Analiza | Abuzimi me konceptin “Ushtrimit të Ndikimit të Paligjshëm”.

Nga Ylli Manjani

****

Një tjetër abuzim i drejtësisë penale është me konceptin e Ushtrimit të Ndikimit të paligjshëm. Vepër penale kjo e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal. 

Që të kuptohet abuzimi, duhet të biem dakord si fillim me kuptimin e këtij koncepti.  

Që të ushtrosh ndikim të paligjshëm mbi dikë duhet si fillim të kesh fuqi/pushtet/autoritet mbi të ndikuarin.  Autoriteti ndikues është aq i fortë sa i ndikuari nuk ka alternativë. 

Ky është koncepti tipik për të përkufizuar ndikimin e shefave/eprorëve mbi vartësit e tyre.  Tipikisht ata kanë fuqinë të ndikojnë sepse ata të marrin dhe të heqin nga puna.

Nga ana tjetër ndikimi duhet të jetë i paligjshëm, dmth të detyrohesh që në kundërshtim me një ligj të shkruar, të marrësh një vendim apo të kryesh në sjellje.  Pra jo çdo ndikim është i paligjshëm. 

Kujdes! Eprorët/shefat/drejtuesit padyshim që ndikojnë se prandaj janë në krye, por kur janë brenda rregullave të shkruara nuk quhet i paligjshëm. 

Tani ku qëndron abuzimi? 

Praktika jonë penale e konsideron Ushtrim të Ndikimit të Paligjshëm ndikimin e cilitdo, pavarësisht se nuk ka fuqi/pushtet/autoritet ndikues.  Me pak fjalë, në të gjitha rastet kur prokurorët nuk provojnë dot palën pasive në korrupsion (punonjësin e shtetit dmth) akuzojnë palën tjetër private për ushtrim ndikimi..!!

Pra e thënë më thjeshtë, kur gjejnë dy palë marrësin e dhënësin e parave dhe favoreve e quajnë korrupsion. Kur nuk e gjejnë dot pritesin e parave apo dhënësin e favorit, e qujnë ushtrim ndikimi.  Pra kjo vepër, sipas drejtësisë sonë penale është korrupsion me vetëm njërën palë!!

Absurde sa më ska! 

Korrupsioni o është, o s’është!

Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ose e bën dikush që ka pushtet mbi të ndikuarin, ose një njeri nga rruga ska shans ta bëjë. 

Ky i fundit mund të bëjë shantazh, korrupsion, grabitje, goditje, dhe çdo vepër tjetër penale, por jo ushtrim ndikimi të paligjshëm. 

Këtu kemi të bëjmë me abuzim me konceptin e ushtrimit të ndikimit. 

Dhe ky koncept është kompromentuar rëndë nga gjykatat tona.  Pak për shkak të ligjit llastik që ka pësuar ndërhyrje kuturu, dhe pak për shak  interpretimit semplist të praktikës. 

Praktikë e cila, vetëm atë pushtetarin që ndikon nuk dënon, por mjaftohet me përndjekjen penale të avokatëve ose klientëve të tyre, që skanë pushtet ndikues. 

Ka edhe disa legjenda brenda dyshimit të arsyeshëm se si  janë intimiduar gjyqtarë duke u marrë telefonin sepse medemek u është bërë ndikim i paligjshëm!!!! 

Kjo na çon tek llogjika tjetër që ushtrimin e ndikimit e denoncom ekskluzivisht “i ndikuari”. Përndryshe ske si e merr vesh që ka ndodhur.

Pra edhe proceduralisht koncepti sot është kompromentuar, përsa kohë që ke nën hetim ndikues, pa të ndikuar.  Madje ke nën akuzë ndikues, kur ndikuesit kanë zbatuar ligjet e shtetit me korrektësi!!!  Pra edhe kur ndikon për të zbatuar ligjet quhet krim, efektivisht!! 

Duhet kthyer drejtësia penale në konceptet e saj bazë. Stërhollimet kuturu kanë çuar në absurd.

Shpërndaje