Nga Besart Logu
Të gjithë e dinë se debatet në studio, që kanë për qëllim kundërshtimin e arrestimit të Metës, janë të sforcuara. Kjo sepse njësia matëse më reale janë komentet në rrjet. Në çdo foto e video të arrestimit duket një dakordësi në shprehi e tipit “Erdhi dita!”.
Nga arrestimi i Metës, por dhe i Berishës si dhe i çdo politikani tjetër, janë shqetësuar vetëm militantët dhe rrethet e ngushta politiko-ekonomike. Të parët e kanë nga emocioni ndërsa të dytët për arsye thellësisht personale. Dalja nga jeta politike përkthehet në defaktorizim, rrjedhimisht në më pak influencë, çka reflektohet në rënien e përfitimeve të të mirave materiale.
I vetmi ndryshim mes palëve është te reagimi i simpatizantëve. Janë thirrur në SPAK, hetuar e arrestuar me dhjetëra funksionarë të Partisë Socialiste por një mbrojtje të tillë publike, kaq absurde, nuk i ka bërë askush. Si ka mundësi, nuk ka PS aq njerëz sa të dominojnë studiot televizive dhe hapsirat online në funksion të interesave të shefave të tyre politik?! Padiskutim që ka por mungesa e tyre lidhet me strategjinë që po ndjek kjo forcë politike duke ndarë veprimtarinë e funksionarit publik me atë partiak. Dhe në fakt po i funksionon. Çdo rasti i është paraprirë me zhveshjen nga funksionet që ka mbajtur personi në qendër të skandalit dhe me deklaratat të tipit “Ka ngrënë mollë e dardha pas krahëve” apo se “Përgjegjësia është individuale”, është mbrojtur Partia nga ngarkesat që prodhojnë zakonisht të tilla ngjarje. Madje, kjo forcë politike shkon edhe më tej, i zëvëndëson këto figura me elementë të rinj, si në moshën biologjike ashtu dhe në atë politike. Pak a shumë, viti zero. Dhe e gjitha kjo, me qëllim ruajtjen e vazhdimësisë së pushtetit pa u ndikuar nga askush dhe prej asgjëje.
Ndërkohë, nga kampi tjetër ndodh krejt e kundërta. Jo vetëm që nuk qarkullojnë elitat, me apo pa skandale, por Partia kthehet në mburojë të “hallexhiut” ku simpatizantët pozicionohen në llogore dhe shajnë e mallkojnë këdo që kërkon shmangien e përgjegjësisë kolektive me arsyetimin se gjithkush duhet të marrë përsipër e të vuaj vetë pasojat e veprimeve të tij.
P.sh. çështja “CEZ-DIA” bën fjalë për veprime të kryera në vitin 2011, pra 13 vjet më parë. Ndërsa çështja e “Klubit Partizani” për veprime të kryera në vitin 2006, 18 vjet më parë. E kuptoni çfarë barre ka mbi kurriz opozita?! Në 2024 duhet të diskutojmë çfarë ka ndodhur atëherë kur nuk kishte lindur ende gjysma e FRPD aktuale. A ka shërbim më të mirë për Edi Ramën se sa të ketë përballë dy persona që kanë probleme me drejtësinë njëjtë si ai?! Ja pra, prandaj nuk shihet si alternativë qeverisëse Partia Demokratike. Mbart ngarkesat e së shkuarës të cilën shqiptarët e larguan me 1 milion vota. Dhe këtë gjë lidershipi i partisë e di mjaft mirë prandaj i mbyllën listat për garanci dhe nuk po angazhohen në fushatë elektorale por merren me aksione e refrene politike të dëgjuara e provuara më parë dhe që janë të bindur se nuk japin rezultat. Thënë ndryshe, po futen në zgjedhje për të mbajtur vendin e dytë, monopolin e opozitës, dhe njerëzit do ftohen të bëjnë fushatë e votojnë për deputetë opozite!!!
Degradimi në këtë pikë për një forcë politike qeverisëse flet shumë. Tregon se e ka mbyllur ciklin dhe se për dy palë zgjedhje do të diskutojë ekzistencën e saj. Nëse PD nuk heq dorë nga mentaliteti “Do votohemi se njerëzit janë lodhur me Ramën”, do të bëjë që njerëzit të kërkojnë alternativa tjera opozitare, dhe në rastin më të keq, të gjejnë një “comfort zone” me pushtetin ku qarkullimi i shpeshtë i elitave sjell dhe flukse të ndryshme interesash sipas parimit që Rama e ka artikuluar me kohë, “Tej të majtës dhe të djathtës”.