Sot, kryetari i bashkisë Erion Veliaj ndau lajmin që: “Bashkia e Tiranës vlerësohet me çmimin “Kryeqyteti i Inovacionit” për qeverisjen vendore në edicionin e 7-të të çmimeve kombëtare “Angi-OSCAR”, i zhvilluar këtë javë në Romë.
Sipas Veliajt, “Tirana u vlerësua me çmimin e inovacionit për qeverisjen vendore sepse vlerësohet përpjekja e skuadrës së bashkisë sonë, për të prodhuar një qytet histori suksesi, për të prodhuar një qytet solidar, që e mban ritmin e rritjes demografike, duke u siguruar për të sjellë inovacion në shërbimet për fëmijët, çerdhe, kopshte dhe shkollat e reja që kemi ndërtuar”.
Por sa inovacion dhe solidaritet ka prodhuar Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës, sidomos me prindërit e këtij qyteti e tregojnë gjobat e makinave kur çojnë fëmijët në shkollë, e tregojnë mungesa e këndëve të lojrave, parqeve në Tiranë dhe mbi të gjitha shkollat me dy – tre turne. Ndaj këshillojmë që kur të shpërndahen të tilla lajme të tregohet më shumë kujdes sepse kryeqytetasit po e provojnë çdo ditë në kurriz “solidaritetin” e Erion Veliajt në krye të bashkisë Tiranë.