Ish anëtari i Këshillit Kombëtar dhe kandidati për deputet në qarkun Vlorë, Skerdilaid Sulozeqi, ka mbajtur një qëndrim publik në lidhje me krijimin e partisë së re nga ana e Lulzim Bashës.
Sipas Sulozeqit, lidhja me Partinë Demokratike është shpirtërore e historike. Karriget dhe ofiqet nuk e joshin përballë parimeve dhe filozofisë në të qenit i djathtë.
Reagimi i plotë:
Me Partinë Demokratike
Lidhja e një demokrati me Partinë Demokratike nuk janë postet dhe ofiqet, por është lidhja shpirtërore, historiku, idealet, filozofia, parimet e të qënit i djathtë.
Si djali i një babai që ka 35 vite që kontribuon për këtë forcë politike, i një familje që ka vuajtur pasojat e regjimit, si një ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike, Anëtar i Këshillit Kombëtar në dy mandate, djegur mandatin e deputetit nuk mund kurrsesi të votoj tjetër parti.
Kur linim familjen dhe endeshim nëpër fushata, kur harxhonim kursimet e familjes, kur helmoheshim me tymuese në çdo protestë për 11 vite, kur rrinim pa gjumë me netë duke u marrë me listat e me njerëzit, kur garonim me shok, kolegë e të njohur për një vend në përfaqësim, kur debatonim në publik, tv, e privatisht me të njohur e të panjohur, kur gdhinim netët në çadër, kur gëzoheshim e zhgënjeheshim… !
E për të gjitha këto unë nga sot jam anëtar i thjeshtë i Partisë Demokratike.
(Kam refuzuar dhe i refuzoj disa propozime për pozicione të caktuara në PD.)
Unë do të kontribuoj maksimalisht si anëtar i thjeshtë i Partisë Demokratike.
Forca të gjithë bashkë të përmbysim këtë qeveri që po shkatërron shtyllat e shoqërisë: familjen, pronën, besimin, tregun e lirë, lirinë e fjalës.
Ndërsa, me korrupsionin masiv që është kthyer në sistem po shkatërron Shqipërinë.