Nga Besart Logu
Pjesa e parë e përgjimeve të Veliajt zbardhën një të vërtetë të madhe e cila kaloi pa shumë vëmendje sepse njerëzia u mor më shumë me thonjtë e Veliajt dhe me katundarinë e Ulsiut.

Referuar zbardhjes së përgjimeve, duket se nga komunikimet me të vëllanë, Arbrin, ndër të tjera, Erion Veliaj shfaq habinë në lidhje me deklaratën e KLP që erdhi si reagim pas sulmeve të organizuara të Veliajt, Ramës dhe shpurës mediatike ndaj prokurorit të çështjes Ols Dado. Sipas Veliajt, deklarata është anormale në kushtet kur KLP është votuar nga shumica e qeverisë, prandaj, Arbri duhet të flasë me deputetët që merren me këtë punë.
Por, çfarë deklarate bëri KLP?
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) shpreh shqetësimin për fushatën e vazhdueshme të sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi dhe në veçanti ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Olsi Dado. Deklarata të artikuluara jo vetëm nga disa segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të përfshirë në hetime ose të akuzuar prej tyre, përfshirë zyrtarë të lartë, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare. Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë qëndron në mbështetje të prokurorit Olsi Dado dhe të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, që ata të ushtrojnë funksionin e tyre në përputhje me ligjin, si e vetmja garanci që drejtësia të funksionojë mbi bazën e fakteve, provave dhe procesit të drejtë ligjor.”

Siç shihet, deklarata është shumë e qartë dhe nuk nevojiten njohuri juridike për t’a kuptuar. KLP i kërkon aktorëve, pra politikës e medias, që të ndalojnë sulmet dhe presionet ndaj drejtësisë me qëllim diktimin e vendimeve të caktuara.
Çdokush që ka një minimum kulture në njohjen dhe respektimin e ligjit e institucioneve kupton se pretendimet për kundërligjshmëri të veprimeve të një zyrtari duhet të ndiqen përmes mjeteve të mbrojtjes që t’i njeh ligji procedurial, kërkesa e ankime, dhe jo përmes shpifjeve e shantazheve politiko-mediatike. Në rastin konkret, Veliaj do të duhej të ndiqte rrugën e ankimimit gjyqësor ndaj vendimeve të prokurorisë/gjykatës si dhe të ankimimit admimistrativ nëse do të konstatonte raste të shpërdorimit të detyrës apo të kushteve të papajtueshmërisë me funksionin.
Nga e gjitha kjo histori shohim se zbardhen disa të vërteta të cilat janë ngritur si pretendime, nga pak zëra, por që janë sfumuar duke i etiketuar si qëndrime politike apo të ngritura në kushtet e konfliktit të interesit (nga ish funksionarë të drejtësisë të shkarkuar nga vetingu).
Ndërkohë kur sot kemi vetë pushtetarët të cilët janë kthyer në subjekte të SPAK e GJKKO, përgjimet e Erion Veliajt zbuluan se:
1. KLP qenka trajtuar nga mazhoranca si “e jona” pasi është miratuar me votat e PS. Në fakt, organet e reja të drejtësisë dhe e gjithë reforma në drejtësi është kundërshtuar nga opozita si një projekt që i jep gjyqësorin pushtetit si mjet për të luftuar kundërshtarët politik.

2. “Deputetët që merren me këto punë”. Rezulton se në Partinë Socialiste qenka një grup deputetësh i cili mbuloka pjesën e ndërhyrjeve dhe ndikimeve në organet e drejtësisë. Kjo provon se, kryesisht rrethi i Veliajt (Xhafaj, Bushka, etj), qenka skuadra e pushkatimit që prish hetimet për zyrtarët e PS por dhe minimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese.

Dyshime të cilat janë ngritur sëfundmi edhe nga Prokuroria Speciale për të cilat ka të regjistruar dy procedime penale.
3. Sekti i Rilindjes nuk njeh ligj dhe institucione për sa kohë vlerëson si anormale deklaratën e KLP që kërkon pavarësi në ushtrimin e detyrës dhe ruajtjen e integritetit të trupës së prokurorëve. Për 12 vite që ka marrë drejtimin e shtetit, ky grupim ka shënuar rekorde negative në kapjen dhe rrënimin e institucioneve ku kulmi arriti në konfliktin me Gj.Kushtetuese kur mazhoranca nuk zbatonte vendimet e saj në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës për të cilën nga ana tjetër GJKKO urdhëroi SPAK të regjistronte procedim penal ndaj saj.
Përgjimet e Veliajt, në kushtet e izolimit dhe kur tashmë u godit jo vetëm penalisht por edhe politikisht (në rrënimin e imazhit të kryebashkiakut që punon ditë-natë për qytetarët) shfaqën profilin kriminal të këtij grupimi i cili përbën rrezikshmëri të lartë shoqërore jo vetëm në kuptimin juridiko-penal por dhe në atë konstitucional!
Koha provoi se Reforma në Drejtësi ishte një armë në duart e pushtetit, ku me ndryshimin e konjukturave ndërkombëtare, bëri shkrepje të pavullnetshme duke plagosur, shpeshherë edhe vrarë, mbajtësit e saj!