Foto më poshtë është faqja e parë e analizës së ekspertëve të nivelit të lartë të atashuar pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Është hartuar në qershor të vitit 2015 dhe përmban një analizë të hollësishme të sistemit të drejtësisë të parareformës ku theks i vihet rënies së besimit të opinionit publik tek institucionet e drejtësisë e kësisoj lind nevoja imediate e reformimit duke bërë ndërhyrje në kushtetutë, kode, e ligje.
Në funksion të kësaj ndëryrje kirurgjikale, propozohej decentralizimi i organit të akuzës si dhe ngritja e institucioneve të reja të cilat do të mundësonin pavarësinë e gjyqësorit nga politika. Kështu, u ngritën institucionet e reja si ILD, KLGJ, KLP, GJKKO, SPAK dhe BKH. Por, para se të konstituoheshin, do të duhej fillimisht që trupa e prokurorëve dhe gjyqtarëve të kalonin procesin e rivlerësimit kalimtar, apo siç njihet ndryshe “vetingun”, në mënyrë që institucionet e reja ti përgjigjeshin pritshmërive të larta të opinionit publik ndaj reformës në drejtësi.
Nëse shihni në fund të faqes tek foto e mëposhtme, janë renditur partnerët e huaj që kanë mbështetur reformën në drejtësi në formën e konsulencës nëpërmjet ekspertëve të tyre. Fakt që përbën rëndësi për analizën është logo e Fondacionit Shoqëria e Hapur me mbishkrimin “Me mbështetje finaciare nga”. Pra, i gjithë procesi, duke përfshirë analizën, propozimet, hartimin e ligjeve dhe implementimin e tyre është mbuluar financiarisht nga Fondacioni Soros. Se çfarë përfaqëson lobi Soros dhe cilët janë politkanët e tij në Shqipëri, besoj nuk ka vend për koment. Se çfarë veprimtarie kishte pasur gjatë presidencës Biden dhe se si institucionet amerikane flisnin e vepronin për llogari të këtij lobi, gjithëkush është azhurnuar me zhvillimet e fundit në USA sa i përket administrimit të fondeve të USAID.

Për një lexues të vjetër e të kujdesshëm të zhvillimeve në Shqipëri, është i njohur fakti se deri në vitin 2013, vit kur PS erdhi në pushtet, i vetmi politikan pa ndikim në gjyqësor ishte vetë ai, Edi Rama. Kjo nisur edhe nga mënyra e organizimit të gjyqësorit në periudhën e parareformës ku Prokurori i Përgjithshëm zgjidhej nga Kuvendi, pra politika, dhe se ishte ai autoriteti përgjegjës për emërimin, transferimin dhe vlerësimin e trupës së prokurëve, ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidheshin po nga Kuvendi dhe se autoriteti përgjegjës që kontrollonte veprimtarinë e gjykatësve të të treja shkallëve të gjykimit, përfshirë dhe sistemin e karrierës, ishte KLD e cila drejtohej nga Presidenti (që zgjidhej nga politika), Ministri i Drejtësisë (pjesë e ekzekutivit), 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, 9 anëtarë të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore dhe Zv.Kryetari që zgjidhej nga Presidenti nga rradhët e anëtarëve që vinin të votuar nga Kuvendi. Pra, si gjykatat ashtu dhe prokuroritë, të të gjitha niveleve, ishin nën ndikimin direkt apo indirekt të politikës. Duke qenë se Edi Rama, deri para se të bëhej kryeministër, ishte një politikan lokalist (kryetar bashkie) dhe filloi ta rrisë profilin politik pas marrjes së drejtimit të PS në periudhë opozite, nuk kishte se si të “ndikonte” në gjyqësor prandaj reforma në drejtësi ishte prioritet i prioriteteve. Kjo duket dhe nga data e hartimit të analizës së reformës në drejtësi, qershor 2015. Ndërkohë, komisioni i posaçëm parlamentar ishte ngritur që në nëntor të vitit 2014.

