
Nga Henrik Ligori
Çdo përkim me persona realë është krejt rastësor …
“Magjistratët në pension, teksa nguten të ushtrojnë avokatinë pas të shtatëdhjetave, fillojnë e shfaqin një prirje imitimi, po aq të keqe sa ajo e kalamajve: ngasa thonë e bëjnë të rriturit, dihet se fëmijët përzgjedhin me kujdes dhe imitojnë vetëm veprimet e pahijshme dhe fjalët e pista.
Kështu bëjnë ish-magjistratët kur në pleqëri fillojnë e imitojnë tonet dhe gjestet e avokatëve. Për dyzet vjet me radhë kanë qenë përballë avokatëve. Kanë mundur të kuptojnë zakonet e tyre, të mirat e të këqiat, veset e virtytet. Por, për virtytet nuk para kujtohen ose i kanë harruar. Kujtojnë vetëm veset dhe fillojnë t’i imitojnë: dinakërinë, pafytyrësinë, ndërhyrjet me vend e pa vend, prepotencën, llafazanërinë, të gjitha të mbrujtura me njëfarë prezumimi të autoritetit që nuk e kanë më, por që shiten sikur e kanë ende.
Imitatio in peius*: ai farë kryetari që deri dje skërmiste dhëmbët nëse avokati guxonte të fliste më tepër se dhjetë minuta, tanimë, si avokat, flet dy orë të mira pa u lodhur dhe, kur të tjerët e humbasin durimin, fillon e revoltohet.
Megjithatë e ka një justifikim. Për dyzet vjet i është dashur të rrijë gojëqepur, i gozhduar në tavolinën e tij, duke dëgjuar (ose kinse duke dëgjuar) fjalimet e të tjerëve. Dyzet vjet të një qetësie torturuese, të rënda si gur varri. Tanimë, mbërriti ora e shpagimit. Një shkëndijë gojëtarie dhe s’ka më kthim prapa: sot flas unë, të tjerët duhet të mësojnë që të mos bëzajnë.
Pa dale …, kush pati thënë “che per lungo silenzio parea fioco”?** Nëqoftëse Dantja do ta kishte ditur se ç’të folur bën një ish-magjistrat, pas dyzet vjetësh heshtjeje, ndoshta nuk do t’i kishte shkruar këto fjalë.”
Piero Calamandrei, Elogio dei giudici, … Ponte alle Grazie, 2008
shqip LinkedIn h.l.
*imitim për keq (lat.)
**Zanin heshtija e gjatë ia kish venitur. (Komedia Hyjnore, Ferri, I, vargu 63, simbas shqipërimit nga Pashko Gjeçi). Në kuptimin alegorik, Dantja do të thotë që, pas një mungese të gjatë, zëri i arsyes mezi arrin të dëgjohet; sh. i p.