Realiteti i çmendur në të cilin po jetojmë!

Nga Besart Logu

Gjatë gjithë fushatës e sidomos tani në periudhën postzgjedhore, opozita ka denoncuar e po denoncon me fakte e prova manipulimin dhe kriminalizimin e zgjedhjeve parlamentare çka e kanë kthyer 11 majin në një masakër zgjedhore.

Nga ana tjetër, vetë qeveria është e tërhequr por ka aktivizuar analistët e pavarur pranë saj duke kërkuar largimin e Sali Berishës nga drejtimi i PD dhe ngrenë si shqetësim moszbatimin e nenit 46 të Statutit të PD, siç njihet ndryshe “Neni Basha”.

Për të kuptuar se për çfarë po flasin palët, vlenë të kujtojmë një fakt; që në vitin e parë të fakultetit, studentët e drejtësisë mësojnë se: “Ligji është një sistem rregullash dhe normash shoqërore që duhet të ndiqen nga shtetasit e një vendi. Ligjet vendosen dhe garantohen nga institucionet të cilat janë edhe vetë të detyruara ti zbatojnë ato.”

Nga përkufizimi i mësipërm kuptojmë se ligji është një rregullim i sjelljes njerëzore që garanton një shoqëri demokratike, funksionale dhe në paqe sociale ku i jepet mundësia gjithësecilit të gëzojë në rradhë të parë të drejtat themelore dhe më pas çdo të mirë materiale të fituar nga veprimtaria e tij e përditshme. Por, që të arrihet kjo nuk mjafton vetëm vullneti individual i anëtarëve të shoqërisë. Janë institucionet ato që jo vetëm i zbatojnë këto norma por edhe mundësojnë garantimin e tyre duke bërë rojtaren e ligjit.

Për t’u kthyer në aktualitet, institucionet qendrore e vendore si dhe çdo agjensi tjetër shtetërore u investuan hapur dhe me të gjitha kapacitetet e tyre në favorizimin e kandidatëve të Partisë Socialiste në garën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Se sa ka qenë përfshirja e autoriteteve shtetërore në fushatën elektorale dhe se çfarë situate kundërligjshmërie kanë krijuar ato vlenë të rikujtojmë hierarkinë e normave juridike. Nisur nga rëndësia dhe fusha e zbatimit ato rënditen:

1. Kushtetuta
2. Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara
3. Kodet
4. Ligjet
5. VKM
6. Urdhërat, udhëzimet dhe çdo akt tjetër nënligjor.

Kështu, nga monitorimi dhe denoncimi me fakte e prova rezulton se institucionet shtetërore, nën urdhërat politik të Edi Ramës, kanë shkelur një sërë normash të pothuaj gjithë hierarkisë që parashtruam. Kështu, nga veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve të çdo niveli rezulton se janë shkelur këto norma:

▪︎ Kushtetuta: neni 1 pika 3, neni 2 pika 1, neni 35 pika 2, neni 36, neni 45 pika 4.
▪︎ Kodi Penal: neni 326 paragrafi i parë, 327/a paragrafi i parë, neni 328, neni 328/a, neni 331/a paragrafi i parë, neni 332/a.
▪︎ Kodi Zgjedhor: neni 91
▪︎ Ligji për nëpunësin civil: neni 37.

Këto vetëm nga një vëzhgim i përgjithshëm i deklaratave të Partisë Demokratike sepse në kushtet e një hetimi të plotë e të thelluar padiskutim që situata është edhe më e rëndë.

E kuptoni tani se në çfarë kushtesh paligjshmërie ndodhet Partia Socialiste ndërkohë mediat e pavarura pranë pushtetit ngrenë shqetësim zbatimin e nenit 46 të Statutit të PD!!! Nen i cili ka si fushë zbatimi vetëm organet dhe anëtarësinë e Partisë Demokratike.

Pra, kaosi social i shkaktuar nga kundërligjshmëria e Partisë Socialiste zhbëhet duke u marrë me çështjet e brëndshme të Partisë Demokratike. Nivel i frikshëm pafytyrësie dhe debat shterpë të cilin demokratët duhet t’a refuzojnë!

Shpërndaje