Kreu i PD Sali Berisha zhvilloi gjatë ditës së sotme një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për të urura festen e Fiter Bajrami.
Fjala e z.Berisha:
Erdha për të uruar Fiter Bajramin, kreut të KMSH zotit Spahiu, bashkëpunëtorëve te tij dhe me këtë rast të gjithë besimtarëve myslimane që kanë agjëruar por edhe të gjithë besimtarëve të Zotit. Këtë ditë të nderimit, të përkushtimit, sakrificës së njeriut ndaj të madhit zot, vlerave hyjnore më të mira. Shfrytëzova rastin për tu zotuar para kreut të KMSH z.Spahiu dhe të gjithë shqiptarëve se pas 11 majit nga vendimet e para do jetë dyfishimi i fondit për komunitetet fetare. Fond i cili është i domosdoshëm dhe u takon plotësisht.
Sikundër një përpjekje madhore do të bëhet për rikthimin e pronave të tyre ose kompensimin mbasi pronat e komuniteteve fetare janë pronat më të plaçkitura në Shqipëri.
Së treti unë garantoj dhe e garantova edhe kreun e KMSH, besimtarët myslimanë, se falja ditën e premte do të percaktohet në ligj dhe në orar dhe çdo besimtar mysliman që dëshiron të kryejë detyrën e tij me falje në xhami do të ketë kohën e dhënë për këtë destinacion. Pra nuk do mund të bëhet me orari zyrtar pengesë që njerëzit të falin të premten që është dita për myslimanët. Dhe kjo nuk është lehtësi por është detyrim dhe do të vendoset menjëherë pas 11 majit.
Nuk mund të mos e theksoj se trashëgimia jonë më e shkëlqyer është toleranca fetare. Dhe unë shpreh admirimin tim më të thellë për udhëheqësit e komuniteteve fetare dhe të gjithë klerikët shqiptarë për punën e tyre për urtësinë dhe mençurinë e tyre në konsolidimin dhe zhvillimin më tej të kësaj trashëgimie të shkëlqyer. Është një ditë nderimi për të gjithë ata që agjëruan, por edhe për të gjithë ata që sakrifikojnë çdo ditë në shërbim të Zotit dhe vlerave hyjnore.