Fushata negativiste dhe standartet mbi të cilat po gjykohen listat e PD/PS.

Nga Besart Logu

Publikimi i listave të partive konkuruese për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, nuk kaluan pa diskutim e komente. Analizat e të pavarurve të tipit nga ato që dalin në përgjimet e Veliajt apo nga ata që futen në listën e kandidatëve të PS, si çdo herë tjetër, gjykuan me dy standarte.

Propaganda qeveritare e ka shpalosur tashmë taktikën zgjedhore, fushatë negativiste për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike. E në kuadër të kësaj fryme, u pa një gjykim “copy paste” i shtrirë në mënyrë horizontale në çdo banak televizik e lajm portalesh.

▪︎ Pretendohet se lista e PD është një listë e mbushur me besnikë të Berishës. Veçse harrojnë se lista e PS jo vetëm që në 100% të saj janë besnikë por konkurojnë mes tyre në masën e besnikërisë ndaj kryetarit. Këtu kam parasysh garën mes Elisa Spiropalit dhe Ilva Gjuzit se kush ia qanë hallin më shumë Ramës në lodhjen që i vjen nga shërbimit ndaj qytetarëve.

▪︎ Të vjetrit e PD. Ngrenë pretendime se ka emra të cilët duhen larguar pasi janë të konsumuar. Ndërsa të vjetrit e listës së PS i cilësojnë si “senatorët” që mbledhin vota. Pra, “të vjetrit” e PD që dinë rradhën e organizimit të strukrurave dhe nxjerrjen e maksimumit prej tyre nuk u dashkan në listë sepse janë konsumuar. Sipas analizave të tipit “Iris Luarasi” apo “Julian Zyla” figurat e opozitës janë konsumuar pa pasur asnjë ditë pushtet ndërsa ato të PS, me skandale të njëpasnjëshme, janë vagonët që mbledhin vota. P.sh. Gjiknuri, Balla, Nikolla and co, as nuk janë të vjetër dhe as nuk janë të konsumuar, madje mbushin kutitë me vota.

▪︎ Të rinjtë e listave. Dukshëm mes të rinjve të PD dhe atyre të PS ka një dallim esencial. Integriteti politik e njerëzor i Elda Hotit, Denisa Vatës, Andia Ullirit, Klodiana Çapjas, Tedi Koplikut, Grigels Muçollarit, Lisandër Hoxhës, etj, nuk ka të krahasuar me petalet e Partisë Socialiste që pa asnjë kontribut e jetë partiake, kulturë e formim se si funksionon shteti, katapultohen në listat për deputet. Kjo tregon jo vetëm mungesën e sistemit meritokratik në PS por edhe papërgjegjshmërinë e kësaj force politike se çfarë ligjvënësish po fut në Parlament.

▪︎ Procesi i primareve. Debati i mungesës të garës së brëndshme në PS, bën që të goditet procesi i primareve me qëllim relativizimin e tyre dhe demotivimin e anëtarësisë. Në fakt, listat flasin krejt ndryshe. Përveç qarkut Kukës dhe Gjirokastër, për shkak të numrit të vogël të mandateve, në dhjetë qarqet tjera ka në listën e mbyllur kryesuesit e primareve. Pra, gara, angazhimi dhe vota e anëtarësisë është vlerësuar nga Kryesia e PD dhe sot ata ndihen të përfaqësuar me kandidatin e tyre.

▪︎ Qokat e partisë. Kësaj rradhe, në listat e PS u vu re një fenomen; Edi Rama shpërbleu të pavarurit që kanë shkëlqyer në dezinformimin e opinionit publik si Iris Luarasi dhe Julian Zylaj apo të shërbimit ekselent e me devotshmëri në kapjen e gjyqësorit përmes organeve të vetingut si ish komisioneri i KPK Olsi Komiçi. Të tilla qokash nuk gjenë në listën e PD, edhe pse për hir të së vërtetës pak analistë kanë qenë që kanë shërbyer për bashkimin dhe forcimin e PD. Koha provoi se shqiptarët janë gënjyer masivisht për institucione të pavarura e sidomos për zhvillimet e brëndshme në PD.

Këto ishin shtyllat kryesore të analizës që fushata negativiste e Rilindjes ngriti për listat e PD dhe PS. Duket se, deformimi i realitetit, në fshehjen e të vërtetave që zbardhen përmes leximit të listave, do ta shoqërojë të gjithë periudhën zgjedhore. Mbrëmë u hodhën themelet përmes propagandës qeveritare se “lista e PD është e dobët dhe jo fituese sepse Berisha mendon për opozitën”. Pra rast unikal në botë, kreu i opozitës nuk don të vijë në pushtet! Kulmi i shfrenimit të fantazisë, që nga ana tjetër shfaq një anë të errët të PS; pamundësinë e prezantimit të punëve të saj gjatë 12 viteve qeverisje si dhe mungesën e vullnetit për të marrë përsipër përgjegjësi në katër vitet e ardhshme.

Shpërndaje