Takimi i Kreut të KMSH me Presidentin e Izraelit. Akuzat e Erdogan për ndikimin gylenist në Shqipëri dhe një historik i marrëdhënive Turqi-Izrael

Nga Besart Logu

Për herë të parë, Shqipëria është vizituar nga një president izraelit dhe kjo ka ndodhur ditën e djeshme. Isack Herzog është pritur nga kryeministri Rama dhe Presidenti Begaj ku në sëcilin takim është rikonfirmuar mbështetja e pakushtëzuar që Shqipëria i ka dhënë dhe do të vazhdojë ti japë Izraelit.

Përveç takimeve të tjera, Presidenti Herzog ka zhvilluar një ceremoni përkujtimore pranë Memorialit të viktimave të Holokaustit në Liqenin e Tiranës. Ajo që u vu re në këtë ceremoni ishte prezenca e përfaqësuesve të klerit, sidomos e Bujar Spahiut, Kreut të Komnitetit Musliman të Shqipërisë. Kjo prezencë ka ngjallur shumë reagime nga rradhët e besimtarëve musliman duke nisur ndaj kreut të KMSH një lum me sulme e akuza. Sipas tyre, presidenti Herzog është përgjegjës për viktimat e sulmeve izraelite në Palestinë.

Takimi me përfaqësues të lartë të politikës hebreje, ka sjellë sërish në qendër të vëmendjes konfliktin e brëndshëm mes dy grupeve në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Bujar Spahiu, personazhi që presidenti turk Erdogan kërkon që të largohet nga posti është kërcënuar me jetë për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Burime nga KMSH konfirmojnë se në të paktën dy raste kryetari i KMSH-së është kërcënuar fizikisht nga persona që janë prezantuar si besimtarë. Kështu pak kohë më parë një person me background kriminal dhe i armatosur ka hyrë në zyrën e Bujar Spahiut dhe i ka kërkuar të largohet.

Jo vetëm kaq, përmes të njëjtave burime mësohet se edhe dy biznesmenë të fuqishëm në Shqipëri janë takuar me kreun aktual të KMSH dhe i kanë kërkuar që të bëjnë një tërheqje fiktive nga detyra.

Pak javë më parë para selisë së Komitetit Mysliman Shqiptar pati edhe një protestë kundër kryetarit Bujar Spahiut duke e akuzuar atë si gulenist. Ekzistencën e një konflikti të brendshëm e konfirmon edhe Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, institucion që mbikëqyr marrëdhëniet mes bashkësive fetare dhe shtetit. Duket se konflikti i ndezur për kryetarin e KMSH-së po mban peng edhe hapjen e Xhamisë së Namazgjasë e cila është ndërtuar me fonde të besimtarëve mysliman turq. Për këtë arsye edhe presidenti Erdogan ka shtyrë vizitën e planifikuar për inagurimin e kësaj xhamie.

 

Erdogan presion mbi Ramën për çështjen FETO

Në shkurt të këtij viti, kryeministri Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në shtetin turk. Në deklaratën e përbashkët për media nga Ankaraja, ku u nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe mes Turqisë dhe Shqipërisë, Presidenti Rexhep Taip Erdogan kërkoi zgjidhjen përfundimtare të problemit me organizatën FETO, e cila financohet nga kleriku Fetullah Gulen.

Njëjtë si ministri i tij i Jashtëm, Hakan Fidan, i cili më 29 janar nga Tirana kërkoi largimin e anëtarëve të fundit të FETO-s që kanë mbetur në Shqipëri, edhe Erdogan ia tha në sy kryeministrit Edi Rama se ka ardhur koha për të finalizuar luftën me organizatën e shpallur terroriste nga Turqia.

Më tej, më 8 gusht të këtij viti, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i ka dhënë së fundmi një ultimatum të prerë kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar që të likuidojë gylenistët në Shqipëri. Kjo arrihet të kuptohet nga një njoftim i mediave zyrtare të Ankarasë, për një bisedë telefonike të zhvilluar të enjten (8 gusht) mes dy liderëve. “Udhëheqësi turk iu referua përpjekjeve zhgënjyese të Organizatës Terroriste Fetullah (FETO) për të fituar një terren në Shqipëri, duke shprehur besimin se vendi ballkanik do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët e tij arsimor, shëndetësor dhe fetar”, thuhej në lajmin e televizionit TRT. Pra, përveç institucioneve arsimore, kërkohet “koka” e kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.