Nëse dikush, gjithçka çfarë parashtruam më lart nuk i cilëson si fakte por si aludime, ajo çfarë ndodhi pas votimit unanim të ndryshimeve kushtetuese provon se reforma në drejtësi ishte projekt i Edi Ramës për të kapur gjyqësorin. KPK dhe KPA, dy shkallët e vetingut, ishin gijotina ramiste për të qepur një gjyqësor që i rrinte atij më së mirë. Përbërja e këtyre institucioneve, me ish juriste të kryeministrisë, ish kolegë të Engjell Agaçit gjatë ushtrimit të avokatisë, familjarë të anëtarëve të kabinetit të Ramës dhe eksponentë që vinin nga familje ekstremisht të majta, bënin që vendimmarrjet e tyre të ishin të lexueshme e të parashikueshme në varësi të subjektit që po vetohej. Në dhjetor të vitit 2024, KPK mbylli veprimtarinë ku për 7 vite funksionim, nga 712 vendime në total, ka marrë 242 vendime shkarkimi dhe 101 vendime për ndërprerjen e vetingut për shkak të dorëheqjeve (gjysëm shkarkim). Pra, pothuaj gjysma e prokurorëve, gjyqtarëve dhe ndihmësave ligjor kanë dalë nga sistemi i drejtësisë.
Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo skemë, zbatimi i vetingut nisi në rradhë hierarkike nga lart – poshtë. Kjo bëri që për shkak të vakancave të nxjerrë jashtë funksioni për gati katër vite Gjykatën Kushtetuese. Vetëm në janar të vitit 2021, pas plotësimit të trupës gjykuese, Gjykata Kushtetuese doli me njoftimin se ka nisur organizimin e brëndshëm si dhe caktimin e kalendarit të çështjeve për shqyrtim. Pra, imagjinoni një qeveri që ushtron funksionin e saj në shkelje flagrante e të vazhduar të Kushtetutës dhe i ka vendosur çelësin autoritetit që vlerëson kushtetushmërinë e akteve dhe bën interpretimin përfundintar të Kushtetutës. Kjo pra ka ndodhur në Shqipëri, përgjatë viteve 2017-2021.

Hapi i rradhës, në funksion të skemës së madhe të kapjes së drejtësisë, ishte konstituimi i institucioneve të reja të drejtësisë ku anëtarë e drejtues të tyre u bënë ish hartuesit e nivelit të lartë. Një konflikt i hapur interesi, pasi hartuesi i shkrirjes së institucioneve të vjetra nuk mund të jenë drejtues i atyre të reja. Praktikisht, kjo solli që KLGJ dhe KLP të binin në duart e ish rrogtarëve të Fondacionit Soros. Nuk duhet harruar fakti se KLGJ ishte organi që zëvëndësoi KLD ndërsa KLP mori shumë kompetenca të Prokurorit të Përgjithshëm në kuadër të decentralizimit të këtij institucioni. Pra, duket qartë se fati i trupës së prokurorëve dhe gjyqtarëve varej tashmë nga njerëz që kishin distancë shumë më të afërt me politikën në raport nga sa ishte para implementimit të reformës në drejtësi.
Duke qenë se anëtarët e SPAK do të zgjidheshin nga KLP dhe ato të GJKKO nga KLGJ, kapja e dy institucioneve kolegjiale do të mundësonte realizimin e plotë dhe përfundimtar të qëllimit se përse u bë reforma në drejtësi: një armë në duart e pushtetit për të goditur opozitën, si e vetmja mundësi për të siguruar mandatin e katërt. Kjo shpjegon edhe faktin pse është vjedhur kaq barabrisht dhe pa asnjë kujdes apo frikë nga zbatimi i ligjit. Precedenti i Evis Berberit të ARRSH dhe i 5D të Bashkisë Tiranë, ku i jepnin tendera vetes së tyre, janë rastet më flagrante se si zyrtarët në këtë vend nuk kanë qenë të shqetësuar nga ngritja e SPAK dhe se mund të ishin subjektet e saj. Nga ana tjetër, procedimi i liderëve të opozitës, provon ekzistencën e kësaj arme që iu dha Edi Ramës në emër të drejtësisë, nga Fondacioni Soros, me suportin e partnerëve të cilët koha provoi se ishin një kënetë sorosiane mbuluar me dollarë.