Lirimi nga masa e sigurimit
Pardje, lajmi i ditës, besoj dhe i vitit, ishte lirimi i Sali Berishës pas 330 ditësh nga masa e sigurimit arrest në shtëpi. U gëzua e festua kudo ku ka mbështetës të Berishës, dhe është krejt normale.
Nën emocion, u thanë shumë gjëra. Shkakun e lirimit disa e gjenin tek rezistenca me protesta të përnatshme tek rrugica e shpresës, disa të tjerë tek mosbindja civile. Kishte disa që shkonin edhe më larg, tek fitorja e Trump. Askush nuk e gjente tek ligji arsyen pse masa e sigurimit u revokua. Av. Spartak Ngjela, kur u pyet se kush e liroi Sali Berishën u shpreh; “E liroi ligji, askush dhe asgjë tjetër”.
Nëse simpatizantit i lejohet të mendojë e shprehet si të dojë, drejtuesit e partisë duhet të jenë më të kujdesshëm. Të thuash se “Vendimi ishte shpërblim i rezistencës” apo “Pa sakrificë nuk ka rezultate”, po i jep nuanca politike vendimit të gjykatës. E kuptoj se çdo parti tenton të kapitalizojë politikisht çdo zhvillim por ka disa ngjarje të cilat duke i trajtuar ashtu siç janë, kanë më shumë vlerë.
Në rastin konkret, revokimi i masës së sigurimit nuk lidhet me asnjë ngjarje politike të pretenduar por vetëm me momentin procedurial penal, atë të kalimit të çështjes për gjykim. Kur nevojat e sigurimit zbuten ose kur masa e zbatuar nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit ose dënimit që mund të caktohet, gjykata e revokon ose e zëvendëson masën me një tjetër më të lehtë (neni 260 i Kodit të Procedurës Penale). Pra, thjeshtë dhe vetëm një rregullim ligjor i zbatuar me rigorozitet nga gjykata. Dhe ky ishte momenti që gjykata duhej përshëndetur për leximin e drejtë të ligjit meqë kishin 11 muaj që ankoheshin për padrejtësi.
Trajtimi politik i çështjes
Fillimisht duhet theksuar fakti se Sali Berisha është liruar vetëm nga masa e sigurimit arrest në shtëpi. Pra, vazhdon të jetë në cilësinë e personit nën akuzë dhe se beteja ligjore mbi fajësinë ose jo nuk ka nisur ende. Me shumë gjasë, Berisha do të zgjedhë të shkojë me gjykim të zakonshëm dhe jo me gjykim të shkurtuar. Kjo sepse provat e mbledhura nga SPAK jo vetëm i kundërshton ligjërisht por pretendon se Prokuroria Speciale është seksion i partisë në pushtet. Dhe sipas kësaj logjike, nuk mund të pranojë të gjykohet me provat e Edi Ramës! Përveç kësaj, me gjykimin e zakonshëm fiton kohë. Ndryshe nga gjykimi i shkurtuar ku çështja në shkallë të parë mbaron me dy apo tre seanca dhe duke qenë se ka ekonomi gjyqësore, pra nuk ka ngarkesë për gjykatën, ligji “shpërblen” të pandehurin me uljen e 1/3 së dënimit përfundimtar, ai sërish do ta refuzojë pasi gjykimi i zakonshëm i jep të drejtën të mbledhë prova të reja dhe krijon hapësirat për t’a kthyer çështjen në një diskutim javor publik mbi zhvillimet e seancës së rradhës.
Në kushtet ku ndodhet Berisha, si kryetar i PD dhe rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve, koha për të është flori. Zgjatja sa më shumë e gjasave të marrjes së një vendimi të mundshëm fajësie, i jep mundësinë të rikandidojë e në këtë mënyrë të ruajë imunitetin parlamentar me të cilin ka më shumë se një vit që e përdor në betejën me prokurorinë. Prandaj, shkuarja me gjykim të zakonshëm mbetet i vetmi opsion. Të drejtat proceduriale që ia njeh ligji do të ushtrohen pothuaj të gjitha pasi thirrja e dëshmitarëve, riekspertimet, ballafaqimet, letërporositë, etj, bëjnë që nga seanca në seancë të merret një, dy apo më shumë javë kohë.
Se sa mund të zgjasë çështja me gjykim të zakonshëm, mund ti referohemi çështjes “Gërdeci” ku Fatmir Mediu hoqi dorë nga kërkesa për gjykim të shkurtuar në qershor të vitit 2023 dhe akoma gjykata nuk ka mbyllur hetimin gjyqësor. Pra, ka kaluar më shumë se një vit e gjysëm dhe nuk kemi ende një vendim përfundimtar, fajësie ose jo. Dhe për tu kthyer në rastin konkret, tek çështja “Klubi Partizani”, numri i dëshmitarëve që mund të thirren është relativisht i lartë pasi përfshihen ish punonjës të AKKP, Shtabit të Përgjithshëm, Ministrisë së Mbrojtjes, ish kabinetin qeveritar, ish KRRT të bashkisë, zyrtarë të Bashkisë Tiranë, mbi të gjitha Edi Ramën si firmëtar i lejes së ndërtimit. Pra, spektakël, telenovelë turke!
Kështu, del qartë se dhënia e karakterik politik të vendimit të gjykatës nuk duket thjeshtë produkt emocioni. Është strategji e mirëfilltë politike. Humbja e zgjedhjeve do të sfumohet me “persekutimin” që po i bën, kësaj rradhe gjykata, Sali Berishës. Demokratët, jo vetëm nuk do të shohin pushtet me sy por do të vazhdojnë konfliktin me institucionet e drejtësisë për çështje që nuk kanë lidhje me to. Kush mendon se me lirimin e Berishës gjithçka mbaroi, e ka gabim. Është vetëm akti i rradhës i telenovelës me titull “Sali Berisha dhe beteja për liri e demokraci”. Prandaj, mbështetja e tij nuk do të ndryshojë asgjë. Ashtu siç nuk do të ndryshojë gjë lirimi pasi në 14 maj i lirë ishte dhe mori vetëm 6 bashki nga 61 në rang kombëtar.
Në zgjedhjet parlamentare të 2025 do të ketë një risi: përballja mes të rejës dhe të vjetrës, të atyre që janë pro dhe kundër SPAK, të përgjegjësve të 30 vite tranzicion dhe atyre që marrin përsipër të bëjnë ndryshimin. Prandaj, lirimi i Berishës, nisur nga kjo optikë, nuk i shërben askujt përveçse Edi Ramës i cili fushatën elektorale do ta ngrejë mbi retorikën “në kohën e Berishës” dhe jo duke u ballafaquar me premtimet e dhëna në çdo palë zgjedhje si dhe me dështimet e skandalet 12 vjeçare të qeverisë së tij.