
Marrë nga “The Time of Israel”
KARTA E BORDIT TË PAQES
PARATHËNIE
Duke shpallur se paqja e qëndrueshme kërkon gjykim pragmatik, zgjidhje të arsyeshme dhe guxim për t’u larguar nga qasjet dhe institucionet që shumë shpesh kanë dështuar;
Duke njohur se paqja afatgjatë zë rrënjë kur njerëzit fuqizohen të marrin në dorë pronësinë dhe përgjegjësinë për të ardhmen e tyre;
Duke pohuar se vetëm partneriteti i qëndrueshëm dhe i orientuar drejt rezultateve, i mbështetur në ndarjen e barrës dhe angazhimeve të përbashkëta, mund të sigurojë paqen në vende ku ajo për një kohë të gjatë ka rezultuar e paarritshme;
Duke shprehur keqardhje se shumë qasje ndaj ndërtimit të paqes nxisin varësi të përhershme dhe institucionalizojnë krizën, në vend që t’i udhëheqin njerëzit përtej saj;
Duke theksuar nevojën për një trupë ndërkombëtare më fleksibile dhe më efektive për ndërtimin e paqes; dhe
Duke vendosur të mblidhet një koalicion shtetesh të gatshme, të përkushtuara ndaj bashkëpunimit praktik dhe veprimit efektiv,
Me gjykim të udhëhequr dhe drejtësi të respektuar, Palët miratojnë këtë Kartë të Bordit të Paqes.
Neni 1: Misioni
KAPITULLI I – QËLLIMET DHE FUNKSIONET
Bordi i Paqes është një organizatë ndërkombëtare që synon të promovojë stabilitetin, të rivendosë qeverisjen e besueshme e të ligjshme si dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zona të prekura ose të kërcënuara nga konflikti.
Bordi i Paqes do të ushtrojë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sipas miratimeve të parashikuara në këtë Kartë, përfshirë zhvillimin dhe shpërndarjen e praktikave më të mira që mund të zbatohen nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.
KAPITULLI II – ANËTARËSIMI
Neni 2.1: Shtetet Anëtare
Anëtarësimi në Bordin e Paqes është i kufizuar për shtetet e ftuara nga Kryetari dhe fillon pas njoftimit se shteti ka dhënë pëlqimin për t’u lidhur nga kjo Kartë, në përputhje me Kapitullin XI.
Neni 2.2: Përgjegjësitë e Shteteve Anëtare
(a) Çdo Shtet Anëtar përfaqësohet në Bordin e Paqes nga Kryetari i Shtetit ose Qeverisë.
(b) Çdo Shtet Anëtar do të mbështesë dhe ndihmojë operacionet e Bordit të Paqes në përputhje me autoritetet e tij ligjore të brendshme. Asgjë në këtë Kartë nuk do të interpretohet si dhënie e juridiksionit Bordit të Paqes brenda territorit të Shteteve Anëtare, apo si detyrim për pjesëmarrje në ndonjë mision të caktuar ndërtimi të paqes pa pëlqimin e tyre.
(c) Çdo Shtet Anëtar do të shërbejë një mandat jo më të gjatë se tre vjet nga hyrja në fuqi e kësaj Karte, me mundësi rinovimi nga Kryetari. Mandati trevjeçar nuk zbatohet për Shtetet Anëtare që kontribuojnë më shumë se 1,000,000,000 USD fonde në para në Bordin e Paqes brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e Kartës.
Neni 2.3: Përfundimi i Anëtarësimit
Anëtarësimi përfundon në rastin më të hershëm të:
(i) skadimit të mandatit trevjeçar, në përputhje me nenin 2.2(c) dhe rinovimin nga Kryetari;
(ii) tërheqjes, në përputhje me nenin 2.4;
(iii) vendimit për largim nga Kryetari, i nënshtuar vetos nga dy të tretat e Shteteve Anëtare; ose
(iv) shpërbërjes së Bordit të Paqes sipas Kapitullit X.
Një Shtet Anëtar, anëtarësimi i të cilit përfundon, pushon gjithashtu së qeni Palë e Kartës, por mund të ftohet sërish për t’u bërë Shtet Anëtar në përputhje me nenin 2.1.
Neni 2.4: Tërheqja
Çdo Shtet Anëtar mund të tërhiqet nga Bordi i Paqes me efekt të menjëhershëm, duke i paraqitur Kryetarit një njoftim me shkrim.
KAPITULLI III – QEVERISJA
Neni 3.1: Bordi i Paqes
(a) Bordi i Paqes përbëhet nga Shtetet e tij Anëtare.
(b) Bordi i Paqes voton mbi të gjitha propozimet në axhendën e tij, përfshirë buxhetet vjetore, krijimin e entiteteve vartëse, emërimin e drejtuesve të lartë ekzekutivë dhe vendimmarrjet madhore të politikave.
(c) Mbledhjet votuese zhvillohen të paktën një herë në vit dhe në kohë e vende të tjera sipas përcaktimit të Kryetarit.
