Departamenti i Shtetit u ka dhënë udhëzime ambasadave amerikane në mbarë botën që të përgatiten për shkurtime të stafit.
Sipas këtyre burimeve, zyrtarët e lartë të ambasadave janë udhëzuar të dorëzojnë lista të detajuara të të gjithë punonjësve, përfshirë ata me kontrata të përhershme, të përkohshme dhe me detyra të përkohshme.
Shkurtimet pritet të prekin si stafin amerikan, ashtu edhe punonjësit lokalë të punësuar nga ambasadat.
Këto masa u ndërmorën pak para se Presidenti Donald Trump të nënshkruante një urdhër ekzekutiv të titulluar “Një zë për marrëdhëniet e jashtme të Amerikës”, i cili synon t’i japë administratës më shumë kontroll mbi politikën e jashtme dhe të lehtësojë masat disiplinore ndaj stafit që nuk përputhet me objektivat e qeverisë.
Urdhri përfshin rishikimin e Shërbimit të Jashtëm, përfshirë ristrukturimin e stafit dhe ndryshimet në rregulloret e Departamentit të Shtetit, duke prekur pothuajse çdo aspekt të punës diplomatike amerikane. Ky ndryshim mund të sjellë pasoja të gjera, si heqja e përfitimeve për diplomatët jashtë vendit, rishikimi i pranisë së ambasadave në disa shtete dhe dalja nga organizata ndërkombëtare apo marrëveshje diplomatike ekzistuese.
Administrata Trump pritet të përballet me sfida ligjore lidhur me këtë urdhër, por ligji i Shërbimit të Jashtëm i jep Sekretarit të Shtetit kompetenca të gjera mbi këto çështje.
Ndërkohë, një numër i madh punonjësish të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) që punonin në ambasada janë vendosur në leje administrative, çka ka sjellë ankesa nga ambasadorët, të cilët shprehin shqetësimin se nuk kanë staf të mjaftueshëm për të mbikëqyrur programet që janë ende funksionale.
Për më tepër, administrata Trump ka shkurtuar kontraktorët që mbulonin funksione kyçe të ambasadave, përfshirë sigurinë diplomatike, dhe po shqyrton shkurtimin e mëtejshëm të stafit të papërhershëm të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike.
Çfarë përmban urdhëri i ri ekzekutiv i nënshkruar nga Trump
Nënshkirmi i këtij urdhëri të ri ekzekutiv nga Trump, synon të krijojë një qasje të unifikuar dhe të qartë për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Ky urdhër riafirmon se të gjithë individët e përfshirë në zbatimin e politikës së jashtme të presidentit duhet të veprojnë nën autoritetin dhe drejtimin e tij.
Ai rikonfirmon gjithashtu autoritetin e Sekretarit të Shtetit mbi diplomatët dhe stafin e Departamentit të Shtetit, duke siguruar që politika e jashtme të zbatohet sipas vizionit të administratës.
Urdhri i ri ekzekutiv i jep Sekretarit të Shtetit fuqinë për të reformuar Shërbimin e Jashtëm Amerikan në disa fusha kryesore, duke përfshirë:
– Rekrutimin dhe standardet e performancës për të siguruar që vetëm individët më të kualifikuar dhe të përkushtuar të përfaqësojnë interesat e SHBA-ve jashtë vendit.
– Rishikimin ose zëvendësimin e Manualit të Çështjeve të Jashtme dhe dokumenteve të tjera procedurale që udhëheqin operacionet diplomatike.
– Mbikëqyrjen e zbatimit të politikës së jashtme të presidentit në përputhje me ligjet ekzistuese.
Administrata Trump synon të forcojë kohezionin në politikën e jashtme amerikane, duke vendosur theksin te mbrojtja e sovranitetit kombëtar dhe shmangia e ndikimeve të jashtme që mund të dëmtojnë interesat e SHBA-ve.
Sipas urdhrit, të gjithë zyrtarët dhe agjencitë që zbatojnë politikën e jashtme të presidentit duhet të sigurojnë se veprimet e tyre janë plotësisht në përputhje me prioritetet dhe objektivat e Shtëpisë së Bardhë.
Administrata thekson se ky vendim garanton një qasje të fortë dhe efektive në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke vendosur interesat e Amerikës mbi çdo konsideratë tjetër.
Ky hap vjen në vijim të politikave të Presidentit Trump për të vendosur prioritetin tek interesat kombëtare amerikane.
Në ditën e parë të mandatit të tij, ai nënshkroi direktivën “America First Policy Directive”, e cila kërkonte që politika e jashtme e SHBA-ve të reflektojë gjithmonë interesat dhe sigurinë kombëtare.
Administrata Trump argumenton se ky urdhër ekzekutiv do të forcojë përgjegjshmërinë dhe efektivitetin e diplomacisë amerikane, duke siguruar që vendimet e marra në arenën ndërkombëtare të pasqyrojnë vlerat dhe prioritetet e Shteteve të Bashkuara.