Pyeta valët vogëlushe
Pyeta valët vogëlushe;
mu si krahët e një gushe
përmbi supe nga një shkumë,
kush më pak e kush më shumë,
venë e vinë e shkojnë e shkasën
dhe përhera për ty flasën.
Valëza, o valëza,
farë e fis me vashëza,
ku e keni shoqen tuaj?
Ruaje zot nga erë e huaj!
Pyeta zoga, pyeta zogj,
pyeta zemrën që m’u dogj,
pyeta lulet nëpër baça,
nëpër baça, që un’ plaça,
muaj e vitra po të pres,
vidi-vidi pëllumbeshë!
Vidi-vidi zogëza,
farë e fis me zojëza,
ku e keni shoqen tuaj?
Një minutë e gjat’ një muaj!
Vidi-vidi pëllumbeshë!
për ty qaj e për ty qeshë,
për ty qesha; gjithë jeta
me gjith’ lule, me gjith’ fleta,
u bë fli për ata sy;
çdo gëzim ta fala ty!
E çdo brengë e mbajta vetë.
Tash afroi e thënë e shkretë,
dhe un’ s’di ku jam, ku vete,
rroj për ty e vdes për vete!
Një vështrim i arratisur
Një vështrim i arratisur
Nga qepallët e qëndisur,
Ku ësht’ shpirti im skalisur,
Nga dy syt’ e zes të tu
Vjen më thot ashtu kështu!
Më thot’ jo dhe më ndes!
Më thot’ po dhe më vdes!
Nata zgjatet edhe zgjatet…
Ah, kjo nat’ me or’ nuk matet!
E un’ mbetem duke lutur,
Lutem yjve të këputur,
Dhe un’ lus e kërkoj ty,
Atë vetull, atë sy!
Se në syrin tënd të zi,
N’atë sy te zi mazi
Shënj’ e buzës sime duket
Si një prush në ré kur muget!
Ç’DO TË THOTË PATRIOT?
Ç’do të thotë patriot,
Sot për sot në Shqipëri?
Një tuf’ ah e një tuf lotë,
Një njeri i pa njeri!
Jo, jo! burri i bën ball’
Do buçit si val’ mbi zall.
Sa më zi edhe më zi,
Sido qoftë pun’ e tij,
Copë-cop’ i bënet buza
Po aspak s’i falet shpuza.
Sikurse një gur stërrall,
Në gji zjarrin e ka ngjall,
Qoft në lum’ e qoft’ në det
Zjarr’ i tija nuk humbet!
LE TË JEMI KRENARË
Shqipëria jon’ tashi
Di të bëjë diell e shi,
Di të bëjë shi e diell,
Sepse kokën e mban lart,
Sepse rrënjët i ka thellë!
Le te jemi, pra krenarë!
Që nga len te perëndon,
E kush është si vendi jonë?
Si në tok’ edhe në det
Kemi pjesën më të bukur,
Në të bukurin planet!
Le të jemi pra krenarë,
Dy milionë thua shqiptarë,
Fis fisnik në radh’ të parë,
Titan ishim, titan jemi
Dhe përhera gjithë titan,
Rreptësonet shum’ shqiponja.
Kurse matet me tufan!
***
Ti përhera në shtëpi
dhe përhera puth e pi
Pi e puth
si një zog i zën’ në kurth
përpëlite nëpër odë,
mbush një godë e zbraz një godë
dhe me fletë për poezi
Përgëzohem or’e ças,
nga një bot’ në tjetrën shkas
rreth për ty me zotin flas!
Syri puthet, gota pihet,
numri tyre s’mund të dihet,
kurse zemrat dashurohen,
gotat puthjet s’numërohen!
Un’ kam vjershën edhe pijen
po je ti që u jep shijen
pija ime, shija jote
un’i gjithë hija jote!