Berisha: Do i shpallim terroristë elektoralë bandat bashkëpunëtore në blerje votash!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në ‘Çim Peka LIVE’ se sondazhet online tregojnë fitoren e opozitës ndaj Partisë Socialiste. Ai u shpreh se këtyre sondazheve u beson, ndryshe nga ato që, kontrollohen nga Edi Rama përmes lejeve të ndërtimit dhe ndikimeve të tjera.

Berisha theksoi se rezoluta për zgjedhjet synon mbrojtjen e votës dhe dokumenton format e blerjes së saj, nga lekët te kanabisi dhe punësimet. Ai deklaroi se PD ka mbi 100 dokumente provash për manipulimet zgjedhore.

Berisha akuzoi Ramën për lidhje me banda si ajo e Pëllumb Gjokës dhe Bajrave, që përdoren për të kërcënuar votuesit. Ai tha se këta persona do të shpallen “terroristë elektoralë”.

Pjesë nga intervista: 

Sondazhet që unë besoj na nxjerrin ne në krye të të gjitha forcave politike, dhe këto janë sondazhet online, në këto sondazhe ne jemi me distancë nga Partia Socialiste.

Jo vetëm në media, ka edhe më të thella.

Unë nuk them sesa, por sondazhet që bëhen dhe kontrollohen nga Edi Rama me leje ndërtimi, dhe me mënyra të tjera, unë nuk mund t’u besoj.

Sondazhet online u treguan të vërteta në rastin e Trump në vitin 2016, kjo është e vërteta, në 2016.

Ne, them që kemi bërë një punë jashtëzakonisht serioze për mbrojtjen e votës, se gjithmonë ka qenë themelore ajo.

Pyetja që më shtrojnë mua, si do e mbrosh votën a do e mbrosh votën?

Por 2 gjëra janë bërë: e para, kjo rezolutë është për këto zgjedhje, kjo rezolutë është për integritetin e procesit elektoral, është titulli i saj, dhe i kushtohet pikërisht këtyre zgjedhjeve.

Për shembull ka këtu, blerja e votës nga një seri faktorësh: blerja e votës me lekë, blerja e votës me kanabis, blerja e votës me punësime, blerja e votës me prokurime, blerja e të drejtës së votës.

Që të gjitha këto, janë në këtë rezolutë dhe janë për këto zgjedhje. Sepse ne kemi dokumenta.

Nuk shkruheshin këto kurrë po të mos jenë me fakte. Kemi ne fakte.

Ne, sa për dijeni, para 3 javësh kemi pasur mbi 100 dokumente të të gjitha llojeve dhe janë shtuar tani, nuk e di sa është numri.

Rezolutat kanë një komitet, para se të vijnë në seancë plenare ato shqyrtohen me lupë në komitet.

Një gjë të them unë ty, Rama është në thyerje qafe. E sigurt.

Unë nuk e ndaloj dot Ramën, të ndërsejë Pëllumb Gjokën dhe të aktivizojë bandën e tij në Velipojë, por unë faktoj këtë.

Unë nuk e ndaloj Ramën të transferojë Bajrat në burgun e Reçit dhe t’i pajisë me telefon për të komanduar, por unë i denoncoj ata dhe i faktoj.

Unë nuk e ndaloj për Visin e Troplinëve, që të bëjë gjithçka bashkë me Ergys Agacin, të kapë njerëz të tanë, t’i kërcënojë e t’i bëjë, nuk i ndaloj unë ata por ne i dokumentojmë fort.

Dhe ne absolutisht do bëjmë gjithçka që ata të shpallen terroristë bashkë me Gysin, terroristë elektoralë.

Ne jemi në një betejë më serioze të jetës sonë për votën e shqiptarëve, dhe do e fitojmë.

Do fitojmë zgjedhjet, do fitojmë të drejtën, se në zgjedhje të lira Edi Rama s’fiton kurrë.

E kapën shoferin e Taulant Ballës, e bënë copa, shoferi i Taulant Ballës refuzonte të mbledhte vota për Sara Milan, mbledhte për një tjetër.

Shpërndaje