(d) Çdo Shtet Anëtar ka një votë.
(e) Vendimet merren me shumicë të thjeshtë të Shteteve Anëtare të pranishme dhe votuese, subjekt i miratimit nga Kryetari, i cili mund të votojë në rast barazimi.
(f) Bordi zhvillon gjithashtu takime të rregullta jo-votuese me Bordin Ekzekutiv, të paktën një herë në tre muaj.
(g) Shtetet Anëtare mund të përfaqësohen nga një zyrtar i lartë alternativ, me miratimin e Kryetarit.
(h) Kryetari mund të ftojë organizata rajonale të integrimit ekonomik të marrin pjesë në procedurat e Bordit të Paqes.
Neni 3.2: Kryetari
(a) Donald J. Trump do të shërbejë si Kryetari inaugurues i Bordit të Paqes dhe njëkohësisht si përfaqësues inaugurues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
(b) Kryetari ka autoritet ekskluziv për krijimin, ndryshimin ose shpërbërjen e entiteteve vartëse.
Neni 3.3: Pasardhësia dhe Zëvendësimi
Kryetari cakton në çdo kohë një pasardhës. Zëvendësimi ndodh vetëm pas dorëheqjes vullnetare ose paaftësisë, të konstatuar me votë unanime të Bordit Ekzekutiv.
Neni 3.4: Nënkomisionet
Kryetari mund të krijojë nënkomisione dhe të përcaktojë mandatin dhe rregullat e tyre.
KAPITULLI IV – BORDI EKZEKUTIV
Neni 4.1: Përbërja dhe Përfaqësimi i Bordit Ekzekutiv
(a) Bordi Ekzekutiv përzgjidhet nga Kryetari dhe përbëhet nga personalitete me reputacion global.
(b) Anëtarët e Bordit Ekzekutiv shërbejnë mandate dyvjeçare, me mundësi shkarkimi nga Kryetari dhe rinovimi sipas diskrecionit të tij.
(c) Bordi Ekzekutiv drejtohet nga një Drejtor Ekzekutiv, i emëruar nga Kryetari dhe i konfirmuar me shumicë votash nga Bordi Ekzekutiv.
(d) Drejtori Ekzekutiv thërret mbledhjet e Bordit Ekzekutiv çdo dy javë gjatë tre muajve të parë pas themelimit të tij dhe më pas në baza mujore, si dhe mbledhje shtesë sipas vlerësimit të Drejtorit Ekzekutiv.
(e) Vendimet e Bordit Ekzekutiv merren me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm dhe votues, përfshirë Drejtorin Ekzekutiv. Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë, duke qenë subjekt i vetos nga Kryetari në çdo kohë pas marrjes së tyre.
(f) Bordi Ekzekutiv përcakton rregulloren e vet të procedurës.
Neni 4.2: Mandati i Bordit Ekzekutiv
Bordi Ekzekutiv:
(a) Ushtron kompetencat e nevojshme dhe të përshtatshme për zbatimin e misionit të Bordit të Paqes, në përputhje me këtë Kartë;
(b) Raporton pranë Bordit të Paqes mbi veprimtarinë dhe vendimet e tij në baza tremujore, në përputhje me nenin 3.1(f), si dhe në raste të tjera sipas përcaktimit të Kryetarit.
KAPITULLI V – DISPOZITAT FINANCIARE
Neni 5.1: Shpenzimet
Financimi i shpenzimeve të Bordit të Paqes sigurohet përmes kontributeve vullnetare nga Shtetet Anëtare, shtete të tjera, organizata ose burime të tjera.
Neni 5.2: Llogaritë
Bordi i Paqes mund të autorizojë hapjen e llogarive të nevojshme për realizimin e misionit të tij.
Bordi Ekzekutiv autorizon vendosjen e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes mbi buxhetet, llogaritë financiare dhe disbursimet, sipas nevojës ose përshtatshmërisë, për të garantuar integritetin e tyre.
KAPITULLI VI – STATUSI JURIDIK
Neni 6
(a) Bordi i Paqes dhe entitetet e tij vartëse gëzojnë personalitet juridik ndërkombëtar. Ato kanë kapacitetin juridik të nevojshëm për ndjekjen e misionit të tyre, përfshirë, por pa u kufizuar në, aftësinë për të lidhur kontrata, për të fituar dhe disponuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, për të inicuar procedura gjyqësore, për të hapur llogari bankare, për të pranuar dhe disbursuar fonde private dhe publike, si dhe për të punësuar personel.
(b) Bordi i Paqes siguron dhënien e privilegjeve dhe imuniteteve të nevojshme për ushtrimin e funksioneve të Bordit të Paqes, entiteteve të tij vartëse dhe personelit përkatës, të cilat përcaktohen përmes marrëveshjeve me shtetet ku Bordi i Paqes dhe entitetet e tij vartëse veprojnë, ose përmes masave të tjera të marra nga këto shtete në përputhje me kërkesat e tyre ligjore të brendshme.
