Ligjvënësi demokrat, Tomorr Alizoti ka shprehur shqetësimin e forcës politike ku aderon, lidhur me situatën politike në Shqipëri, gjatë një takimi në Berlin të Gjermanisë.
Larg dekorit zyrtar dhe fjalorit të paketuar që nuk pasqyron realitetin, shkruan Tomorri në një status në rrjetet sociale, e vërteta është sa e thjeshtë, aq edhe e hidhur.
“Në Shqipëri nuk zhvillohen më zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vota blihet, kontrollohet dhe merret me presion’, shkruan Alizoti.
Si shembull domethënës të situatës së zgjedhjeve, është Elbasani, theksoi ndër të tjera deputeti demokrat, duke shtuar se qyteti është kthyer në laborator të deformimit të votës nga grupe kriminale.
Statusi i plotë:
Në një bisedë të zhvilluar sot në Berlin, ndava shqetësimin tim për situatën politike në Shqipëri, larg dekorit zyrtar dhe fjalorit të paketuar që nuk pasqyron realitetin.
E vërteta është e thjeshtë dhe e hidhur: në Shqipëri nuk zhvillohen më zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vota blihet, kontrollohet dhe merret me presion.
Përmenda Elbasanin si një shembull domethënës: një qytet me histori, por sot i kthyer në laborator të deformimit të votës nga grupe kriminale.
Problemi nuk është më thjesht korrupsioni, por mungesa e legjitimitetit.