Analizë kushtetuese për masat e sotme të GJKKO! Nga Jordan Daci

Nga Jordan Daci

Drejtësia Kushtetuese kërkon analizë dhe arsyetim të thellë që t’i qëndrojë kohës për shumë dekada, larg intetesit apo çështjes momentale dhe qe i siguron sistemit qëndrueshmëri përtej ngjarjeve dhe interesave të momenteve të caktuara. Ndryshe bëhet shkak për prishjen e ekuilibrave kushtetues dhe kësisoj cënon funksionimin e Shtetit të së Drejtës dhe Demokracisë.  Pikërisht kjo është shkaktuar nga disa vendimmarrje të Gjykatës tonë Kushtetuese duke përfshirë atë për masat e sigurisë për rastin e Sali Berishës, me ndikim

edhe në rastin e sotëm etj. 

Konkretisht, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 1, datë 18 janar 2024, në çështjen që lidhej me deputetin Sali Berisha, ka shënuar një pikë kthese në trajtimin kushtetues të masave të sigurimit personal ndaj funksionarëve të zgjedhur. Në atë vendim, Gjykata shpjegoi se masat e detyrimit për paraqitje dhe ndalimit të daljes jashtë vendit nuk përbëjnë kufizim të mandatit parlamentar dhe, për këtë arsye, nuk kërkojnë autorizimin e Kuvendit. Sipas arsyetimit, këto masa “nuk e pengojnë thelbësisht deputetin të ushtrojë funksionet e tij”, por vetëm vendosin detyrime procedurale që nuk cenojnë imunitetin e përcaktuar në nenin 73 të Kushtetutës.

Megjithatë, ky interpretim përbën një largim të dukshëm nga tradita kushtetuese e konsoliduar para vitit 2016, ku imuniteti parlamentar kuptohej si një mekanizëm mbrojtës jo vetëm kundër arrestimit, por edhe kundër çdo mase që e bënte praktikisht të pamundur ushtrimin normal të funksionit parlamentar dhe cënonte lirinë në çdo lloj forme. Nëse do të ruhej kjo qasje klasike, çdo masë sigurimi që kufizon lëvizjen e deputetit, si detyrimi për paraqitje në një afat të caktuar apo ndalimi i daljes jashtë vendit  etj, do të konsiderohej kufizim i lirise e kesisoj edhe i mandatin të tij dhe do të kërkonte miratimin paraprak të Kuvendit dhe ky duhej të ishte edhe vendimi për Berishën dhe këdo tjetër pas tij. 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë në kontekstin e një rasti me ngarkesë të fortë politike, e zhvendosi qendrën e gravitetit nga mbrojtja institucionale e mandatit te një vlerësim formal i natyrës së masave. Ky standard i ri e konsideron të lejueshme që një deputet t’i nënshtrohet masave të cilat, edhe pse nuk e heqin mandatin, e kufizojnë në mënyrë të dukshme ushtrimin e tij dhe pa dyshim përbëjnë kufizim lirie. Në këtë mënyrë, Gjykata krijoi një precedent që sot është i pakthyeshëm për sa kohë nuk ndryshohet vetë Kushtetuta ose nuk ndryshohet kjo praktikë. 

Pikërisht ky precedent ka një ndikim të drejtpërdrejtë në vlerësimin e kushtetutshmërisë së masës së pezullimit nga detyra. Edhe pse masa e pezullimit nuk është analizuar ende nga Gjykata Kushtetuese, pozita e saj logjike në sistemin e masave të sigurisë si masë ndaluese dhe jo kufizuese sikurse arresti, apo detyrimi për paraqitje apk ndalimi për të dalë jashtë vendit etj, e bën atë më pak kufizuese se masat e sigurisë së shqyrtuara në rastin Berisha. Pra pezullimi nuk prek lirinë personale dhe nuk vendos detyrime të natyrës shtrënguese; ai ka natyrë funksionale dhe nuk ndërhyn në të drejtat themelore të individit në të njëjtën mënyrë si ndalimi i lëvizjes. Duke qenë se Gjykata ka konsideruar kushtetuese masa thelbësisht më të rënda ndaj një deputeti dhe për to nuk ka arsyetuar se kërkohet autorizim nga Kuvendi, atëhere është e vështirë të argumentohet se pezullimi nuk është në përputhjr me Kushtetutën. 

