Poezi nga Asdreni

Kosovës

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,

Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!

Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,

…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;

Dhe malet me bor

Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis

Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!

Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon

Difto-u e zonja; koha sot e don

Ti t’çohesh përseri

N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija

Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,

Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë

Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,

Që e derdhin gjakun prrue

Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë

As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë

Anmikut kur i sulen me rrebtsi

Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha

Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba

Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue

Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!

Për nder të shtëpis s’vet;

E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë

Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë

Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue

Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue

Se mjaft e kanë robnue

Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë

Që të huejt para syve të t’venë ledhe

Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel

Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del

Dhe duersh mos të lëshojn’

Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë

“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!

Atyne si u pëlqen kufijt i venë

Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;

Mendojnë pa turp kurrfarë

Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë

Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë

At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur

Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,

Me lott qi qan e ankon

E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe

Po nanën ju kujtoni qi u ka le

Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve

Prej bijet e harrume mi ket dhe!

Se ansht turp i math për ju

Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme

Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!

Kosovës emnin me ja ngref te qilli

Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli

Me rrnue një Shqypni

Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini

Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!

Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë

Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë

Si ç’trimit mirë i prek

Me nder n’luftë me dek!

 

Dua

Mbi bar dua të prehem,

të këndoj, të dëfrehem,

të shoh rreth bagëtinë,

kur hanë dhe pinë;

të shoh fushat e blerta,

bimët kur i fryen era,

njërzit kur punojnë

dhe çupat kur këndojnë!

Ah, dua dhe lulet,

kur i shfaqin pekulet,

dhe fluturat që venë,

mbi to dua të jenë;

bilbili t’ia thotë

nën diellin e ngrohtë.

Dua dhe Shqipërinë,

se atje kam shtëpinë,

kur rrija nëpër ferrat

edhe lozja me sheqerrat;

për këtë kam dëshirë

dhe s’dua më mirë,

atje dua të shkoj,

sa të jem e të rroj!

 

Një orë lumturie

Hëna ndrinte porsi argjent

Kur ndë kopshtije bashkë vinim

Dhe me dorën mbi krahun tënd

Të ndihnja mbi bar te rrinim.

Ah, sa ëmbëlsirë ndjeva

Kur dorën ma zgjate

At’herë fare më s’ë msheva

Mirëdashjen zemrës sate.

Lulet na çonin një erë

Shumë të ëmbël e të pëlqyer

Edhe zefiret nga herë

Na kujtonin pa kursyer.

Rrezet që na përgëzonin

Kur ishim të përqafuar

Dashurinë na e shtonin

Me një mall të pa rrëfyer.

Sa fjal’ t’mbla më thoshe

Kur përkëdheleshim të dy

Dhe më syçkat bukuroshe

Me benjë të mos ndahem nga ty.

Po dyshimi nuk më linte

të të besonj se ti më do

Si hëna që rrezet mshifte

Dhe i çonte ku desh ajo.

Veç at’hëre kupëtova

Se je zemër plot mëshirë

Dhe veten time e ngrova

Kur më puthe me dëshirë.

 

 

Mbi bar dua të prehem

Mbi bar dua të prehem,

të këndoj, të dëfrehem,

të shoh rreth bagëtinë,

kur hanë dhe pinë;

të shoh fushat e blerta,

bimët kur i fryen era,

njërzit kur punojnë

dhe çupat kur këndojnë!

Ah, dua dhe lulet,

kur i shfaqin pekulet,

dhe fluturat që venë,

mbi to dua të jenë;

bilbili t’ia thotë

nën diellin e ngrohtë.

Dua dhe Shqipërinë,

se atje kam shtëpinë,

kur rrija nëpër ferrat

edhe lozja me sheqerrat;

për këtë kam dëshirë

dhe s’dua më mirë,

atje dua të shkoj,

sa të jem e të rroj!

 

Mëma

Fjal’ e bukur, fjal’ e shenjtë,

Thell në zemër që tingllon,

S’ka në botë gjë më e shtrenjtë,

S’ka si mëme kur kujton.

Mëmë, mëmë, frym e lar’,

Rreze drite, yll qiellor,

Plot mëshirë e mall të zjarrtë.

Që nga gjinjtë e saj të dlirë ,

Vilet jeta pa shterim,

Që nga zemra e saj ka mbirë,

Dashuri dhe mallengjim.

Si nër gaz dhe nër vojtje,

Veç një mëmë të larton,

Sa ka frym e sa ka rrojtje,

Mendjes kurrë s’të harron.

Ç’do rreziku rri të ruan,

Bën detyrë si luftar,

Si dëshmori heq e vuan,

Për të zëmrës saj thesar.

Kush s’di vlerën e një nëne,

Është pa ndenj’ e shpirt mizor,

Bir skëterrë e frym nëne,

Është i vet tradhëtor!

 

Shpërndaje