Raporti Botëror i Lumturisë për vitin 2024, për të 7-in vit radhazi, ka rënditur Finlandën si vendi i parë më i lumtur në botë. Raporti mat mbështetjen sociale, të ardhurat, shëndetin, lirinë, bujarinë dhe mungesën e korrupsionit për të përcaktuar lumturinë kombëtare të një vendi.
Referuar këtij studimi, Shqipëria renditet në vendin e 87 sa i përket lumturisë, duke rënë 5 vende në krahasim me vitin 2023 kur ishte në vendin e 83-të të listës. Sa i takon grupmoshave, Shqipëria deri në moshën 30 vjeç ka një përmirësim duke kaluar në vendin e 66-të, krahasuar me një vit më parë ku renditej e 80-ta, ndërsa për moshat 60 vjeç e lart indeksi e liston vendin tonë të 100-in.
Vendet nordike kryesojnë listën si vendet më të lumtura. Sipas raportit, Norvegjia, Suedia, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja janë vende ku të moshuarit tani janë dukshëm më të lumtur se të rinjtë, ndërsa Portugalia dhe Greqia tregojnë të kundërtën, rinia është më e lumtur në krahasim me moshën e tretë.
Raporti bazohet në të dhënat e sondazheve globale nga njerëz në më shumë se 140 vende, bazuar në përgjigjet dhe vlerësimet e qytetarëve të vendeve në lidhje me jetën e tyre dhe emocionet pozitive dhe negative që ata përjetojnë. Vendet renditen sipas lumturisë bazuar në vlerësimet mesatare të jetës së tyre gjatë tre viteve të mëparshme, në këtë rast 2021-2023.
20 vendet më të lumtura në botë në vitin 2024
1. Finlanda
2. Danimarka
3. Islanda
4. Suedia
5. Izraeli
6. Holanda
7. Norvegjia
8. Luksemburgu
9. Zvicra
10. Australi
11. Zelanda e Re
12. Kosta Rika
13. Kuvajti
14. Austri
15. Kanada
16. Belgjika
17. Irlanda
18. Çekia
19. Lituani
20. Mbretëria e Bashkuar