Ina Zhupa, kryetare e Komisionit parlamentar për Kulturën, prezantoi programin e Partisë Demokratike për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar. Ky program parashikon ndalimin e koncesioneve në pasuritë kulturore dhe forcimin e partneritetit me UNESCO për ruajtjen e monumenteve historike.
Po ashtu, do të krijohet një sistem për vlerësimin e impaktit në trashëgimi, duke u siguruar që çdo ndërhyrje të respektojë standardet ndërkombëtare. Kultura do të shërbejë për edukimin dhe turizmin, jo për pasurimin e oligarkëve.
Programi parashikon gjithashtu krijimin e shkollës së guidave dhe investime në digitalizimin e trashëgimisë. Zhupa ngriti shqetësimin për vendimin e Ministrisë së Kulturës që përjashton Institutin e Arkeologjisë nga kërkimet arkeologjike në Durrës. Në fund, do të futet Trashëgimia Kulturore si lëndë për gjimnazistët dhe do të realizohen 100 projekte rinore për lidhjen e rinisë me kulturën.
Pikat e programit të prezantuar nga Ina Zhupa:
1- TRASHËGIMIA KULTURORE, NDALIM I KONCESIONEVE
Partia Demokratike garanton që do të marrë fund praktika e koncesioneve në trashëgiminë kulturore.
Nuk ka më asnjë privat që do të vër duart në identitetin dhe historinë e shqiptarëve.
Ne do ta mbrojmë historinë dhe identitetin me cdo kusht.
Ne do të bëjmë gjithçka, që Butrinti po dhe çdo site tjetër i trashëgimisë kulturore, të zbatojë standardet më të larta të UNESCO-s.
2- UNESCO të jetë guida dhe partneri jonë më i rëndësishëm.
Të gjitha fondacionet, të gjitha organizatat të kenë mundësi të japin donacione, të monitorojnë paratë e tyre, por asnjëra, asnjëherë, nuk mund të shtijë në dorë pasurinë kombëtare të qytetarëve shqiptar.
Ne jemi krenar për historinë tonë, për identitetin tonë, dhe do të bëjmë gjithçka që ta lartësojmë dhe ta mbrojmë atë.
Historia, identiteti dhe trashëgimia kulturore nuk do trajtohen si mall TREGTAR por si aset kombëtar për ta lartësuar dhe mbrojtur.
3- Kultura në funksion të EDUKIMIT-SOCIALIZIMIT dhe turizmit jo në funksion të pasurimit të oligarkëve për të bërë Qendra tregtare/qendra vizitorësh, vila private dhe resorte.
4- FUTJA E VLERËSIMIT TË IMPAKTIT NË TRASHËGIMI
Do fusim në ligj vlerësimin e impaktit në trashëgimi. Ai është një koncept të cilin e përdor UNESCO, është një koncept që e kanë shtetet europiane dhe sa herë duhet të bëhet një ndërhyrje e çfarëdo lloji në monumentet e kulturës, në parqet arkeologjike, në sitet arkeologjike, bëhet ky proces, i cili quhet “Vlerësimi i impaktit në trashëgimi”, që merret pikërisht me vlerësimin e domethënies dhe rëndësisë historike e arkeologjike, kur mendohet të zbatohet një projekt për zhvillimin apo përmirëmbajtjen e tij, për të pasur më të rëndësishme ruajtjen e vlerave dhe të konceptit të trashëgimisë sesa çdo përdorim tjetër për arsye fitimi apo për arsye turizmi ose PR-i. Ky koncept duhet të ishte me kohë, është një standard europian.
Partia Demokratike e shpreh këtë si pikë të rëndësishme të programit të saj për kulturën, ku vlerësimi i impaktit në trashëgimi do të kthehet në një detyrim ligjor, do të jetë pjesë e ligjit për trashëgiminë, ligj i cili patjetër duhet të ndryshojë për të hequr njëherë e mirë atë që ju keni vendosur, për të hequr konceptin e dhënies me koncesion, konceptin e heqjes së shtetit nga detyrimi që ka për të ruajtur, për të mbrojtur dhe për të transmetuar trashëgiminë kulturore te brezat e ardhshëm, me të gjitha vlerat që ka për identitetin dhe për historinë e një vendi.
Zbatimi me përpikmëri i standarteve të UNESCO-Konventës së Parisit.
5- Plotësimi i dosjeve për shtimin e pasurive materiale dhe jo materiale të iskriptuara në mbrojtje UNESCO, duke filluar me Gjirin e Gramës, me Bylisin etj.
6- Vendosim shkollën e guidave për të pasur Ciceronet e certifikuar që përcjellin historinë tonë te të huajt dhe shqiptarët. Investojmë në digitalizmin e trashëgimisë, ku ka guida audio që shpjegojnë trashëgiminë.
7- Skandali me Durrësin që nuk punojnë dot arkeologët shqiptar, vendimi i Ministrisë së Kulturës, datë 25 korrik 2023, mbi konceptin e plotë të gërmimeve arkeologjike për zonën e Amfiteatrit Romak, Forumit Bizantin dhe Termat Romake, e ka përjashtuar Institutin e Arkeologjisë nga e drejta për të gërmuar dhe për të vazhduar kërkimin në zonat e mbrojtura arkeologjike, si monumente, të cilat janë zyrtarisht të mbrojtura, por edhe me rëndësi kombëtare. Tri monumentet që përmenda, Amfiteatri, Forumi dhe Termat, janë zbulimet të lidhura drejtpërdrejt me punën dhe angazhimin historik të profesorëve të Institutit të Arkeologjisë, që nga viti 1966. Ne garantojmë që VKM anullohet, edhe çdo gërmim dhe kërkim do ketë patjetër themelore institucionet dhe institutet shqiptare, me arkeologët edhe studiuesit shqiptar themelor.
8- Trashëgimia Kulturore modul lëndë me zgjedhje për Gjimnazistët.
9- Bonusi Rinor për Kulturën- 100 projekte Rinore për çdo vit për të lidhur rininë me kulturën.
Shqipëria Madhështore realizohet me lartësimin e Kulturës tonë madhështore, identitetin dhe krenarinë tonë të qënurit shqiptar.