
Nga Av.Ermal Yzeiraj
Në Shqipëri, “arresti në burg” është përdorur prej vitesh jo thjesht si masë sigurimi, por si një instrument presioni procedural që i siguronte Prokurorisë një epërsi të menjëhershme në proces, shmangte debatin real mbi provat, akuzën dhe ligjshmërinë e procesit, dhe i jepte opinionit publik ndjesinë e një drejtësie të shpejtë dhe efektive.
Në këtë sfond, së fundmi, Gjykata e Lartë ka vendosur të ndryshojë pjesërisht praktikën e njehsuar në vitin 2011, duke ngritur për Kolegjin tre pyetje themelore:
1️⃣A mund të caktohet “arresti në burg” pa u analizuar realisht masat alternative?
2️⃣A mund të nxirret rrezikshmëria vetëm nga graviteti i veprës ose nga marzhi i dënimit?
3️⃣Kujt i takon barra e justifikimit për caktimin dhe vijimin e “arrestit në burg”: shtetit apo të pandehurit?
GJEDNJ ka rreth 20 vite që përmes një jurisprudence të konsoliduar i ka dhënë përgjigje këtyre tre pyetjeve të GJL. Ndërkohë, avokatët kanë të paktën 15 vite që i citojnë këto përgjigje në ankimet, rekurset dhe kërkesat e tyre, por sistemi gjyqësor i ka shpërfillur ato sistematikisht.
Për pyetjen e parë, që nga viti 2004, GJEDNJ ka sqaruar se paraburgimi mund të vendoset vetëm pasi gjykata të arsyetojë pse masat alternative janë të pamjaftueshme. Për pyetjen e dytë, të paktën që nga viti 2001, GJEDNJ ka sqaruar se graviteti i veprës apo ashpërsia e dënimit nuk mjaftojnë vetvetiu; rreziku duhet të mbështetet në rrethana konkrete dhe të individualizuara. Ndërsa për pyetjen e tretë, GJEDNJ ka theksuar se barra e justifikimit të paraburgimit dhe vijimit të tij i takon autoriteteve dhe nuk mund të përmbyset mbi të pandehurin.
Po përse gjykatat shqiptare nuk i kanë zbatuar deri më sot standardet e GJEDNJ për masat e sigurimit?
Edhe pse vendimi unifikues nr. 7, i vitit 2011 nuk ka qenë në përputhje me standardet e GJEDNJ, gjykatat kanë qenë gjithmonë të detyruara që të zbatonin drejtpërsëdrejti standardet e GJEDNJ.
Vetë GJL në vendimin “Merushe Shpata” (22.07.2021) ka theksuar se:
➡️çdo shkelje e KEDNJ-së është njëkohësisht edhe shkelje e Kushtetutës (§138);
➡️gjykatat kanë detyrimin të garantojnë zbatimin e KEDNJ dhe të jurisprudencës së GJEDNJ (§147);
➡️refuzimi i gjykatave për të zbatuar drejtpërdrejt KEDNJ dhe praktikën e GJEDNJ, me arsyetimin formal të mungesës ose pengesës së ligjit të brendshëm, nuk pajtohet me nenin 46 të KEDNJ (§148);
➡️gjykatat duhet të marrin masa të menjëhershme, efektive dhe të përshtatshme për të rikthyer situatën në përputhje me standardet e KEDNJ.
Për mendimin tim, ka disa arsye se përse sistemi gjyqësor shqiptar nuk ka zbatuar deri më sot standardet e GJEDNJ për masat e sigurimit, por arsyeja kryesore është dashuria e sistemit me epërsinë, lehtësinë dhe qetësinë që sjell “gjykimi i shkurtuar” tek i cili na çon vetëm “arresti në burg”.
Gjithsesi, për këdo që tani dëshiron ta shohë me seriozitet ndryshimin e praktikës për masat e sigurimit, bashkëlidhur po publikoj të strukturuara gjithë vendimet e GJEDNJ që i japin përgjigje tre pyetjeve të GJL.