Poezi nga Shkëlzen Logu

HORIZONTI I QELQTË

E bukur sytrishta ime paqeëmbël;
Dy vetullat e ngritura i mbetën lart
Goditur nga habia, zemërshkundur
Urrente kohën që venitej e përçart!

Ndjenjavyshkur si vjeshtë në verë,
Më rritej barra shpatullave gjithnjë
Me kujtime si fotografi të zverdhura.
Thyhej horizonti si qelq me çka në të!

Kllapisë së tmerrit orës krejt të fundit
Sytë e saj prej qielli zbrazën hidhësirë;
Si një fëmijë i pa fuqishëm para gjumit
Gushëndritura, dha puthjen më të dlirë!

SH.LOGU: 10.08.2024

 

I vetēm jam i pakët, me ty i shumtë,
Kërkues i sëmurë në dashuri-shëndeti.
Paqes hesht me ty, e pa ty i zhurmtë.
Njëlloj si koncepti dhe antikoncepti!

Ta ndjej mungesën në çdo udhëtim,
Si barin e lagësht nën këmbët e zbathura!
Dhe tretem ngadalë si errësira në agim,
Nga hapi i nxituar që ben krahëhapura.

SH.LOGU: 29.07.2024

 

LOJËLUFTA

Trëndafili i bardhë gjembashpues,
Ma ndal dorën sa herë e ledhatoj,
Aromën e saj të gjallë, pjalmin qetësues
Tek zjarrmorët gjinj ndjellazi e kërkoj.

Kështu në lojluftën e gjithhershme
Mbushim jetën me kujtimin ëmbëlak,
Ndërkallur nga joshje kaq e ethshme
Filloj me puthje yshtëse, pak nga pak…

SH.LOGU: 25.05.2024

 

***
Sundon nata atje jashtë e dashur,
Por ti, e përdhëmbur s’do t’ia dish.
Ca nga pezmi mallit që paske patur,
Ca nga etja, natën don t’a pish..

Përkëdhelur nga valët e lutjes time,
Më e madhe se trupi yt, disa fish,
Mbështjellë perzjarrshëm dëshirime,
Per natën atje jashtë, s’do t’ia dish!

SH.LOGU: 04.07.2024

 

VEGIM-DËSHIRA

Si përthyhej drita flokëve të saj,
Me ngjyrë prej ari të shkëlqyer!
Dhe fladi i paqes gjithëpastaj,
Me orë frymonte i ngazëllyer.

Kalova nga vendi ku běnim dashuri.
Pranë hyrjes ti driadë më prisje,
Si epikë e bardhë, plot dritësi;
Mall edhe ëndërr në një ngjisje,

Desha të dal, por nga xhami mu trete,
Avullove pa pritur nëpër eter;
E dashur, si kaq e vlertë ti mbete
E thermës pshetëtimë çdo herë!

Ti sot je një anije me vela të arta,
Që sa kohë lundorn deteve e qetë!
Mbledhur zbrazëti vitesh të gjata,
Mes nesh, rrodhi kaq shumë jetë.

SH.LOGU: 17.06.2024

Shpërndaje