
Nga Red Varaku
Rendi ndërkombëtar i pas Luftës së Ftohtë, i dominuar nga Shtetet e Bashkuara, po përballet me një riformësim të shpejtë të ekuilibrave të fuqisë. Aleanca Rusi–Kinë ka kaluar nga bashkëpunimi oportunist në një partneritet të strukturuar me bazë strategjike, që sfidon në mënyrë të drejtpërdrejtë arkitekturën ekonomike, energjetike dhe të sigurisë të udhëhequr nga Perëndimi.
Në këtë skemë të re, bota muslimane ,që përfshin një hark gjeopolitik nga Magrebi në Indo-Paqësor po del si një zonë tampon dhe aktor determinant në balancën e fuqive çka prodhon një nevojë te re amerikane për partneritet me botën muslimane.
Në mënyrë historike, SHBA e ka parë botën muslimane si hapësirë interesi ekonomik (naftë), si burim tensioni (lufta kundër terrorizmit), apo si terren diplomatik i lidhur me sigurinë e Izraelit.
Por sot, logjika ka ndryshuar. Uashingtoni nuk kërkon më vetëm stabilitet, por bashkëpunim strategjik për të ruajtur avantazhin global ndaj boshtit Pekin–Moskë.
Ky bashkëpunim kërkohet për tri arsye thelbësore. Gjeoekonomi – kontrolli i arterieve energjetike dhe korridoreve tregtare që lidhin Euroazinë. Gjeopolitikë – nevoja për partnerë që kufizojnë depërtimin kinez dhe rus në Azinë Jugperëndimore dhe Afrikën Veriore.Gjeokulturë përplasja e narrativave: rend liberal perëndimor përballë modelit autoritar të zhvillimit që ofrojnë Kina e Rusia.
Ky kostelacion i ri gjeo-politik do të prodhojë pashmangshmërisht dhe një rol të ri të Botës Muslimane në Shahun e Madh Gjeostrategjik, por do të prodhojë njëkohësisht dhe një rol të ri
për Izraelin dhe Iranin në Lindjen e Mesme.
Në mënyrë paradoksale, Izraeli, që për dekada ka qenë boshti i sigurisë amerikane në Lindjen e Mesme, sot me gjenocidin në Gaza po bëhet barrë strategjike për Washingtonin, ndërkohë Bota Muslimane nga burim tensioni po kthehet në Boshtin e Ri të Sigurisë jo vetëm rajonale , por kryesisht globale.
Në këtë kontekst, fati gjeostrategjik i Izraelit do të varet nga aftësia e tij për t’u përshtatur në një rend ku nuk është më qendra e përhershme e interesit amerikan, por një pjesë e mozaikut të ri rajonal që duhet balancuar.
Pêr rrjedhojê nëse SHBA zgjedh të afrohet me botën muslimane, Izraeli do të detyrohet të pranojë një realitet të ri, paqen si instrument mbijetese, jo si opsion taktik.
Kjo aleancë e re do të përcaktojë gjithashtu dhe fatin e regjimit iranian. Irani përfaqëson anën tjetër të ekuacionit. Për më shumë se dy dekada, Teherani ka ndërtuar një doktrinë të mbijetesës përmes përplasjes duke përdorur rezistencën anti-amerikane dhe anti-izraelite si bazë legjitimiteti të brendshëm.
Por bashkimi i tanishëm Rusi–Kinë e ka transformuar Iranin në instrument gjeostrategjik të lindjes autoritare, jo më në aktor të pavarur.
Megjithëse regjimi përfiton ekonomikisht nga bashkëpunimi me Moskën dhe Pekinin (nafta, armët, teknologjia), ai po humbet autonominë politike. Në thelb, Irani mund të kthehet një lloj proxy i boshtit ruso- kinez në orbitën lindore.
Në rast se SHBA arrin të krijojë një aleancë efektive me shtetet sunite (Arabia Saudite, Egjipti, Turqia, Jordania), regjimi iranian do të përballet me një rrethim strategjik që mund të çojë në dy skenarë. Skenari i parë, reformim gradual i brendshëm, nën presionin e izolimit rajonal dhe rënies ekonomike, që e shtyn regjimin drejt një forme të moderuar. Skenari i dytë, radikalizim i mëtejshëm dhe afrimi i plotë me boshtin Rusi–Kinë, me rrezikun që Irani të bëhet hallkë e varur në sistemin e sigurisë euroaziatike, duke humbur çdo pavarësi reale.
Në të dy rastet, fati i regjimit të Teheranit do të varet nga suksesi ose dështimi i strategjisë amerikane për të fituar zemrat e botës muslimane.
Produkti gjeostrategjik i një aleance Amerikë–Botë Muslimane
Një aleancë e tillë, nëse ndërtohet mbi reciprocitet ekonomik, respekt kulturor dhe ekuilibër politik, do të prodhonte disa pasoja të rëndësishme për rendin global:
1)Rivendosje e ekuilibrit euroaziatik ,duke dobësuar korridorin Rusi–Kinë–Iran dhe duke mbyllur hyrjen e tyre në Mesdhe.
2)Stabilizim i tregjeve energjetike me ndikim të drejtpërdrejtë mbi sigurinë ekonomike globale.
3)Zhvendosje e qendrës së legjitimitetit nga Izraeli si bosht i vetëm i politikës amerikane, drejt një koncepti të ri bashkëpunimi me gjithë rajonin.
4)Kufizim i depërtimit teknologjik kinez përmes ofertave alternative amerikane për zhvillim dhe digjitalizim në vendet muslimane.
5)Riformulim i narrativës politike globale që SHBA nuk është në luftë me Islamin, por kërkon partneritet me të për stabilitetin e rendit ndërkombëtar.
Sot SHBA duket se ka marrë një vendim historik.Ato nuk e shohin më botën muslimane si burim destabiliteti dhe terren krizash, sepse përndryshe do t’ia linin këtë hapësirë Kinës e Rusisë. SHBA tashmë e shohin Botën Muslimane si hapësirë partneriteti strategjik, ku mund të rivendoset ekuilibri i rendit të ri global dhe kjo do të transformojë vetë gjeopolitikën e Lindjes së Mesme.
Në këtë proces, Izraeli do të duhet të përshtatet me një realitet të ri shumëpolar, ku siguria e tij nuk buron më nga dominimi ushtarak, por nga integrimi rajonal. Ndërsa Irani, përballë presionit të izolimit dhe varësisë së re lindore, do të përballet me sfidën ekzistenciale të mbijetesës së vet politike.
Në fund, kjo nuk është vetëm një garë për influencë.
Është një garë për riformatimin e rendit botëror ku SHBA duket se ka zgjedhur qartê midis ruajtjes së status quo-së që po shembet, ose ndërtimit të një rendi të ri përmes aleancës me 1.8 miliardë njerëz që përbëjnë botën muslimane.