Përfaqësuesi ligjor i PD, Franc Nuri ka konfirmuar problematika të shumta, lidhur me materialet zgjedhore që po u dërgohen votuesve në diasporë, që sipas tij kanë raportuar shqetësimet.
I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv përmes një lidhje me skype, Nuri tha se rastet e raportuara nuk janë sporadike, por se ato po ndodhin në masivitet, duke shtuar se shqetësimet po adresohen nga ana e PD.
Sipas Nurit, problematikat janë konstatuar edhe nga kampi socialist, pavarësisht se nuk i kanë bërë publike.
Ndër të tjera Nuri theksoi se të gjitha shqetësimet dhe problematikat po administrohen dhe po u përcillen autoriteteve përgjegjëse, KQZ dhe OSBE-ODIHR.
Nuri garantoi shqiptarët në diasporë që të mos kenë dyshime për votën e tyre, pasi ajo është e sigurt dhe se ato do të numërohen pas përmbylljes së procesit të votimit më 11 maj.
Pjesë nga fjala:
Këto shqetësime si kanë dhe subjekte të tjera. Edhe PS ka probleme me zgjedhësit e saj, ndoshta s’i kanë bërë publike. Kanë probleme të shumta me shpërndarjen e materialeve zgjedhore përmes shërbimit postar, DHL.
S’mund të jenë gabime sporadike, janë në një masë të konsiderueshme. Ne po i administrojmë, po i mbledhim dhe i përcjellim te KQZ dhe OSBE-ODIHR këto problematika për çdo emigrant në diasporë që na ka kontaktuar.
Janë të vërteta rastet që na kanë ardhur. U kanë shkuar 2 fletë votimi, apo zarfet kanë shkuar pa fletë votimi. Rasti i fundit, i kanë shkuar të gjitha materialet e s’i ka shkuar zarfi i kthimit. Ka problematika të shumëllojshme. Po përpiqemi t’i adresojmë sa kemi mundësi.
Kërkoj të mos kenë dyshim e frikë për votën e tyre.
Është e sigurt, kemi çuar njerëzit tanë në parkun Olimpik ku do të numërohen më 11 maj fletët e votimit. Kemi qenë i vetmi subjekt që kemi ruajtur materialet. Madje vetë DHL, na kanë thanë largohuni, se po na bezdisni.