Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato fut në “ankth” politikën: Puna e Prokurorisë së Posaçme sapo ka filluar!

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato e ka përshkruar kreun e SPAK, Altin Dumani si njeri me integritet të lartë, pa ndonjë anësi politike. Diplomati europian vlerësoi punën e bëri deri më tani nga Prokuroria e Posçme, tekasa la të kuptohet se ka vend për përmirësim.

Gonzato hodhi poshtë të gjitha akuzat se SPAK ka prapavijë politike apo se drejtohet dhe ndikohet nga qeveria. Për kreun e delegacionit të BE-së mënyra se si funksionon SPAK-u nuk mund të kontrollohet nga qeveria.

“Ka kryebashkiakë nga e majta dhe e djathta që janë të paditur, që po hetohen. Unë nuk shoh ndonjë anësi të veçantë politike në mënyrën si po vepron SPAK-u. Unë e kam takuar zotin Dumani, është njeri me integritet të lartë. Ai po bën punën e tij, nuk kërkon vëmendje, nuk kërkon famë. Ai thjesht po bën punën e tij. Dhe siç thashë më parë, mendoj se duhet t’i lejojmë të bëjnë punën e tyre. Dhe sigurisht, duhet bërë në kuadër të shtetit ligjor. Ata duhet të respektojnë procedurat e kështu me radhë, gjithçka është e qartë. Kështu që unë nuk dua vërtet të komentoj për insinuatat se SPAK-u është i drejtuar politikisht. Gjithçka që mund të them është se reforma në drejtësi futi masa mbrojtëse që mbrojnë institucionet gjyqësore nga ndërhyrjet politike. Nuk e kuptoj se si mënyra se si funksionon SPAK-u mund të kontrollohet nga qeveria. Kaq mund të them”, tha Gonzato në emisionin “Çdo Kënd” në A2 CNN.

Më tej, ambasadori thekson se duhet t’u japim pak kohë institucioneve të reja të drejtësisë për t’u konsoliduar dhe për të arritur rezultatet që priten. Gonzato tha se SPAK nuk mund të merret me çdo çështje të mundshme, pasi ata janë krijuar posaçërisht për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gonzato paralajmëron se me kalimin e viteve dhe konsolidimin e SPAK, aksionet do të jenë më të dukshme dhe më efektive.

Shpërndaje