Ditën e sotme, Kryetari i Partisë Demokratike, z.Sali Berisha, ka prezantuar për qytetarët programin e PD për rendin dhe sigurinë, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm.
Gjatë këtij prezantimit, Drejtuesi i “Departamentit të Sigurisë” në PD, Avenir Peka, theksoi se ky program ka si qëllim të sigurojë rendin dhe sigurinë në vend, duke krijuar premisat e nevojshme për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë.
“Në 12 vitet e qeverisjes së PS-së, një nga pikat kryesore që ka shfaqur probleme është rendi dhe siguria publike, fuqizimi i grupeve kriminale, vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe penetrimi i këtyre bandave në institucionet e sigurisë dhe në politikë.’- u shpreh ai.

Z.Peka u shpreh se rendi dhe siguria, si një ndër prioritetet kryesore të programit, janë të pandashme nga funksionimi i duhur i shtetit dhe ecuria e politikave të tjera, duke i dhënë rëndësi të veçantë luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucione.
Avenir Peka:
Rendi dhe siguria, jo pa qëllim, janë lënë në fund, pasi të gjitha pikat e programit të PD-së nuk kanë asnjë kuptim nëse në Shqipëri nuk krijohet një infrastrukturë e rendit dhe e sigurisë, e cila do të mundësonte realizimin e qeverisjes dhe të programit të PD-së.
Programi është i organizuar në disa pika që konsistojnë në krijimin e një vendi që siguron rendin dhe sigurinë publike si premisë kryesore për zhvillimin e mëtejshëm social dhe ekonomik.
Në 12 vitet e qeverisjes së PS-së, një nga pikat kryesore që ka shfaqur probleme është rendi dhe siguria publike, fuqizimi i grupeve kriminale, vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe penetrimi i këtyre bandave në institucionet e sigurisë dhe në politikë. Kemi parë gjatë këtyre viteve përfshirjen e ministrave në kultivimin dhe promovimin e trafikimit të drogës. Kemi parë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit të implikuar drejtpërdrejt me bandat kriminale, të sponsorizuar nga këto grupe dhe të përfshirë në lëndët narkotike dhe pastrimin e parave.

Në këtë aspekt, elementi i parë që duhet të shtjellojmë sot është fakti se nuk mund të arrijmë nivelet e kërkuara nga shoqëria për pastrimin e Shqipërisë nga aktivitetet e paligjshme nëse nuk pastrojmë shtëpinë tonë. Pastrimi fillon nga Policia e Shtetit dhe nga institucionet e tjera të sigurisë, të cilat janë të lidhura me sigurinë e brendshme dhe luftën kundër krimit të organizuar.