Ditët e fundit prokurorët e SPAK kanë qenë nën trysninë e deklaratave politike dhe mediatike.
Marrë shkas nga kjo ka reaguar Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ku në njoftimin zyrtar thuhet se duhet të behet kujdes me shkrimet nga mediat pas ato mund të ndikojnë negativisht në integritetin dhe pavarësinë e prokurorëve.
Në deklaratën zyrtare, KLP thekson se i bashkohet qëndrimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) në mbështetje të të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, duke dënuar çdo përpjekje për të cenuar paanshmërinë dhe besueshmërinë e sistemit të drejtësisë.
Sipas KLP, përdorimi i etiketimeve dhe vlerësimeve të njëanshme, pa një analizë të kujdesshme dhe objektive, nuk është në përputhje me parimet e gazetarisë profesionale dhe devijon nga raportimi i paanshëm dhe i balancuar.
“Këto praktika jo vetëm që ndikojnë në informimin e publikut, por gjithashtu dëmtojnë besimin e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë.
Drejtësia e pavarur dhe profesionale duhet të prevalojë në çdo rast dhe nuk duhet të ndikohet nga presionet apo perceptimet e krijuara përmes raportimeve të njëanshme,” thuhet në deklaratën e KLP.
Në këtë kuadër, KLP nxit median të respektojë standardet e informimit profesional dhe të ruajë objektivitetin, duke shmangur çdo tendencë që mund të ndikojë negativisht tek opinion publik dhe integriteti i institucioneve të drejtësisë.
Këshilli thekson rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë me median për të garantuar një raportim të drejtë, të verifikuar dhe të paanshëm, në shërbim të transparencës dhe interesit publik.