 

Kush është në të vërtetë Fetullah Gylen?

Muhammed Fetullah Gylen ka lindur më 27.04.1941 dhe është një predikues turk, ish-imam, shkrimtar dhe figurë me ndikim politik. Ai është themeluesi i lëvizjes Gylen i njohur si “Hizmet” që do të thotë shërbim në gjuhën turke. Ai aktualisht jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, në Saylorsburg të Pensilvanisë. Gylen mëson një version hanefite të Islamit, që rrjedh nga mësimet e dijetarit Sunni Muslim Said Nursi-së. Gylen ka deklaruar se ai beson në shkencë, në dialogun ndërfetar dhe në demokracinë me shumë parti. Ai ka patur marrëdhënie mjaft të mira me Vatikanin dhe me disa organizata hebraike.

Gylen është i përfshirë në mënyrë aktive në debatin shoqëror në lidhje me të ardhmen e shtetit turk dhe islamin në botën moderne. Ai është përshkruar në mediat perëndimore si imam i cili promovon një islam tolerant ku thekson altruizmin, punën e vështirë dhe arsimin.

 

Raportet me Erdogan

Rivaliteti mes Erdogan dhe Gylen nuk ka ekzistuar gjithmonë. Në fakt, lëvizja e Gylenit ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Erdoganit. Gylen, përmes mediave që e kanë mbështetur atë dhe lëvizjen e tij, ka ndihmuar që partia e presidentit turk, Partia për Zhvillim dhe Djetësi, të vijë në pushtet më 2002.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Erdoganit dhe Gulenit u prishën, për shkak të dallimeve në çështjen e ndarjes së pushtetit dhe për stilin autoritar të udhëheqjes së presidentit turk. Nga ana tjetër, Erdogan ka fajësuar Gylen se qëndron prapa grusht-shtetit të dështuar më 15 korrik të 2016 në Turqi, dhe prej atëherë, autoritetet turke kanë arrestuar mijëra persona dhe shumë të tjerë i kanë larguar nga puna, pas dyshimeve se janë “gylenistë”, apo ndjekës të klerikut Gulen.

 

“Grup terrorist”

Në maj të vitit 2016, Turqia ka shpallur zyrtarisht lëvizjen e klerikut Gylen si grup terrorist. Erdogan për një kohë të gjatë ka akuzuar Gylenin dhe mbështetësit e tij, se dëshirojnë të bëjnë grusht-shtet.

“Ne nuk do t’i lëmë ata që përçajnë kombin”, kishte deklaruar Erdogan në ditën kur zyrtarisht organizata e Gulenit u shpall si grup terrorist në Turqi, shtet në të cilin njihet me akronimin FETO (Organizata Terroriste Fethullaiste).

 

Marrëdhënia Turqi-Izrael dhe lufta në Palestinë

Në marrëdhëniet që Turqia ka pasur me Izraelin që nga viti 1949 e deri më tani, Ankara zyrtare ka qenë këmbëngulëse në respektimin e të drejtave njerëzore, të drejtave rajonale dhe të drejtës së shteteve për sovranitet. Rëniet dhe ngritjet në marrëdhëniet mes dy shteteve në masë të madhe buruan nga aktivitetet e Izraelit kundrejt Palestinës.

Aktivitetet diplomatike të Turqisë në Izrael filluan me dërgimin e shefit të parë të misionit në zyrën përfaqësuese në Tel Aviv e cila u hap në cilësinë e ambasadës më 7 janar 1950.

Shqetësimi të cilin Izraeli e kishte nga Pakti i Bagdadit, pakt ky që u formua në vitin 1955 mes Turqisë, Irakut, Iranit, Pakistanit dhe Anglisë, reflektoi negativisht në linjën Tel Aviv-Ankara. Me nacionalizimin e Kanalit të Suezit nga ana e Egjiptit, Izraeli zhvilloi takime të fshehta me Anglinë dhe Francën, shtete këto të cilat kishin pjesë në kanal, ndërkohë që Turqia protestoi kundër dërgimit të ushtarëve nga ana e Izraelit në territorin e Egjiptit më 29 tetor 1956. Më 26 nëntor 1956, raportet mes këtyre shteteve ranë në nivel marrëdhëniesh mes të ngarkuarve me punë në zyrat e diplomacisë. U desh të kalonin shtatë vite për rikthimin në gjendjen e mëparshme.

