Turi i Diasporës|Noka nga Hamburgu: Emigrantët do të jenë prioritet i qeverisjes së PD.

Partia Demokratike ka zhvilluar takim me shqiptarët në Hamburg.

Në një sallë të mbushur plot, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, deputeti Tomor Alizoti dhe anëtari i kryesisë, Belind Këlliçi shprehën mirënjohje për shqiptarët që mbështesin PD.

Gjatë fjalës së mbajtur në takim, Noka u shpreh se për qeverisjen e PD-së dhe Sali Berishës, diaspora do të jetë një prioritet, duke i ofruar ndihmë.

Sekretari i Përgjithshëm tha gjithashtu, se me qeverisjen e PD do të vendoset edhe karta e konsumatorit, që do të rimbursojë TVSH e produkteve të shportës.

Pjesë nga fjala e Flamur Nokës:

Ne e dimë shumë mirë, se jeta e pensionistëve, prindërve në Shqipëri po të ishte lënë në duart e barbarëve, pa mbështetjen tuaj do të kishte qenë një ferr i vërtetë për ta.

Shqipëria jo vetëm vidhet e plaçkitet prej 12 vitesh, nga qeveria më e inkriminuar dhe e korruptuar në kontinent, por Shqipëria dhe ju keni nevojë për një qeverisje të denjë, që zhvillon dhe prosperon vendin.

Ju keni nevojë për një qeveri që ka prioritet shqiptarët dhe hallet e tyre, e jo plaçkitjen e tyre. E tillë do të jetë qeverisja e PD dhe Sali Berishës pas 11 majit.

Shqipëria, ju keni nevojë për një forcë politike që ka një program në qendër të të cilit është qytetari dhe Shqipëria dhe jo patronazhistët e rilindjes. Në programin e PD do ta gjejë veten çdo shqiptar, pensionisti, gjimnazisti, studenti, mjeku, artisti, arsimtari, fermeri dhe peshkatari i papuni dhe i vetëpunësuari.

Ne kemi një paketë emergjence që do ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Ne kemi vendosur që Shqipëria të ketë një minimum jetik ndën të cilit nuk duhet të jetojë asnjë njeri, qoftë i papunë, me ndihmë ekonomike, apo pensionist.

200 euro minimumi jetik për çdo shqiptar që të mos ketë kush nevojë që të ju fusë ju në sakrificë për ti mbajtur ata. Detyra është e qeverisë që të përballojë shpenzimet e familjeve dhe familjarëve tuaj. Nuk do të ketë në Shqipëri, nën qeverisjen e PD dhe Sali Berishës, rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do të ketë rrogë mesatare nën 1200 euro.

Do të rikthejmë fuqishëm subvencionet në bujqësi, që fermeri shqiptar të mos ndihet i braktisur. Që të mos ndihet i vjedhur siç ndjehet sot. Nuk do të kemi kemi në qeverinë tonë, Frida Krifca që vjedh taksat e shqiptarëve dhe europianëve.

Qeveria e PD dhe Sali Berisha do të risjellë taksën e sheshtë, që sjell zhvillim, mirëqenie dhe ekonomi për familjet shqiptare, për familjet shqiptare në atdheun tonë.

Qeveria e PD dhe Sali Berisha do të vendosë kartën e konsumatorit, që do ti rimbursojë çdo familjari TVSH-në që paguan për artikujt e shportës.

Qeveria e PD do të jetë një qeverisje për të gjithë shqiptarët.

Për shqiptarët në diasporë do të vendosim se, nëse çdo njëri prej jush do të kthehet në Shqipëri për të bërë biznes, për 5 vite nuk do të taksoheni.

Do të vendosim dhe do të rikthejmë ambasadat në shërbim, sepse sot ambasadat këtu në Gjermani dhe në çdo vend janë kthyer në një ferr për çdo shqiptar që ka hall e troket në dyert e tyre.

Ne do ta heqim këtë farë të keqe që janë kthyer në përçarës të shqiptarëve dhe këtë rol po luajnë ambasadat shqiptare në këto kohë. Kjo kohë do të marrë fund. Ambasadat do të jenë të mbushura me shërbëtorë për ju.

Diaspora do të jetë prioriteti jonë absolut, sepse 1.7 milionë shqiptarë jetojnë në Shqipëri, 2.2 mln shqiptarë janë të shpërndarë në diasporë në të gjithë botën.

Për 2.2 mln shqiptarët në mbarë botën ka zero përkujdesje, trajtim. Kjo do të marrë fund, diaspora do të jetë prioritet i qeverisjes së Sali Berishës dhe PD-së.

 

Shpërndaje