Bordi mund të delegojë autoritetin për negociimin dhe lidhjen e këtyre marrëveshjeve ose rregullimeve tek zyrtarë të caktuar brenda Bordit të Paqes dhe/ose entiteteve të tij vartëse.
KAPITULLI VII – INTERPRETIMI DHE ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE
Neni 7
Mosmarrëveshjet e brendshme ndërmjet ose midis anëtarëve, entiteteve dhe personelit të Bordit të Paqes, lidhur me çështje që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Bordit të Paqes, zgjidhen përmes bashkëpunimit miqësor, në përputhje me autoritetet organizative të përcaktuara në këtë Kartë. Për këto qëllime, Kryetari është autoriteti përfundimtar lidhur me kuptimin, interpretimin dhe zbatimin e kësaj Karte.
KAPITULLI VIII – NDRYSHIMET NË KARTË
Neni 8
Ndryshimet në Kartë mund të propozohen nga Bordi Ekzekutiv ose nga të paktën një e treta e Shteteve Anëtare të Bordit të Paqes që veprojnë së bashku.
Ndryshimet e propozuara u shpërndahen të gjitha Shteteve Anëtare të paktën tridhjetë (30) ditë përpara votimit.
Ndryshimet miratohen me votën e dy të tretave të Bordit të Paqes dhe konfirmohen nga Kryetari.
Ndryshimet në Kapitujt II, III, IV, V, VIII dhe X kërkojnë miratim unanim të Bordit të Paqes dhe konfirmim nga Kryetari.
Pas përmbushjes së kërkesave përkatëse, ndryshimet hyjnë në fuqi në datën e përcaktuar në rezolutën përkatëse ose menjëherë, nëse nuk është përcaktuar ndonjë datë.
KAPITULLI IX – REZOLUTA OSE DIREKTIVA TË TJERA
Neni 9
Kryetari, duke vepruar në emër të Bordit të Paqes, autorizohet të miratojë rezoluta ose direktiva të tjera, në përputhje me këtë Kartë, për zbatimin e misionit të Bordit të Paqes.
KAPITULLI X – KOHËZGJATJA, SHPËRBËRJA DHE TRANZICIONI
Neni 10.1: Kohëzgjatja
Bordi i Paqes vazhdon veprimtarinë e tij deri në shpërbërjen sipas këtij Kapitulli, moment në të cilin kjo Kartë pushon gjithashtu së qeni në fuqi.
Neni 10.2: Kushtet e Shpërbërjes
Bordi i Paqes shpërbëhet në momentin që Kryetari e konsideron të nevojshme ose të përshtatshme, ose në fund të çdo viti kalendarik tek, përveç rasteve kur rinovohet nga Kryetari jo më vonë se data 21 nëntor e atij viti tek.
Bordi Ekzekutiv përcakton rregullat dhe procedurat për shlyerjen e pasurive, detyrimeve dhe obligimeve në rast shpërbërjeje.
KAPITULLI XI – HYRJA NË FUQI
Neni 11.1: Hyrja në Fuqi dhe Zbatimi i Përkohshëm
(a) Kjo Kartë hyn në fuqi pas shprehjes së pëlqimit për t’u lidhur prej tre shtetesh.
(b) Shtetet që kërkojnë ratifikim, pranim ose miratim përmes procedurave të tyre të brendshme bien dakord të zbatojnë përkohësisht këtë Kartë, përveç rasteve kur kanë njoftuar Kryetarin, në momentin e nënshkrimit, se nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë.
Këto shtete që nuk e zbatojnë përkohësisht Kartën mund të marrin pjesë si Anëtarë Pa të Drejtë Vote në procedurat e Bordit të Paqes, në pritje të ratifikimit, pranimit ose miratimit, në përputhje me kërkesat e tyre ligjore të brendshme dhe me miratimin e Kryetarit.
Neni 11.2: Depozitari
Teksti origjinal i kësaj Karte, si dhe çdo ndryshim i saj, depozitohet pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat caktohen si Depozitari i kësaj Karte.
Depozitari u dërgon pa vonesë kopje të certifikuara të tekstit origjinal të Kartës, si dhe të çdo ndryshimi ose protokolli shtesë, të gjithë nënshkruesve të saj.
KAPITULLI XII – REZERVAT
Neni 12
Nuk lejohen rezerva ndaj kësaj Karte.
KAPITULLI XIII – DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 13.1: Gjuha Zyrtare
Gjuha zyrtare e Bordit të Paqes është anglishtja.
Neni 13.2: Selia
Bordi i Paqes dhe entitetet e tij vartëse mund të themelojnë, në përputhje me Kartën, një seli qendrore dhe zyra në terren.
Bordi i Paqes do të negociojë marrëveshje për selinë dhe marrëveshje që rregullojnë zyrat në terren me shtetin ose shtetet pritëse, sipas nevojës.
Neni 13.3: Vula
Bordi i Paqes do të ketë një vulë zyrtare, e cila miratohet nga Kryetari.