Praktikat e Kolegjeve të Gjykatës së Lartë | Aplikimi i nenit 59 të Kodit Penal dhe përllogaritja e afateve të paraburgimit.

Kolegji evidenton faktin gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi, ka konstatuar pretendime të karakterit ligjor në përmbajtje të tij, e në këtë kuadër vlerësoi të vërë në diskutim si çështje të ligjit, në bazë të nenit 434/3 të K.Pr.Penale, për të cilin kërkoi edhe qëndrimin e prokurorisë në lidhje me çështjet:

– Në rastin e aplikimit të nenit 59 të KP “Pezullimi i ekzekutimit te vendimit me burgim dhe vënia në provë”, a duhet interpretuar  njësoj shprehja në paragrafin 3 të këtij neni “Për dënimet e dhëna deri në dy vjet, si në rastin kur kemi periudhë dënimit të vuajtur si paraburgim me rastin kur nuk kemi  një periudhë të tillë, a duhet  gjykata që në caktimin e afatit të provës të llogarisë  si dënim të dhënë dënimin që ka vajtuar si masë paraburgimit dhe a duhet të llogarisë  dyfishim e kohës së dënimit me burgim  në raport me këtë  periudhë dënimi të vuajtur.??

– A cënon interpretimi literal trajtimin e barabartë të personave që kanë qenë nën masë sigurie shtrënguese si “arrest në burg” apo “arrest në shtëpi” me ato që nuk kanë qenë në masë sigurie, çfarë bëhet me kohën e paraburgimit, dhe a duhet interpretuar kjo dispozitë në favor të lirisë së personit.??

– A gjen zbatim si jurispudencë kushtetuese në këtë rast Vendimi nr. 24, datë 27.04.2023 i Gjykatës Kushtetuese në mënyrën e aplikimit të nenit 59 të KP, në situatën faktike kur një pjesë e dënimit penal të identifikuar me burgim, është vuajtur në kushtet e paraburgimit.??

Vlerësimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë:

  • Në lidhje me çëshjen e parë

Termi “dënim i dhënë nga giykata” që përdoret në pikën 3 të nenit 59 të K.Penal, i referohet vendimit penal, pra dënimit që është caktuar nga giykata në përfundim të shqyrtimit giyqësor dhe materializuar në dispozitivin e vendimit. Sikurse edhe nga jurisprudenca e giykatave sa me lartë cituar, termi “dënim i dhënë nga giykata” nënkupton se nuk është masa e dënimit e parashikuar nga dispozita konkrete e pjesës së posaçme të Kodit Penal për të cilën është deklaruar fajtor i pandehuri, por ajo masë dënimi, e cila rezulton nga llogaritja që gjykata bën sipas nenit 47 të Kodit Penal duke respektuar dhe zbatuar dispozitat e pjesës së përgjithshme. Ky është një term teknik dhe nuk lidhet me dënimin real që do të vuhet nga i dënuari pas përfitimit të zbritjeve të mundshme (si psh: përllogaritja e paraburgimit sipas nenit 57 të K.Penal në rastet e personave që kanë qenë nën masë sigurie shtrënguese si “arrest në burg” apo “arrest në shtëpi”).

“Afati i provës”, sipas formulimit të qartë të ligjit (pikes 3 të nenit 59 të K.Penal), caktohet në raport të drejtpërdrejtë me dënimin e dhënë nga gjykata, dhe konkretisht si dyfishi i tij. Ligjvënësi nuk ka parashikuar në këtë dispozitë ndonjë përjashtim apo llogaritje alternative në funksion të kohës së zbritur për shkak të paraburgimit. Pra afati i periudhës së provës është fiks, është automatikisht sa dyfishi i masës së dënimit të dhënë nga gjykata në vendimin penal.

Sa më sipër, Kolegji, vlerëson se në zbatim të pikës 3 të nenit 59 të Kodit Penal, në të gjitha rastet kur dënimi i dhënë nga gjykata është deri në dy vjet burg, dhe ky dënim është pezulluar me vendim gjyqësor, atëherë afati i provës duhet të caktohet në masën e dyfishit të dënimit të dhënë me vendim, pa marrë parasysh kohën e paraburgimit të vuajtur. Koha e paraburgimit nuk ndikon në përllogaritjen e afatit të provës, i cili mbetet një pasojë autonome procedurale e pezullimit të dënimit, dhe nuk i nënshtrohet zbritjeve.

