Dje, pas 16 ditësh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, Ambasada Amerikane reagoi për herë të parë, shumë shkurt. Ishte vetëm një fjali por shkaktoi zhurmë të madhe!
Padiskutim, secila palë bëri leximin e saj. Partia Demokratike tregoi koherencë në atë çfarë ka deklaruar, se Edi Rama praktikisht është i izoluar nga administrata Trump, një “non gratë” më tepër faktike se sa e shkruar. Ndryshe nga kampi i PS, kryesisht nga vetë Edi Rama, që pretendon se gëzon mbështetjen amerikane pse rri me pantallona të shkurtra me Richard Grenell, nuk kishte entuziazëm për reagimin e Ambasadës Amerikane.
Pa dashur t’i futem krahasimit të deklaratave të mëparshme për vetë qeverinë Rama 1 dhe Rama 2, apo deklaratave të administratës aktuale për zgjedhje të mbajtura si në vënde me demokraci të konsoliduara (Gjermani, Australi) apo të vëndeve në zhvillim (Ekuador, Belize apo Trinidad dhe Tobago), deklarata e djeshme e Ambasadës Amerikanë në Shqipëri ishte goditje frontale ndaj qeverisë.
Për të kuptuar se si u prit kjo deklaratë nga kampi i qeverisë, një vëzhgim i mediave pranë pushtetit të japin panoramën më reale të atmosferës së atij grupimi. Në lajmet por dhe në analizat që përcjellin vihet re një rrotullim i gjuhës. Fakti që nuk përmendet qeveria i ka vënë në siklet dhe janë detyruar të dalin në argumente të tipit “Kur thotë Shqipëria, nënkupton qeverinë”, a thua se SHBA ka ndonjë siklet ndaj PD apo PS dhe i duhet të shprehet me nënkuptime! Dikush shkon edhe më tej, thotë se “çertifikuan zgjedhjet”, edhe pse në deklaratë nuk referohet asnjë aspekt parimor apo teknik i procesit zgjedhor.
Në morinë e propagandistëve të qeverisë, mentari dhe ai që mban më lart vijën e partisë është Mero Baze. Përgjithësisht, ai e hedh i pari tezën të cilën më pas e marrin dhe e shtjellojnë analistët e pavarur të banaqeve televizive. Sipas Meros, “Deklarata të tilla janë shfaqje të identitetit të ri të SHBA nën udhëheqjen e Trump”. Pra, sipas Meros, administrata e re e ka me të gjithë këtë gjuhë të ftohtë dhe jo vetëm me Ramën. Në fakt, kjo tezë bie pasi siç thamë më lart, për shtete të tjera ka patur reagim e urim konkret ndaj fituesit të zgjedhjeve.
Ajo çfarë bie në sy në shkrimin e Mero Bazes është fakti se pohon mungesën e preferencës politike ndaj Partisë Socialiste. Por, që lapsi të mos ishte shumë i trashë sepse jepte efekte të padëshiruara në rradhët e PS, ka futur tek “mungesa e preferencës politike” edhe Partinë Demokratike.
Gjithsesi, tej çdo argumenti periferik, që nuk ka asnjë lidhje me faktin e mungesës së përmendjes së qeverisë, Mero Baze na dha një lajm: Edi Rama nuk e kalon dot oqeanin. Kjo sepse ai dhe Partia Socialiste nuk gëzojnë suportin amerikan, apo siç ishte përshkruar në shkrim: mungesë e preferencës politike.
Mungesa e entuziazmit në rradhët e PS flet shumë se çdo gjë tjetër duke hedhur poshtë çdo lexim se cilën palë goditi dhe cilën suportoi Ambasada Amerikane me deklaratën e djeshme për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Më poshtë, pjesë nga shkrimi i Mero Bazes:
“Për fatin e Shqipërisë, SHBA konfirmoi vazhdimin e partneritetit me Shqipërinë, duke uruar zgjedhjen e Parlamentit të ri dhe duke konfirmuar kështu edhe identitetin e ri politik të SHBA-së nën udhëheqjen e Trump-it, si dhe njohjen dhe mbështetjen për pushtetin e ri në Shqipëri.
Dhe kjo është më e rëndësishme sesa preferencat politike për parti të veçanta në Shqipëri, të cilat për fat nuk i ka.”