Kreu i Partisë Demokratike Euroatlantike ka reaguar sërish në lidhje me tentativën e Edi Ramës për të sabotuar punën e Prokurorisë së Posaçme. Sipas tij, ky mision ka vënë në lëvizje edhe bashkëpuntorin e tij të hershëm, Sali Berishën. Rama duke ulur buxhetin dhe duke mos çuar dosje në prokurori nga njëra anë dhe Berisha me sulme e sharje direkte nga ana tjetër, po mundohen të krijojnë një klimë mosbesimi dhe pamundësimi të kryerjes së detyrës.
Postimi i plotë:
Pavarësia dhe fuqizimi i SPAK dhe GJKKO e trembin Edi Ramën, që tashmë ka më shumë bashkëpunëtor në burg sesa në qeveri.
Gjuha e turpshme e përdorur për të denigruar mbështetjen e partnerëve strategjikë ndaj Reformës në Drejtësi, e paraprirë nga amnistimi i të korruptuarve për të penguar punën e SPAK, janë tregues të degradimit që po pëson qeverisja, për shkak të aferave të panumërta që mbajnë firmën e tij, ndaj dhe po përpiqet me çdo kusht të delegjitimojë SPAK-un.
Edi Rama po bën gjithçka së bashku me Sali Berishën për të goditur drejtësinë. Njëri mundohet t’ia pamundësojë punën, duke urdhëruar administratën të mos bashkëpunojë dhe deputetë e policë të emëruar prej tij ta dekonspirojnë, e tjetri duke e sulmuar me fjalor kriminal. Të dy së bashku me planin nën tavolinë për të bashkuar votat në rastin më të parë kundër saj.
Prej muajsh kam dorëzuar në Kuvend amendamentet që sigurojnë mbështetjen e nevojshme për SPAK, por ato bllokohen nga Edi Rama dhe patericat e tij, sepse ai e di që kambanat e drejtësisë po bien edhe për atë.
Fundi i pandëshkueshmërisë kërkon një qeveri anti-korrupsion, që vepron në sinergji me SPAK dhe GJKKO duke krijuar kushtet e domosdoshme për llogaridhënien, në mënyrë që ata që kanë abuzuar me taksat, pronat dhe besimin e shqiptarëve të mbahen përgjegjës për gjëmat e tyre në kurriz të familjeve shqiptare.
Shqipëria meriton më shumë!