Sondazhi i Barometrit: Deputetët të shkëputur nga votuesit. Logu: E vërtetë, ju sjell eksperiencën me deputetët e Degës 7.

Nga Besart Logu

Është shumë realist ky sondazh!

Do sjell eksperiencën time me kandidatët për deputetë.

Për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në Njësinë Administrative Nr.7 Tiranë, Partia Demokratike dërgoi dy kandidatë: Agron Shehajn si drejtues politik (pra në zonë të sigurt) dhe Gent Strazimirin i 19-ti (listë plotësuese).

Gjatë fushatës, kandidatët kishin sjellje diametralisht të kundërta. Shehaj grindej e debatonte me strukturën (fatale gjatë fushatës). Madje, kryesisë së degës nuk arriti të ia mësonte dot as emrat, e jo me të krijonte ndonjë marrëdhënie të afërt me to. Strazimiri më ndryshe, ishte me babaxhan, ulej e fliste rrafsh me bazën.

Duke u nisur nga ideja se do të ndodhte rrotacioni politik pas tetë vitesh në opozitë dhe se drejtuesi politik projektohej si mbajtës i mundësh i një karrigeje ministrore, shumë nga struktura ia anashkalonin sjelljen arrogante të Shehajt. Kush ishte strikt në të tilla aspektesh, e gjeti veten tek Strazimiri pasi për hir të së vërtetës nuk krijonte barrierat e Shehajt apo të të deleguarit që sillet sikur të ka në dorë karrierën politike.

Të jem i sinqertë, vetë nuk kam votuar asnjërin prej tyre. E kisha ndarë me kohë zgjedhjen për Albana Vokshin, pa dalë akoma emrat e kandidatëve dhe zonat që do të mbulonin.

Për 5 ditë numërim në KZAZ, Agron Shehaj u duk vetëm dy herë nga 10 minuta. Pra, drejtuesi politik që duhej të qëndronte në ballë të punës dhe t’u jepte forcë e mbështetje komisionerëve, numëruesve dhe vëzhguesve, mungoi dhe nuk dinte askush asgjë se ku ishte e çfarë bënte. Edhe atëherë që erdhi, dukej sikur bënte pronarin e jo politikanin. Sërish Strazimiri bëri dallimin me të, qëndroi stoik e pa lëvizur deri ditën e fundit. Mos të harrojmë se kandidate e PS ishte Etilda Gjonaj, ministre e drejtësisë në detyrë që kishte marrë gjysmën e administratës me vete bashkë me disa halabakë me kapele e çanta krahu që hynin e dilnin nga KZAZ-ja. A thua se i hante kujt nocrroku për to!

Periudha postzgjedhore u shoqërua me ato darkat standarte të falenderimit. Më pas, zero, asnjë kontakt e takim. Të gjithë morëm periudhën e rehabilitimit pas humbjes së paparashikuar duke u përgatitur për katër vite tjera në opzoitë. Vetëm Shehaj punonte për tu bërë kryetar partie. Se si shkoi ajo garë dihet dhe nuk ia vlenë të ndalem.

Vendimi i Lulzim Bashës për të pezulluar Berishën nga grupi parlamentar e riaktivizoi partinë, padiskutim dhe deputetët, anëtarët e Kryesisë, KK, e të gjithë me rradhë deri në bazë. Të dy kandidatët mbështetën lëvizjen e Foltores, dikush më shumë e dikush më pak. Strazimiri psh më hoqi nga friendsat edhe pa pasur ndonjë debat me të, qoftë dhe politik, se personal nuk bëhet fjalë. Si duket, të flasësh kundër liderit qenka kriter përjashtues nga miqësia virtuale! Kriter të cilin Shehaj, por dhe deputetë të tjerë, nuk e aplikuan. Gjithsesi, duhet thënë se vajtja e tyre te Foltorja nuk kishte ndonjë ndikim të madh në struktura. Me aq sa kam parë në takimet e tyre, Strazimiri u delegua në një degë tjetër ndërsa Shehaj pothuaj ka qenë inekzistent edhe pse ishte një nga bashkëdrejtuesit e Komisionit të Rithemelimit dhe si deputet zone, në bazë të Statutit, është edhe anëtar i Kryesisë së Degës. Zero angazhim.

Dhe e fundit, të cilën kam merak ta them; në prag të zgjedhjeve të 6 marsit 2022, ndërron jetë një ish kryetar grupseksioni, Fatmir Shqarthi. Një nga njerëzit më aktiv dhe më të hershëm në strukturat e Degës 7. Në nderim të tij dhe të kontributit të paçmuar politik, erdhën ti jepnin lamtumirën e fundit të dyja grupimet, të Bashës e Berishës. Ishte prezent vetë Lulzim Basha, ish deputetja e zonës Albana Vokshi, anëtari i Kryesisë Jamarbër Malltezi si dhe strukturat vendore të të dyja grupimeve. I vetmi që mungoi ishte Agron Shehaj. Ai mund të ketë pasur arsye objektive të mungonte ditën e varrimit por më pas mund të gjente gjysëm ore kohë e ti shkonte në familje për vizitë. Por as ajo nuk ndodhi. Indiferentizmi i tij la një shije të hidhur te të gjithë ne. U kuptua se atij i duhesh vetëm i gjallë dhe në shërbim të tij. Në rrethana tjera je i pa vlerë. Dhe kur dëgjoj për Shehajn që e trajtojnë si alternativë, them me vete: nuk e njihni!

Nejse, kjo ishte në vija të përgjithshme sjellja e kandidatëve për deputet para, gjatë dhe pas periudhës zgjedhore. Sondazhi i kryer nga Barometri, të paktën për Degën 7, përkon me realitetin. Kjo është një e dhënë të cilën votuesit duhet ta kenë në konsideratë. Një kandidat që duket vetëm në fushatë, minimalisht është një parazit që po i jep pushtet me votë dhe në rastin më të keq, një shfrytëzues i mundit dhe djersës së anëtarësisë në funksion të interesave dhe axhendave personale.

Shpërndaje