Megjithatë, problemi i vërtetë nuk lidhet me raportin mes masave, por me efektin që ato prodhojnë ndaj parimit të ndarjes së pushteteve dhe natyrës së mandatit publik. Deputeti është funksionar i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli dhe mandatit të tij i jepen garanci të posaçme vetëm për të mbrojtur funksionin përfaqësues nga ndërhyrjet e pushteteve të tjera. Për këtë arsye, pezullimi i një deputeti nga ana e gjykatës ose prokurorisë gjithmonë do të ishte i papajtueshëm me Kushtetutën dhe vetë neni 242 i KPr.P., e ndalon zbatimin e kësaj mase ndaj të zgjedhurve sipas ligjit elektoral (një terminologji ambige). Duke nënkuptuar deputetin si i zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli.

Në rastin e ministrave dhe kryeministrit, situata është edhe më e ekspozuar. Ndryshe nga deputetët, ata nuk kanë imunitet procedural dhe mund të procedohen penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Në një traditë të fortë kushtetuese, pezullimi i anëtarëve të Këshillit të Ministrave do të kërkonte një mekanizëm parlamentar mbikëqyrjeje, pasi ndërhyrja në ushtrimin e funksionit ekzekutiv është ndërhyrje në strukturën e qeverisjes. Por, duke qenë se Gjykata e ka konsideruar të lejuar vendosjen e masave kufizuese edhe ndaj deputetëve, nuk ka më bazë kushtetuese për të pretenduar një standard më të lartë mbrojtjeje për ministrat ose për kryeministrin. Logjika e vetë vendimit shpie në konkluzionin se organet e drejtësisë mund të vendosin masa që praktikisht e bllokojnë ushtrimin e detyrës edhe për anëtarët e ekzekutivit, por lind pyetja p.sh., a mund të pranohet një gjë e tille edhe ndaj Presidentit të Republikes? Përgjigja është e prerë që jo për Presidentin. Kjo tregon paqartësinë dhe problematikën e zbatimit të pakufizuar të kësaj norme pa u formuluar dhe u kuptuar në pajtim me parimet dhe normat kushtetuese. 

Në këtë kuptim, vendimi nr. 1/2024 nuk është thjesht një vendim i gabuar në plan teorik, por një akt që ka ndryshuar në mënyrë të pashmangshme raportet kushtetuese mes pushteteve. Reforma e vitit 2016, e bashkuar me një interpretim kaq të ngushtë të imunitetit dhe të rolit të Kuvendit, ka prodhuar një sistem ku balancat klasike të pushtetit janë zbehur në mënyrë të thellë. Garancitë e ndërtuara mbi përvojën e shteteve evropiane dhe traditat kushtetuese shumëdekadëshe u zëvendësuan me një qasje të thjeshtuar, të motivuar politikisht dhe me pasoja të paparashikuara.

Sot, këto pasoja janë të dukshme dhe precedentët e krijuar kundër një individi të caktuar po zbatohen dhe do zbatohen për të gjithë, pa dallim politik. Ajo që u konsiderua si mjet i dobishëm në një moment të veçantë për një rast të veçantë është bërë tashmë një normë veprimi që prek të gjithë sistemin. Prandaj është e drejtë të thuhet se ky vendim, që në momentin e marrjes nuk ishte në përputhje me parimet e Kushtetutës, po prodhon sot efekte të pakontrollueshme, dhe askush që atëherë e mbështeti nuk ka sot asnjë bazë për ta kundërshtuar logjikën e tij.

Zgjidhja e vetme është rivendosja e ekuilibrave kushtetues të bërë lëmsh nga injoranca e ndryshimeve kushtetuese nga 2008 e në vijim dhe sidemos nga injoranca e rëndë e hartuesve të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 që nuk shikonin më larg se hunda e tyre dhe nuk e shikonin sistemin kushtetues si një të tërë, por zbatonin verbërisht orientime nga njerëz të paaftë etj.

Shpërndaje