  • Në lidhje me çështjen e dytë

Interpretimi strikt/literal i pikës 3 të nenit 59 të Kodit Penal, ku afati i provës është sa dyfishi i masës së dënimit të dhënë nga gjykata, nënkupton se nuk merret parasysh nëse i dënuari ka vuajtur më parë një masë sigurie si arrest në burg apo arrest në shtëpi.

Neni 18, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton se: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”, në këtë kuptim, dy persona të dënuar me të njejtin dënim penal, por ku njëri është gjykuar me masë arrest neë paraburgim dhe tjetri ka qenë i lirë, referuar parashikimit të nenit 59/3 të K.Penal duhet të trajtohen njësoj për qëllime të afatit të provës, pavarsisht se kushtet e vuajtjes së masës ndëshkimore kanë qenë objektivisht të ndryshme.

Për sa argumentuar më sipër, me qëllim që interpretimi literal i pikës 3, të nenit 59, që nuk merr parasysh kohën e paraburgimit, të mos cënojë barazinë përpara ligjit, vlerësoj se gjykata në rastet kur aplikon nenin 59 të K.Penal për personat që kanë vuajtur një masë sigurie “arrest në burg” apo “arrest në shtëpi”, duhet të përllogaritet në vendim periudhën që i dënuari ka vuajtur nën masën e sigurimit dhe periudhën e mbetur të pavuajtur nga dënimi i dhënë, si dhe të shprehet qartazi në vendim se pezullimi i ekzekutimit të dënimit do të jetë për pjesën e mbetur te pavuajtur të dënimit me burgim. Kjo pasi në një situate hipotetike të revokimit të alternativës së dënimit me burgim, të dënuarit duhet ti mbetet për të vuajtuar vetëm pjesa e mbetur e dënimit me burgim. Pasi situata e kundërt do të cënonte lirinë personale të të dënuarit, si dhe nuk do të përmbushte funksionin e dhënies së drejtësisë penale dhe atë riedukativ të dënimit, në kushtet kur i dënuari tashmë e kishte kryer një pjese të dënimit penal.

  • Në lidhje me çështjen e tretë

Në këtë rast shtrohet për diskutim çështja ligjore nëse në situatën faktike kur një pjesë e dënimit penal të identifikuar me burgim, është vuajtur në kushtet e paraburgimit nëse kemi të bëjmë me një dënim të dyfishtë kjo nën kuptimin e zbatimit të vendimit nr.24, datë 27.04.2023 të Gjykatës Kushtetuese e cila ndër të tjera argumentuar se: “… 32. Gjykata vlerëson se nëpërmjet vendimit të Gjykatës së Lartë kërkuesi është ngarkuar të vuajë sërish një pjesë te denimit me burgim të vuajtur më parë prej tij në një prej mënyrave alternative të këtij dënimi. Sipas Gjykatës, një vendimmarrje e tillë, e ndërlidhur me një arsyetim të mangët të situatës faktike dhe juridike të kërkuesit, duke mos vënë në diskutim dhe mos marrë në analizë faktin se dënimi me burgim i caktuar ishte ekzekutuar tërësisht, ka cenuar lirinë personale të kërkuesit, si dhe funksionin e dhënies së drejtësisë penale dhe atë riedukativ të dënimit, në kushtet kur kërkuesi tashmë e kishte kryer dënimin penal për veprën e kryer…”

Në funksion të kësaj, në rrjedhën logjike të përdorur në trajtimin e problematikës së parë Kolegji i referohet konkluzionit interpretativ të arritur se koha e paraburgimit nuk ndikon në përllogaritjen e afatit të provës, i cili mbetet një pasojë autonome procedurale e pezullimit të dënimit, dhe nuk i nënshtrohet zbritjeve. Në këtë kuadër Kolegji vlerëson se pavarësisht se arresti në burg apo arresti në shtëpi është një masë e cila barazohet me dënimin dhe llogaritet për efekt të vuajtjes se tij, ai në vetvete nuk është një dënim, i cili si i tillë të ndikojë në aplikimin e llogaritjes së afateve të zbatueshme të parashikuar nga neni 59 i Kodit Penal.

Shpërndaje