lirë, nëse ndodhemi nën sundimin e një elite të korruptuar, që çdo gjë e sheh si mall të tregut: partitë politike, ndërmarrjet publike, institucionet shtetërore – të gjitha, përpiqet t’i shfrytëzojë deri në pikën e fundit për të grabitur buxhetin e shtetit, territorin e vendit dhe burimet e tij, në këmbim të më shumë kohë për të thelluar kapjen e shtetit?
Ja ku jemi: dymbëdhjetë vjet më vonë, duke vënë në provë lirinë. Tani ka ardhur koha që të bindim veten se vendin tonë duhet ta çlirojmë nga kjo kapje. Dhe një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm përmes demokracisë – të vërtetës, të pakapurës – e cila duhet të përfshijë të gjithë vendin, me zgjedhje të lira, me një qeveri që do të forcojë institucionet demokratike dhe me krijimin e hapësirave të reja për qytetarët, të shtypur nga korrupsioni dhe arroganca e skajshme socialiste.
Në emër të Doktorit, nuk mund të justifikohet lufta kundër Doktorit.