Bie shi, Adrianë
Bie shi,
Adrianë,
bie shi i qetë mbi qytet,
shi që më bluan e më vret,
dhe s’di ku të shkoj
nëpër Tiranë.
Të kërkoj,
Adrianë,
me ankth nëpër qytetn’ e shkretë,
ku shtrydhen retë
dhe diell s’lind e s’perëndon
përmbi Tiranë.
O sa çudi,
Adrianë,
të duash të mos jesh njeri,
dhe gurëve t’u kesh zili,
-se gurët s’vuajnë kur bje shi
përmbi Tiranë!
Si nesër
Do të pëshpëritë era ndaj mbrëmje si nj’herë,
prej valësh do ngrohet hëna si sot,
me iskra prej bryme do mbuloj’ mermere
dhe bota do jetë si ish dhe qemot
Si nesër do shtrihet lëndina për mbi varr
Valë-dheu do zënë t’palosen ngadalë,
do ende parevera e lule e bar,
dhe zile do rrëshqasin që prej male.
Do qeshë dielli në qoshen e një reje,
do thajë lotët mbi lulet e qershisë, larg,
mbytur do ndjehet gjëmimi i një rrufeje,
permbi mal do hapet brez’i Perëndisë.
Do shtrojë dhe dimri qilim të argjendtë
mbi pllocën e tretur, mbi kryqn’e anuar,
do rritet harrimi me dhërin e rëndë
dhe unë do fle, ty duke t’ëndërruar…. (dhe të t’harruar).
Çast lumturie
… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.
Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.
Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.
Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.
Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.
Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.
Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!
Më di a nuk me di
Me di a nuk me di se qaj,
me di a nuk me di se vuaj
ne oret e thella te nates,
kur ngrihem i cmendur te shkruaj
me gjakun e zemres te shkruaj.
Me di a nuk me di se agimet
me gjejne pa gjume ne shtrat,
me shpirt te shkretuar nga dhembja,
e dhimbshem i pres perendimet,
me ankth i pres perendimet.
Me di a nuk me di se sot
u drodha kur pashe pranveren, (vjeshten)
qe zbriste me flladet e prillit (tetorit),
e embel sic ishte qemot,
e hidhur sic ishte qemot.
Me di a nuk me di se vuaj
ne oret e thella te nates,
ku ndjehem nga jeta i huaj,
nga vendi i lemjes i huaj.
Me di a nuk me di…