Çështja “Balluku” në Kushtetuese | GJKKO nuk do të marrë pjesë në seancë. Zbardhen argumentet e mungesës.

GJKKO nuk do të jetë e pranishme në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në njoftimin zyrtar drejtuar Gjykatës Kushtetuese, institucioni ka sqaruar se nuk legjitimohet të marrë pjesë si palë në këtë proces, duke renditur gjashtë arsye kryesore për këtë qëndrim.

Së pari, GJKKO argumenton se kontrolli kushtetues ushtrohet mbi aktin apo vendimin gjyqësor dhe jo mbi vetë gjykatën që e ka nxjerrë atë. Për këtë arsye, gjykata nuk mund të trajtohet si palë kundërshtare në një konflikt juridik, pasi ajo është vetëm autorja e vendimit që po i nënshtrohet kontrollit kushtetues.

Së dyti, theksohet se pjesëmarrja e GJKKO-së në seancë do të cenonte parimin e pavarësisë së brendshme të pushtetit gjyqësor. Sipas këtij parimi, çdo gjyqtar është i pavarur dhe nuk raporton për vendimmarrjet e tij as përpara kryetarit të gjykatës dhe as përpara gjykatave më të larta. Në këtë kuptim, askush nuk mund të flasë apo të mbrojë një vendim konkret të marrë nga një gjyqtar në një çështje penale individuale.

Së treti, GJKKO vlerëson se përfshirja e saj si palë në këtë proces do të krijonte perceptimin publik se gjykata po mbron vendimin e saj, duke rrezikuar kështu besimin e publikut në paanshmërinë dhe integritetin e drejtësisë penale, veçanërisht në një çështje të ndjeshme që lidhet me një funksionare të lartë shtetërore.

Së katërti, në parashtrim nënvizohet parimi i shkallëzimit të pushtetit gjyqësor, sipas të cilit vendimet e gjykatave të shkallës së parë kontrollohen vetëm nga gjykatat më të larta të juridiksionit të zakonshëm. Asnjë organ tjetër shtetëror nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë apo bazueshmërinë e një vendimi gjyqësor, për sa kohë ai nuk është ndryshuar ose prishur nga një gjykatë më e lartë.

Së pesti, GJKKO thekson se në këtë rast nuk janë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive. Vendimet për caktimin e masës së pezullimit nga detyra janë të ankimueshme në juridiksionin gjyqësor të zakonshëm dhe, për rrjedhojë, përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë fazë bie ndesh me standardet e administrimit të rregullt të drejtësisë.

Së gjashti, në përfundim, GJKKO argumenton se çdo pjesëmarrje e saj si palë në gjykimin kushtetues do të ishte jashtë kompetencave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligjet përkatëse. Për sa kohë çështja penale ndaj Belinda Ballukut është ende në zhvillim në juridiksionin e zakonshëm, gjykata vlerëson se nuk mund dhe nuk duhet të marrë pjesë në një proces kushtetues që lidhet drejtpërdrejt me këtë çështje.

Shpërndaje