Ashtu siç u pa nga të gjithë, homazhet për ish deputetin Gerti Bogdani bënë bashkë të gjithë klasën politike, e sidomos PD e cila ndodhet në një konflikt të paprecedent disa vjeçar.
Normalisht, titujt e lajmeve sot do të duhej të ishin “Gert Bogdani bashkon PD”. Jo se pret kush që media të investohet për bashkimin, se ai do të ndodhë nga vetë demokratët kur të binden se të ndarë shënojnë vetëm humbje, por minimalisht të theksonte këtë cilësi humane e civile që shfaqi sot partia e dytë më e madhe në vend.
Si duket, klaneve të caktuara u intereson më shumë që për PD të ruhen të freskëta imazhet e 8 janarit dhe jo ato të sotmet që shfaqnin cilësi të larta njerëzore. Del qartë se fragmentarizimi i opozitës është qëllimi final, si e vetmja mundësi e ruajtjes së kësaj status quo-je ku më i fituari rezulton të jetë Edi Rama.
Për dikë mund të duken të ekzagjeruara këto fjalë por parë nga plani i brëndshëm nuk janë aspak të tilla. Lufta brënda llojit qenka e frikshme! Është aq e ashpër sa të ftoh nga çdo emocion dhe kjo bën që të humbasësh nga njerëzorja e të kthehesh në bishë ku ekzistenca jote varet nga “eliminimi” i palës tjetër.
Edhe pse një ditë e trishtë për PD dhe demokratët, mirësia që e karakterizonte Gerti Bogdanit prodhoi një lajm të pashkruar; në PD ka akoma ndjenjë!