Lideri i shumëkërkuar i Hamasit dhe arkitekti i sulmeve të 7 tetorit në Izrael, Yahya Sinwar mund të jetë eliminuar. Lajmin e ka bërë të ditur ushtria izraelite në një postim në X. Eliminimi i tij mund të jetë bërë gjatë operacioneve të fundit në Rripin e Gazës.
“Gjatë operacioneve të ushtrisë në Rripin e Gazës, tre terroristë u eliminuan. IDF dhe ISA po kontrollojnë mundësinë që një nga terroristët të ishte Yahya Sinwar. Në këtë fazë, identiteti i terroristëve nuk mund të konfirmohet”, thuhet në një deklaratë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
Ushtria izraelite e ka dërguar trupin e një prej militantëve të vrarë në Gaza në një laborator në Izrael për të testuar nëse ADN-ja përputhet me atë të liderit të Hamasit, Yahya Sinwar. Kështu thekson New York Times, duke cituar informacionin e marrë nga katër zyrtarë izraelitë.
Sinwar është figura më domethënëse e Hamasit që është ende e lirë, dhe Izraeli e konsideron atë “arkitektin” e sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit që shkaktuan pushtimin tokësor të Gazës nga Izraeli. Ai nuk është parë në publik që nga sulmet e Hamasit dhe mendohet se është fshehur në rrjetin e gjerë të tuneleve që lidhin rrugët në Rripin e Gazës.
Organizata e Hamasit nuk ka komentuar mbi fatin e Sinwar, i cili kohët e fundit u ngrit në kupolën drejtuese të grupit militant palestinez. Nëse vdekja e tij konfirmohet, kjo do të rrisë tensionet në Lindjen e Mesme, ku frika për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme është rritur ndërsa Izraeli planifikon përgjigjen e tij ndaj sulmit raketor të 1 tetorit të kryer nga Irani pas sulmeve ajrore izraelite ndaj militantëve aleatë të Iranit.
Sakaq, mediat ndërkombëtare raportrojnë se të paktën 19 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë fëmijë, si pasojë e një sulmi izraelit në një shkollë ku strehoheshin persona të zhvendosur në Jabalya, në veri të Gazës. “Dhjetëra njerëz u plagosën nga sulmi, nuk ka ujë për të shuar zjarrin. Nuk ka asgjë”, tha një banor i Gazës për Reuters.
Reagon Netanyahu
Menjëherë pas konfirmimit të vrasjes së liderit të Hamasit, Yahya Sinwar ka ardhur edhe reagimi i Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu. Në një fjalim drejtuar kombit izraelit, Netanyahu vuri në dukje se, Gaza nuk do të sundohet nga Hamasi. Ai u bëri thirrje terroristëve të Hamasit duke i thënë se liderët tuaj do të eliminohen.
“Qytetarë të Izraelit, ju them se Yahya Sinwar ka vdekur. Personi përgjegjës për masakrën më të madhe të popullit hebre që nga Shoah, kryeterroristi që vrau mijëra izraelitë dhe rrëmbeu qindra qytetarë u vra nga ushtarët tanë heroikë. Hamasi nuk do të sundojë Gazën, kjo është një mundësi për njerëzit e saj që të çlirohen nga tirania e tyre. Terroristëve të Hamasit u them: liderët tuaj po ikin dhe do të eliminohen. Unë u drejtohem të gjithë atyre që mbajnë pengjet tona: kushdo që të lërë armët dhe të kthejë pengjet tanë, ne do t’i lejojmë ata të largohen dhe të jetojnë. Kushdo që dëmton pengje, do të ketë gjak në kokë dhe do të përgjigjet për këtë. Hamasi nuk do të sundojë Gazën, kjo është një mundësi për njerëzit e saj që të çlirohen nga tirania e tyre. Sot e keqja ka pësuar një goditje të rëndë, por misioni ynë ende nuk ka mbaruar. Familjeve të të rrëmbyerve u them, ky është një moment i rëndësishëm në luftë, ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat që ata të kthehen në shtëpi. Të dashurit tuaj. Ata janë të dashurit tanë”, u shpreh Netanjahu.