Vrasja e Sinwar|Lideri suprem iranian: “Hamasi nuk do të ndalet”.

Lëvizja islamike palestineze Hamas është e gjallë dhe do të mbetet e tillë pavarësisht vdekjes së liderit të saj Yahya Sinwar, i vrarë gjatë një operacioni ushtarak izraelit. Kështu u shpreh sot lideri suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei.

“Humbja e tij është sigurisht e dhimbshme për frontin e rezistencës kundër Izraelit, por nuk do të ndalet aspak me martirizimin e Sinwar”, tha Khamenei në një deklaratë.

Në deklaratën e tij, drejtuar kombeve myslimane dhe rinisë, Khamenei vlerësoi Sinwar për kushtimin e jetës së tij në luftën kundër Izraelit dhe tha se “çdo gjë më pak se martirizimi do të kishte qenë një fat i padenjë” për liderin e Hamasit.

“Fronti i Rezistencës”, i mbështetur nga Irani, përfshin Hamasin, grupin militant libanez Hezbollah, si dhe grupe të tjera të armatosura rreth Lindjes së Mesme që kanë sulmuar Izraelin.

“Ai ishte një fytyrë e shkëlqyer e rezistencës dhe e luftës. Me një vendosmëri të çeliktë, ai qëndroi kundër armikut shtypës dhe agresiv,” shton Khamenei.

Sinwar, figura kryesore pas sulmeve të 7 tetorit ndaj Izraelit, u vra pasi trupat izraelite sulmuan një ndërtesë në Rafah në fillim të kësaj jave.

Vdekja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar këtë javë ngjalli shpresat për një fund të luftës, por nënkryetari i grupit tha se ajo vetëm do të forcohej

Ndërkohë, luftimet vazhdojnë në Liban, ku Izraeli po kryen një pushtim tokësor kundër objektivave të Hezbollahut.

Ushtria izraelite thotë se vrau rreth 60 luftëtarë të Hezbollahut dhe shkatërroi qendrën komanduese rajonale të grupit të mbështetur nga Irani me një sulm ajror, ndërsa Hezbollahu thotë se hodhi raketa në qytetin izraelit të Haifës dhe zonat në veri të tij.

Shpërndaje