Lulzim Basha ka folur për dualizmin në PD, që prej vitit 2013, kur ai u bë kryetar i kësaj force politike.
Gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Basha tha se protagonizmi i Berishës e vështirësonte punën e tij dhe se dorëheqja nga kryetar partie duhet të nënkuptonte edhe tërheqjen në prapaskenë, për të evituar këtë rol protagonisti që vijonte të mbante Berisha.
Basha po kështu tha se ishte një strategji e Edi Ramës, që të investonte për ta mbajtur PD-në të pa shkëputur nga “berishizmi”.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Në vitin 2013 ju u bëtë kryetar i PD, megjithtë Berisha kishte pushtet absolut në parti. Ju e kishit kuptuar që kjo parti ishte një pronë që i përket Sali Berishës, që atëherë apo filluat ta kuptoni gradualisht që prona është pronë dhe ti ishte administratori i pronës? Pra, pronari ishte doktori dhe ti administratori. Unë ju marr si njeriun e rëndësishëm në politik, se këtu kështu ndodh, edhe shesin dhe blejne parti me lekë, ka ndodhur, 200 mijë euro, 300 mijë euro, këto partitë e vogla. Pra, kur e kuptove që pronari i vërtetë i partisë ishte doktori?
Lulzim Basha: E kuptoj se çfarë po më pyet por dua ta rifrazoj. E ke fjalën për dualizmin, rolin e Berishës. E para e punës, në 2013 ndodhi një tranzicion lidershipi, që si rregull duhet të sillte edhe një tranzicion brezash, por nuk ishte i plotë në kuptimin, që paraardhësi nuk ishte një nga liderët por themelues dhe figurë qëndrore e PD dhe e Shqipërisë, ish president, ish kryeministër, figurë historike. Tranzicione të tilla, do të thotë që kur jep dorëheqjen largohesh nga skena, qëndron ndoshta edhe në prapaskenë, në festat e partive, kur ka kriza, kam parasysh modeleve perëndimore.
Qëndrimi i tij në Parlament dhe roli aktiv që mbante, u pa nga një pjesë e njerëzve afër meje, si diçka e dëmshme për konsolidimin e lidershipit të ri. Nga ana tjetër, një pjesë e njerëzve afër meje ishin të vetëdijshëm, që tranzicioni nga lidershipi me dorë të hekurt i Berishës, kërkonte një proces gradual. Nuk ishte vetëm Berisha, gjithë grupi parlamentar, gjithë kabineti i zotit Berisha, pra ishte tranzicioni i brezave nuk kishte ndodhur, përveçse në nivelin më të lartë. Strukturat ishin njerëz që ishin mësuar me lejen e “Marshallit”, pra ishte një kulturë që ishte mësuar të funksiononte me një centralizëm absolut dhe me një mungesë iniciative. Pra “nuk bëhet gjë pa i thënë atij”. Partia ishte në këtë gjendje dhe duhej një gradualitet. Në aspekte të veçanta ndodhi, PD organizoi me modelin një anëtar një votë, riformatimin në të gjithë vendin, me parimin që drejtuesit e çdo niveli nuk mund të rikandidonin nëse kishin patur rezultat humbës, një parim demokratik.
Unë arrita të sillja një tranzicion figurash dhe brezash. Ishte përpjekje për të ndërtuar një fizionomi të re, mendësi të re. Këtu hyn në punë pastaj, një sjelljë regresive, agresive, e Edi Ramës, i cili nuhati në mënyrë instiktive, që i duhej një parti jo e distancuar nga berishizmi, si mentalitet, si mënyrë veprimi, si gjuhë.
Ylli Rakipi: Po këtu Edi Rama ka qenë në të drejtë të Zotit, pra si t’ju shkatërrojë dhe shkallmojë ju…
Lulzim Basha: Lançoi veprime agresive, spastrimin e administratës, pasi anulloi një ligj të miratuar me konsensus. Goditje të padrejta ndaj opozitës. Agresion dhe linçim, që synonte, që të ngjallte reagim po kaq agresiv. Kur rriste temperaturën, nuk kishte vend më, për manifestimin e një mendësie të re politike. Pra, Edi Rama me sjellljen e tij në vitin e parë dhe të dytë të qeverisjes, investoi edhe ai, një dëshirë për të mos e parë PD-në të shkëputej nga format, mënyrat dhe substanca Berishiste.