Fabula nga Ferit Lamaj

Ditë vere

I thotë Zonja Zotërisë

mu në odë të shtëpisë

para shtrirjes bash në shtrat:

-Ja që qenke burrë me fat!

Sot, i dashur e i shtrenjtë,

do ndjesh ditën më të nxehtë,

do shijojmë tok ylberin…-

 

Dhe …i fik kondicionerin.

 

Thiu

Gjer dje brente lende lisi,

hante krunde, koçanë misri.

 

Si u zgjodh Kryetar fisi,

i merr jeta për së mbari,

feçkën fut në kazanë ari…

 

Demokrati …Socialist

(Dyshja e gishtave)

 

Porsi ky ku gjen të dytë,

me dy gishtat t’i qet sytë.

Pas pak vitesh po ky pusht

dyshen mbledh, nderon me grusht.

 

Socialisti …Demokrat

anasjellas kërkon fat

të rrokë qiellin e shtatë,

grushtin hap, dy gishtat lart.

 

Dyshat

Në Matematikë Kecushja

na qe shqepur plot me dysha.

 

Sot te loja me spathi*

dysh përlau përsëri.

 

Mekëriu në delir:

“Mora bash dyshin e mirë!”

 

————-

*Lojë me letra.

 

“Mjeku”

Njoh një mjek, që s’ka të dytë,

ta lë halën mu në fyt.

 

Te ky mjeku “kompetent”

për gjithë jetën je klient.

 

Vrasësit

Njëri vrasës

të zë pritën:

të vret natën,

të qan ditën.

 

Tjetri vrasës

ashiqare

të vret ditën,

s’të qan fare.

 

 

Drenusha te Dr. Demi

(Sipas Remo Koçiut)

 

Kjo Drenusha syçkadritë

i shkon Mjekut për vizitë.

 

Mjekun s’po e mbajnë frenat:

– Zonjushë, hiqi pak sutienat!

 

Ia pret Suta në të bardha:

– Jo, se më prek koqedardhat.

 

– Tangat pak duhet të ulen!

– Jo, se më prek luleshtrydhen.

 

Ndërkaq i përndizej xhani

nën përparëse patëllxhanit…

 

Groshët e reja

Një Majmun plakush, i gjatë,

me kostum të ri në shtat,

me bastun e me kravatë

çap e çup mbërrin në fshat,

të psonisë groshë të reja.

 

Gungat shkund shitëse Deveja:

-Ne, o gjysh, koqet e groshës

i tregtojmë sipas moshës…

 

 

Shpërndaje