Në Luftën Gjashtëditore e cila filloi me sulmin e papritur të Izraelit në Egjipt në vitin 1967 dhe pushtimin e Jerusalemit Lindor, Bregut Perëndimor, Gadishullit Sina dhe Lartësirave të Golanit në Siri, Turqia mori anën e shteteve arabe dhe kërkoi që Izraeli të tërhiqet nga vendet e pushtuara, përfshirë edhe Golanin dhe Jerusalemin. Në vitet 70-të, në marrëdhëniet dypalëshe mbizotëroi atmosferë e ftohtë. Pas incidentit të zjarrvënies në Mesxhd-i Aksa në vitin 1969, mbështetja nga Turqia e projekt-rezolutës në Këshillin e Sigurisë në vitin 1975 që parashihte se “Cionizmi është lloj racizmi” dhe njohja e Ushtrisë Çlirimtare Palestineze ngjallën reagimin e Izraelit.

Marrëdhëniet dypalëshe pësuan ngritje në nivel ambasadorësh më 1 janar 1980. Kur më 30 korrik 1980 Izraeli e aneksoi Jerusalemin Lindor dhe e shpalli Jerusalemin si kryeqytet të përhershëm, Turqia e mbylli Konsullatën në Jerusalem dhe e solli nivelin e përfaqësimit në Tel Aviv në pikën më të ulët. Marrëdhëniet të cilat u ngritën në nivel të të ngarkuarve diplomatik në vitin 1986, me fillimin e Intifada-s Palestineze një vit më vonë dhe njohjen e pavarësisë së Shtetit Palestinez nga Turqia, pavarësi e cila u shpall më 15 nëntor 1988, hynë në një periudhë stanjacioni.

 

– Rigjallërim në marrëdhënie 

Në vitin 1989, Turqia e filloi procesin e zbutjes së marrëdhënieve kur në vitin 1989 votoi kundër projekt-rezolutës për ndalimin e përfaqësimit të Izraelit në OKB.

Ndërkohë, me Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme që filloi me Konferencën e Madridit, tensionet arabo-izraelite pësuan trend uljeje. Më 1991, Palestina dhe Izraeli i ngritën përfaqësuesit e tyre në Ankara në nivel të ambasadorëve. Pas kësaj, pasoi fillimi i aktiviteteve të konsullatës së përgjithshme të Turqisë në Jerusalem. Më 1994, palët nënshkruan marrëveshje për siguri, ndërsa në vitin 1996 marrëveshje për bashkëpunim dhe trajnim në fushën ushtarake. Pas marrëveshjes për bashkëpunim industrial dhe treg të lirë, flotat e Turqisë, Izraelit dhe SHBA-ve realizuan manovër të përbashkët ushtarake në Mesdhe.

Marrëdhëniet Turqi-Izrael të cilat shënuan përparim në vitet 90-të si efekt edhe i atmosferës që vinte nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme, u prishën për shkak të radikalizmit anti-paqësor të kryeministrit të atëhershëm, Ariel Sharon. Sharon, i cili në vitin 2000 realizoi vizitë provokative në Mesxhid-i Aksa, u bë shkak i Intifadas së Dytë. Ndjekja e politikave tejet të rrepta nga Sharon kundrejt palestinezëve, shkaktoi prishjen e marrëdhënieve edhe me Turqinë.

Pas pesë viteve u hodhën hapa në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve. Ministri i jashtëm i asaj kohe Abdullah Gul dhe presidenti Erdogan e vizituan Izraelin dhe Palestinën në interval pas katër muajsh.

Sulmi të cilin Izraeli e ndërmori ndaj Libanit më 12 korrik 2006 dhe Rripit të Gazës më 27 dhjetor 2008, rezultuan me reagime të mëdha të Turqisë. Në njërën nga seancat e Forumit Ekonomik Botëror që u organizuan në fillim të vitit 2009 në Davos, kryeministri i atëhershëm turk Erdogan shfaqi reagimin ndaj fjalëve të presidentit të izraelit Shimon Peres të cilat ligjëronin sulmet në Gaza dhe sjelljen e tij që shkelte kufijtë diplomatikë. Reagimi i Erdoganit që në opinionin ndërkombëtar u njoh si “one minute”, ngjalli zëra në tërë botën, me në krye opinionin arab. Erdogan iu kundërpërgjigj me fjalët: “Duhet të jetë ndjenjë e fajësisë fakti i ngritjes së zërit tuaj më lart se i imi. E nëse flasim për vrasje, ju dini shumë mirë të vrisni. E di shumë mirë se si i vrisni dhe i godisni fëmijët nëpër plazhe.” Ndërkaq, braktisja e seancës nga Erdogan me fjalët “Davosi përfundoi për mua”, ngeli temë diskutimi për një kohë të gjatë.

