Barometri Euronews Albania ka zhvilluar matjen e radhës zgjedhore , sipas së cilës Edi Rama, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj janë renditur si politikanët që pëlqehen më shumë 1 muaj përpara zgjedhjeve në Shqipëri.
Kjo renditje ka nxitur reagimin e ekspertit të rrjeteve sociale, Blerim Gjeladini, i cili përmes një postimi e cilëson sondazhin absurd dhe ofendim për publikun.
Ai ka renditur argumentet se si matja s’është reale, por grafiku është vetëm propagandë.
Statusi i plotë:
“Ky s’është sondazh, ky është një Excel me ngjyra!
Të pretendosh se po mat “pëlqyeshmërinë” e politikanëve shqiptarë dhe të publikosh këtë nivel absurditeti, është ofendim për inteligjencën e publikut.
E ftojmë publikisht Barometrin dhe Euronews Albania të tregojnë:
• Si është bërë matja?
• Cili është kampioni?
• Si e matet “nuk e di” në të njëjtën pyetje ku ofrohen opsione të njohura?
• Dhe mbi të gjitha: Ku është transparenca për sistemin që përdorni?!
Sepse shifrat nuk kanë sens as logjik as matematikor:
• Politikanë që s’i njeh askush dalin me % të lartë negativiteti?!
• Të njëjtit emra kanë % që “nuk e njohin” por janë ndër më të “pëlqyerit”?
Për njërin nga ta, 22% e të anketuarve kanë mendim negativ
Nëse kampioni ka qenë 3000 veta, atëherë 660 persona kanë dhënë opinion negativ
Por prit pak…
Si mund të kesh mendim negativ për dikë që nuk e njeh?!
Që të japësh mendim — pozitiv apo negativ — duhet ta njohësh më parë personin.
Nëse 660 veta kanë mendim për dikë që publiku s’e njeh fare, atëherë:
O është ngatërruar fokus grupi,
O është ngatërruar gjithë sondazhi.
Kur matja s’është reale, grafiku është vetëm propagandë!
Në rrjete sociale, reagimet janë krejt ndryshe: njerëzit nuk e pranojnë më këtë model të matjes së opinionit si “shkencor”. Dhe me të drejtë: kur e sajon sondazhin, e sajon dhe rezultatin.
Mjaft më me pseudo-sondazhe. Matjet s’bëhen me Excel dhe ngjyra, por me metodologji shkencore, transparente dhe të pavarur”, shkruan eksperti Gjeladini.