Trump zgjedh Prokuroren e Përgjithshme, pjesë e firmës lobuese të Ramës, Vuçiqit, Asadit, Erdogan dhe rusëve.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka vazhduar të publikojë emrat e ekipit të presidencës së 45-të. Ai ka zgjedhur mbështetësit e tij më të fortë në postet e anëtarëve të kabinetit.

Së fundmi ka zgjedhur edhe Prokuroren e Përgjithshme, zj.Pam Bondi. Emri i saj mund të përballet me pyetje të vështira mbi çështjen etike dhe angazhimin e saj në fushën e lobimit.

Pam Bondi njihet si prokuroja e parë e përgjithshme e Floridës, shteti ku ndodhet shtëpia e Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Ajo foli në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane në vitin 2016 kur Donald Trump ishte kandidati presidencial i partisë, 3 muaj para se të fitonte për herë të parë presidencën.

“Unë e njoh Donaldin dhe jam krenar që e njoh atë”, tha ajo, në gusht të vitit 2016.

Bondi ishte gjithashtu anëtare e ekipit ligjor të zotit Trump në gjyqin e tij të shkarkimit në Senat në vitin 2020.

Së bashku me republikanët e tjerë,  Bondi mbështeti  Trump në gjyqin në Nju Jork, në të cilin një juri e shpalli atë fajtor lidhur me akuzat për falsifikim të të dhënave të biznesit, për të fshehur një pagesë në këmbim të heshtjes së aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels.

“Një nga gjërat që mund të shihet si konflikt interesi është vendimi i zyrës së saj në vitin 2013 për të mos hetuar zyrtarisht pretendimet për mashtrim nga Universiteti Trump”, thotë Claire Finkelstein nga Universiteti i Pensilvanisë.

Pam Bondi aktualisht është pjesë e firmës lobuese “Ballard Partners”, me seli në Uashington. Analistët thonë se senatorët do të pyesin edhe për klientët e saj të profilit të lartë, të cilët mund të përballet pasi ajo të marrë postin e prokurores së përgjithshme.

Kush është “Ballard Partners”

Mediat në Uashington shkruajnë se “Ballard Partners” u rendit e para në vitin 2017, si kompania me më shumë fitime nga lobimi në SHBA.

Kompania e njohur rezulton se ka marrë para nga një biznesmen sirian që njihet si aleat dhe mik i diktatorit Bashar Al Asad.

Për shkak të faturave të “kripura” kompania punon kryesisht me klientë të vendeve në Gjirin Persik. Së fundi ajo ka gjetur klientë të besuar dhe në disa vende të Ballkanit.

Vitet e fundit ajo ka nënshkruar kontrata lobimi me Partinë Socialiste të Shqipërisë, presidentin turk Rexhep Tayp Edrogan dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Në vitin 2018, Partia Socialiste nënshkroi një kontratë me “Ballard Partners” me vlerë 240 mijë dollarë. Natyrisht kjo është një kontratë shumë e vogël, në krahasim me “peshqit e mëdhenj” që ka mundur të kapë pronari firmës së lobimit, Brian Ballard. Mes tyre është dhe David Yakobashvilli, një miliarder rus i njohur për lidhjet me presidentin Vladimir Putin.

“Ballard Partners” në më pak se një vit punë, si kompani lobimi, ka fituar rreth 5.2 milionë dollarë. Organizata amerikane e të drejtave të njeriut “Public Citizen” raporton se, kompania Ballard Partners, ka shfrytëzuar më së miri lidhjet me administratën e presidentit z. Trump për të dhënë idenë se ka akses në Shtëpinë e Bardhë.

Shpërndaje