 

– Pika thyese, sulmi izraelit në Mavi Marmara 

Masakra ndaj Mavi Marmarasë që ndodhi më 31 maj 2010 ishte pika më thyese në marrëdhëniet mes dy shteteve. Izraeli ndërhyri në konvojën e dërguar për thyerjen e bllokadës në Gaza në ujërat ndërkombëtarë. Në anije jetën humbën nëntë shtetas të Turqisë. Ndërkaq, një shtetas i cili u plagos humbi jetën më vonë.

Ndërsa Turqia e tërhoqi ambasadorin nga Tel Avivi, ajo kërkoi që Izraeli menjëherë të kërkojë falje, t’u paguajë kompensim familjeve të viktimave dhe ta largojë bllokadën në Gaza.

Meqenëse Izraeli nuk hodhi asnjë hap, Turqia uli marrëdhëniet në nivelin më të ulët. Përfaqësuesit diplomatikë u ulën në nivel të të ngarkuarve në zyrat e ambasadave, ndërkohë që i pezulloi të gjitha marrëveshjet ushtarake.

 

– Procesi i normalizimit 

Kryeministri i Izraelit Netanyahu më 22 mars 2013 bëri një bisedë telefonike me kryeministrin e atëhershëm të Turqisë Rexhep Taip Erdogan. Në emër të popullit të Izraelit, ai kërkoi falje nga populli i Turqisë për jetët e humbura dhe plagosjet në masakrën e Mavi Marmarasë. Erdogan e pranoi kërkimfaljen në emër të popullit turk.

Kryeministri Binali Yildirim njoftoi se në Romë palët kanë finalizuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit. Yildirim shpalosi se janë pranuar të gjitha kushtet e Turqisë, ndërkohë që sipas të dhënave që i shpalosi, pas miratimit të marrëveshjes nga kabineti izraelit dhe Kuvendi i Madh Popullor Turk (TBMM), do të caktohen ambasadorë në mënyrë reciproke.

 

Lufta Izrael-Palestinë

Ndërhyrja e Izraelit në Palestinë pas sulmeve që bëri organizata e Hamas, ka bërë që Turqia të rreshtohet krah Palestinës madje me nje retorikë të ashpër të Presidenti Erdogan. Ky i fundit, tha para një tubimi pro-palestinez në Stamboll se shteti i tij po përgatitet ta shpallë Izraelin “kriminel lufte” për shkak të veprimeve të tij në Gazë. Gjatë adresimit të tij para qindra mijëra personave që iu bashkuan tubimit, Erdogan po ashtu bëri shtetet perëndimore përgjegjëse për vrasjet në Gazë dhe për dështimin që të ndalin sulmet e Izraelit.

Më herët, Erdogan është shprehur se grupi militant i Hamasit nuk është organizatë terroriste, por një grup çlirimtar që lufton për tokat dhe popullin e tij.

Pas deklaratave të Erdoganit, Izraeli tha se po tërheq stafin diplomatik nga Turqia.

“Duke pasur parasysh deklaratat që vijnë nga Turqia, kam urdhëruar kthimin e përfaqësuesve diplomatikë në mënyrë që të bëjmë një rivlerësim të raporteve midis Izraelit dhe Turqisë”, tha ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, përmes një postimi në X.

 

Përfundimi

Gjithçka çfarë parashtruam më lart tregon se në një botë globaliste, si ajo që po jetojmë, zhvillimet më të largëta dhe që nuk kanë të bëjnë me interesat e Shqipërisë, reflektohen menjëherë edhe në planin e brëndshëm. Për më tepër, kur bëhet fjalë edhe për kultet fetare, përfshirja është edhe më e madhe si në numër ashtu dhe mënyrën se si përfshihen palët. Në fund të gjithçkaje, e rëndësishme është që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë të ruajë integritetin e sidomos pavarësinë e tij nga rrymat e ndryshme e konfliktuale, me nuanca politike e interesa ekonomike, që vijnë nga lindja e mesme.

Shpërndaje