Premtimet e Ramës në fushatë|Lela: Mashtrime të qëllimshme për të fshehur dështimet e qeverisë.

Drejtori i Komunikimit në PD, Alfred Lela, nga studioja e “Kafe Shqeto”, tha se premtimet e kryeministrit Edi Rama për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe për ofrimin e ujit të pijshëm 24 orë për qytetarët shqiptarë janë thjesht mashtrime dhe iluzione.

Lela theksoi se këto premtime janë provuar të jenë të pavërteta dhe sipas tij, nuk mund të besohen nga asnjë shqiptar, pasi Rama ka gënjyer vazhdimisht.

Ai akuzoi Ramën për një fushatë mashtrimi që ka zgjatur më shumë se një dekadë, duke theksuar se shqiptarët e dinë mirë se premtimet e tij për përmirësimin e kushteve të jetesës, përfshirë ujit të pijshëm dhe shëndetësinë falas, janë mbetur të pambajtura.

Në këtë kuadër, Lela theksoi se qëndrimi i Ramës në pushtet për 12 vjet ka pasur pasoja të thella për vendin, duke e lënë Shqipërinë me premtime të pambajtura dhe me një të ardhme të paqartë.

Lela gjithashtu e quajti të pabazuar edhe përpjekjen e Ramës për të shfrytëzuar si arritje një mundësi që shqiptarët tashmë e kanë, siç është lëvizja e lirë në Bashkimin Europian.

Alfred Lela:

“Nuk kishin ndonjë iluzion premtimet e Ramës, edhe në lidhje me Europën apo me ujin e pijshëm 24 orë në Shqipëri, shëndetësinë falas etj.

Janë provuar se janë false, kështu që nuk mendoj se gënjeshtra në gojën e një njeriu që gënjen vazhdimisht, nuk është se surprizon njeri kur përgënjeshtrohet.

Është e thjeshtë se përse ai ka dalë në dorë me pasaportë. Para 4 vitesh ishte me tepsi e me dajre, tani ka pasaportë.

Të gjitha këto orkestrat me dajre dhe pa bereqet e kryeministrit që nga 2013, kuptohen lehtësisht pas 12 vitesh, kur premtimet janë të pambajtura, kur nuk ke program e platformë, ti do dalësh të flasësh për të ardhmen, që janë shumë larg dhe për të cilat ti nuk ke asnjë garanci si person, por e di që edhe populli dhe elektorati i audiencës nuk ka ndonjë garanci.

Mungesa e programit është lehtësisht e lexueshme, mungesa e ofertës të 12 viteve e bëjnë Ramën të ketë një ofertë në fantashkencë.

Ndërkohë që një kryeministër i cili ka qeverisur 12 vite duhet t’i kishte duar plot për t’u thënë shqiptarëve se këto janë gjërat që unë kam bërë.

Unë dje po shihja një video për ujin e pijshëm, se si e ka premtuar se si Shqipëria e shqiptarët do kenë ujin e pijshëm 24 orë, dhe e ka premtuar në 2013/2017/2021 dhe e premton sërish në 2025.

Kështu që shqiptarët e dinë kur ka ujë, kush ka ujë e kush nuk ka dhe e njëjta gjë vlen edhe për pasaportën.

Shqipëria, meqë jemi këtu te lëvizja e lirë, shqiptarët e kanë pasaportën e tyre, lëvizin sot lirshëm në BE, pra e kanë këtë pasaportë dhe nuk e kanë prej Ramës, kështu që edhe këtë ofertë e ka gënjeshtër ende pa filluar.

Shqiptarët lëvizin të lirë, por jo prej qeverisë së tij, shkurt, kjo nuk duhet parë më shumë as më pak se gënjeshtra e radhës e tij, përpjekja për t’i hedhur hi syve elektoratit për të fshehur të pabërat me një fantashkencë që ju refuzua”.

Shpërndaje