Komisioni i Pavarur i Kualifikimit – KPK, si shkallë e parë e vetingut, ka përfunduar veprimtarinë e tij institucionale në lidhje me vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Në përfundim të këtij procesi, KPK ka hartuar edhe një raport në lidhje me produktin 6 vjeçar që përfshin periudhën Shkurt 2018 – Tetor 2024.
Referuar këtij raporti rezulton se janë marrë në total 799 vendime, nga të cilat:
• 369 vendime konfirmim në detyrë për 165 gjyqtarë, 166 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD, 2 inspektor në KLGJ dhe 34 ndihmës/këshilltarë ligjorë;
• 267 vendime për shkarkim nga detyra për 146 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në GJL, 115 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë;
• 105 vendime për ndërprerje procesi (neni G i Aneksit të Kushtetutës) për 61 gjyqtarë, 27 prokurorë, 1 ish- prokuror, 14 ndihmës ligjorë, 1 ish-inspektorë në KLD;
• 8 vendime për pushimin e procesit për 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmës ligjorë në Gjykatën e Lartë (neni 56 i ligjit nr. 84/2016);
• 48 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar për 25 gjyqtarë, 17 prokurorë, 1 ish kryeinspektor në KLD dhe 2 ish-inspektor në KLD dhe 3 ndihmës ligjor (neni 95 i Kodit të Procedurave Administrative dhe neni 64 i ligjit nr. 96/2016);
• 2 vendime për pezullimin nga detyra për 2 prokuror.
Raporti jep të dhëna edhe në lidhje me veprimtarinë e KPA (Komisioni i Posaçëm i Apelimit) si shkallë e dytë e vetingut. Referuar statistikave rezulton se ky institucion po ecën me ritme shumë më të avashta. Për periudhën 2018-2024 KPA ka marrë në total 272 vendime nga të cilat 203 janë lënie në fuqi dhe 69 ndryshim/pushim/prishje të vendimit të KPK.