PD do reformë të thellë elektorale, Bylykbashi: Sistem i ri zgjedhor që të garantojë barazinë e votës

Partia Demokratike kërkon realizimin e një reforme të re zgjedhore dhe një reforme të re territoriale. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi sqaron se reforma zgjedhore duhet të përfshijë patjetër një sistem të ri zgjedhor, pasi ndërhyrjet për procesin e votimit e numërimit nuk mjaftojnë për të garantuar zgjedhje të lira dhe barazinë e votës.

“Nevoja është therrëse minimalisht për reformën zgjedhore, brenda saj reformën e sistemit zgjedhor, dhe e lidhur ngushtësisht me këtë por edhe në funksion të qeverisjes së komuniteteve reformën territorial administrative”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi ka negociuar sistemin e vitit 2008, por ai vë në dukje se ndërhyrjet e bëra ndër vite, veçanërisht ato të vitit 2020 që u bënë nga PS pa konsensusin e opozitës e kanë shkatërruar atë.

“Që nga viti 2020, e përsëritur në vitin 2021, 2022, 2023, 2024, dhe tani në vitin 2025 kam thënë në mënyrë konsistente, ky system zgjedhor është paçavure, ky nuk ndreqet, është toksik për pluralizimin dhe partitë politike dhe për zgjedhësit”, tha Bylykbashi.

Nënkryetari i PD Oerd Bylykbashi ka rreth dy dekada që është pjesë e reforma zgjedhore në vend dhe sipas tij ligjet nuk mjaftojnë, duhet edhe vullneti politik. Si nënkryetar i PD por edhe si drejtues politik i qarkut të Durrësit, Bylykbashi deklaron se qeveria nuk ka vullnet të bëjë zgjedhje të lira dhe 11 maji e tregoi këtë.

“Është një process i cili mund t’i ngjajë zgjedhjeve, është një lloj votimi, shërben për të justifikuar më pas një mënyrë të caktuar qeverisje sic është ajo e Edi Ramës, korrupsion gjigant dhe sinergji me krimin e organizuar. Këto zgjedhje ishin një platformë e cila i shpalosi të dyja, përdorimin total të shtetit dhe bashkëpunimin me krimin. Për fat të keq dita e zgjedhjeve në Shqipëri, apo ditët para dhe menjëhrë pas zgjehdjeve janë ditët kur shqiptarët kuptojnë se sa shumë krim të organizuar ka”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi theksoi se PD do të vazhdojë betejën në KQZ e Kolegj Zgjedhor për pavlefshmërinë e zgjedhjeve nga njëra anë dhe nga ana tjetër do të vazhdojë përpjekjet për t’i treguar opinionit publik dhe faktorit ndërkombëtar se 11 maji ishte farsë elektorale./vizionplus.tv

Shpërndaje